Parlamenti Europian ka miratuar raportin për Shqipërinë. Në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm, eurodeputetët theksojnë konsensusin e gjerë politik të Shqipërisë dhe mbështetjen e fortë publike për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Në raport kërkohet thellim urgjent i reformave në vend, ndërkohë që dialogu politik duhet që të jetë konstruktiv dhe gjithëpërfshirës. Duke përmendur zgjedhjet e 11 majit, dokumenti vlerëson se ato janë mbajtur në një mjedis të polarizuar dhe nga partia në pushtet janë përdorur burimet administrative. Për këtë arsye, eurodeputetët u bëjnë thirrje partive politike shqiptare të angazhohen për reforma zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Ndërkohë që një pikë thelbësore është vënë në reformën në drejtësi, ku thuhet se ndërhyrjet politike mbeten një sfidë madhore për t’u luftuar.
Me tej, prioritetet kryesore përfshijnë forcimin e pavarësisë gjyqësore, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, ku pluralizmi dhe transparenca e medias, mbeten thelbësore për të ndërtuar besimin publik.