Pensionet rriten, gropa thellohet

Në fund të vitit të kaluar, numri i pensionistëve arriti në 340.000 dhe shteti ndau 180 milionë euro shtesë nga buxheti për rritjen e pensioneve në vitin 2024. Këtu dominojnë të ardhurat nga kontributet e punonjësve, kështu që në nivel vjetor, Fondi merr mbështetje financiare me mbi një të tretën apo mbi 600 milionë euro direkt nga buxheti i shtetit

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 8 gusht – Me vite, pensionistët i kushtojnë shtetit gjithnjë e më shumë para. Fondi Pensional nuk arrin ta mbledhë këtë shumë që shkon drejtpërdrejt për pagesën e pensioneve nga të ardhurat e veta, ku dominojnë të ardhurat nga kontributet e punonjësve, kështu që merr mbështetje financiare me mbi një të tretën apo mbi 600 milionë euro direkt nga buxheti i shtetit. Numri i pensionistëve arriti në 340.000 në fund të vitit të kaluar dhe shteti ndau 180 milionë euro shtesë nga buxheti për rritjen e pensioneve në vitin 2024, tregojnë llogaritë përfundimtare të Fondit të Sigurimit të Pensioneve dhe Invaliditetit, shkruan gazeta KOHA.

Të dhënat e fundit tregojnë se në muajin maj, në Maqedoni kishte 344.796 pensionistë. Pensioni mesatar i paguar është rreth 26.000 denarë, por shumica e pensionistëve janë shumë nën atë mesatare. Përqindja më e madhe e pensionistëve ose 36 për qind marrin një pension mujor që varion nga 18 deri në 22 mijë denarë. Afër 7.5 për qind marrin pension nën 18 mijë denarë. Nga 21.290 deri 27.500 denarë pranojnë pensione 27 për qind apo afër 93 mijë pensionistë. Për afër 19.500 pensionistë apo 5.7 për qind, pensionet variojnë prej 43.740 deri 62.481 denarë dhe 3200 pensionistë pranojnë mbi 62.482 denarë. Raporti tregon se 1.63 të punësuar sigurojnë të ardhurat për një pensionist. Kjo merret pas llogaritjes së numrit të personave të punësuar zyrtarisht dhe numrit të përfituesve të pensioneve të listuar në raportin e fundit mbi punën e Fondit të Pensioneve për vitin e kaluar.

Edhe pse raporti i Fondit thotë se në vitin 2024, 1.70 punonjës mbështesin një pensionist, nga numri i punonjësve (556.294) dhe pensionistëve (339.955), mund të vërehet se në fakt, 1.63 punonjës financojnë pensionin e një pensionisti.

TRANSFERET E MËDHA NGA BUXHETI

Megjithatë, ky raport është rezultat i faktit se vitin e kaluar, numri i personave të punësuar zyrtarisht me kontribute të paguara u ul me mbi 17 mijë, krahasuar me vitin 2023. Dokumenti i FSPM tregon gjithashtu se kjo është rënia më e madhe e numrit të punonjësve me kontribute të paguara në 15 vitet e fundit. Gjithashtu, harmonizimet dhe vendimi për rritjen e pensioneve me 2500 denarë çuan në një rritje të pensionit mesatar me 17.8 për qind, njoftoi Fondi Pensional. Raporti më tej tregon se të ardhurat e Fondit u rritën me 140 milionë euro në një vit, kryesisht për shkak të parave të transferuara nga buxheti kombëtar. Nëse nga kontributet e pagave ato u rritën me 33 milionë euro në vitin 2024, nga buxheti i shtetit paratë që hynë në fond u rritën shumë më tepër në të njëjtin vit, me më shumë se 100 milionë euro.

Gjithashtu, duke iu referuar vitit 2024, varësia e fondit të pensioneve nga buxheti i shtetit mbetet e lartë, që do të thotë se nuk po ulet aspak siç synohet në planin afatgjatë. Të ardhurat buxhetore përbënin 36.71 për qind dhe u transferuan deri në 695 milionë euro në vitin e kaluar. Paratë e mbledhura nga shteti për të ndihmuar në financimin e deficitit të Fondit janë rritur me një shifër të pabesueshme prej 35 për qind brenda një viti. Vitin paraprak, këto shpenzime shtetërore arritën në rreth 514 milionë euro, dhe tani vetëm një vit më vonë – 695 milionë euro. Analizat tregojnë se kostoja e pensioneve është rritur me gati 17 për qind brenda një viti, andaj ekspertët besojnë se duhet treguar shumë kujdes me korrigjimin e këtyre të ardhurave si dhe rritjen e pensioneve që devijon nga zgjidhja ligjore.

“Ne kemi reaguar vazhdimisht se çdo devijim i tillë ka dy rreziqe. Kjo do të thotë që deficiti buxhetor nuk do të ulet me ritmin e pritur, nuk do të arrijmë shpejt ato 3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe kemi rrezik të stabilitetit të sistemit të pensioneve dhe deficitit që do të krijohet në sistemin e pensioneve që plotësohet përmes buxhetit të përgjithshëm. Andaj duhet të përmbahemi vetëm te harmonizimet që janë të bazuara ligjërisht”, thonë nga Instituti Fajnens Think. Rritja e fundit e pensioneve ka përplasur edhe VMRO qeverisëse dhe LSDM -në opozitare.

PËRPLASEN VMRO DHE LSDM

Sipas VMRO-DPMNE, LSDM dhe deputetja Jovanka Trençevska vazhdojnë të manipulojnë numrat, por faktet thonë krejt të kundërtën. Metodologjia e Trençevskës rriti pensionet e pensionistëve me 138 denarë gjatë pandemisë COVID, kur inflacioni ishte mbi 20% për shkak të politikave të tyre të dobëta ekonomike. “Le të kujtojmë se kur LSDM dhe Trençevska ishin në pushtet, pensionistët protestonin çdo ditë në rrugë dhe para qeverisë, dhe kërkesat e tyre ishin pikërisht për një rritje lineare të pensioneve.LSDM dhe Trençevska nuk u interesuan për pensionistët në atë kohë, i çuan në prag të ekzistencës dhe nuk u siguruan atyre jetën dinjitoze që meritojnë”, thekson VMRO. Në më pak se një vit të qeverisjes së VMRO-DPMNE-së, pensionet janë rritur tashmë me pesë mijë denarë, dhe një rritje tjetër prej një mijë denarësh do të pasojë në shtator dhe mars. Vetëm për 18 muaj, pensionet e të gjithë pensionistëve do të rriten linearisht me 7000 denarë, thonë nga VMRO.

Deputetja e LSDM-së dhe ish-ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, kujton se në periudhën shkurt 2022 deri në maj 2024, falë Metodologjisë së Rregullimit të Pensioneve të miratuar nga Qeveria e LSDM-së, pensionet u rritën me 29.7%. Gjatë asaj periudhe, pensioni më i ulët u rrit nga 9900 denarë në 13.200 denarë, dhe asnjë rritje e vetme nuk ishte simbolike prej 50 ose 100 denarësh, siç gënjen VMRO-DPMNE. “Në maj të vitit 2024, boshllëku në PIOM ishte 32.5%. Sot është 47.8%. Me politika sistemike, ne ruajmë stabilitetin e fondit, VMRO-DPMNE gjithashtu po kërcënon mbijetesën e tij”, thekson Trençevska.

LSDM-ja edhe një herë konfirmon përkushtimin e saj ndaj pensionistëve – me zgjidhje të përgjegjshme dhe sistematike për një standard më të mirë, një Fond Pensional stabil dhe mbështetje reale, dhe jo me kosto manipuluese dhe premtime të rreme siç ofrohen sot, shton Tençevska. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

spot_img

Artikuj të ngjajshëm