E shtunë, 15 Shkurt, 2025
5.8 C
Skopje

Për 12 muaj, 834 mijë udhëtarë në “Bllatë”

Ky vendkalim kufitar nga ana e shtetasve të Maqedonisë së Veriut përdoret me të madhe vitet të fundit, sidomos për pushimet verore, por edhe për të shfrytëzuar aeroportin e Tiranës nëpërmjet Rrugës së Arbërit, pasi nga Dibra në Tiranë arrihet për 1:30 minuta

Vjollca SADIKU

Dibër, 29 janar – Nga viti në vit vazhdon të rritet frekuenca në vendkalimin kufitar “Bllatë”, mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në afërsi të Dibrës. Nga Ministria e Punëve të Brendshme informojnë se vitin e kaluar, numri i frekuentuesve në të dyja anët e kufirit ka qenë 834.355 persona. Sipas policisë, në këtë vendkalim kufitar në dalje janë regjistruar 98.495 shtetas të Maqedonisë së Veriut, kurse në hyrje 63.788 shtetas. Sa u takon shtetasve të huaj, në hyrje janë evidentuar 380.506, kurse në dalje 291.566. Krahasuar me një vit më parë, respektivisht në 2023 kur është evidentuar një frekuencë prej 724.259 në të dyja anët e kufirit, ka një rritje prej 110.096.

Sa i takon vendkalimit kufitar me karakter lokal Xhepishtë-Trebishtë në afërsi të Dibrës, sipas MPB-së, në hyrje janë evidentuar 1456 shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe në dalje janë evidentuar 1508, kurse sa u takon shtetasve të huaj – janë evidentuar 24.297 persona në hyrje, kurse në dalje – 23.819 shtetas të huaj.

Për shkak të rritjes të frekuencës si nga shtetasit të Maqedonisë së Veriut ashtu edhe të shtetasve të huaj në vendkalimin kufitar “Bllatë”, pothuajse çdo ditë ka patur radhë të automjeteve për hyrje dhe dalje. Nga pala e Shqipërisë është kërkuar që në këtë vendkalim të punohet me dy hyrje dhe dy dalje. Ky vendkalim kufitar nga ana e shtetasve të Maqedonisë së Veriut përdoret me të madhe vitet të fundit, sidomos për pushimet verore, por edhe për të shfrytëzuar aeroportin e Tiranës nëpërmjet Rrugës së Arbërit, pasi nga Dibra në Tiranë arrihet për 1:30 minuta. Nga ana tjetër, shtetasit shqiptarë vendkalimi kufitar “Bllatë” e përdorin për shëtitje dhe blerje si në Dibër, ashtu edhe në qytetet tjera të Maqedonisë, ndërsa shfrytëzohet shumë edhe nga punëtorët sezonal që punojnë në Maqedoninë e Veriut.

Kryetarët e Dibrës dhe Peshkopisë, Hekuran Duka dhe Rahim Spahiu vitin e kaluar kanë kërkuar nga të dy qeveritë të angazhohen që edhe ky vendkalim kufitar të ketë një pikë të përbashkët doganore, ashtu siç funksionon vendkalimi “Qaf Thanë” mes dy shteteve fqinje. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm