E shtunë, 17 Maj, 2025
16.3 C
Skopje

Për Presidenten e vendit zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të panevojshme!

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova vlerësoi sot se nuk ka nevojë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare përderisa deputetët e krahut të Aleancës për Shqiptarët që përkrahin Arben Taravarin mund të largohen nga koalicioni qeveritar.

Duke folur si profesoreshë, ajo potencoi se zgjedhjet e parakohshme janë të nevojshme në kushte të institucioneve të paralizuara, kur ato nuk mund të funksionojnë ose kur shumica qeverisëse është në kufi të 61-shit të kërkuar.

“Po, ka probleme por institucionet po merren me to. Do të ketë zgjedhje të rregullta lokale të cilat pasqyrojnë disponimin e qytetarëve. Ndonjëherë janë lakmues për testimin e suksesit të qeverisë, por absolutisht nuk ka nevojë për zgjedhje parlamentare”, tha ajo duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve.

Siljanovska Davkova po ashtu potencoi se të njëjtit persona të cilët tani po bëjnë thirrje për zgjedhje të parakohshme ishin kundërshtarët më të mëdhenj të zgjedhjeve të parakohshme kur realisht kishte arsye për këtë.

Për sot në orën 17 në Qeveri pritet të mbahet takim i kryeministrit Hristijan Mickoski dhe Arben Taravarit rreth zhvillimeve aktuale politike. Kryeministri Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve gjatë një vizite në Komunën e Shtipit, tha se në takim dëshiron të dëgjojë nga Taravari për cilin opsion është ai, duke potencuar se “me apo pa Taravarin, Qeveria është stabile, e fortë dhe me shumicë të madhe” dhe se i mbetet atij dhe bashkpartiakëve të tij të vendosin nëse siç tha, “do të ndjekim rrugën e reformave dhe sundimit të ligjit, luftën për një shoqëri të drejtë dhe institucione që funksionojnë apo do të bashkohen dhe do të bëjnë koalicion me ato forca politike që kriminalizojnë dhe shkatërrojnë shtetin prej vitesh”.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm