Pavarësisht se shkollat kanë në dispozicion udhëzime të detajuara dhe masa për parandalimin e dhunës, praktika tregon se shumë shpesh këto rregulla mbeten të pazbatuara. Mungesa e mbikëqyrjes gjatë pushimeve, moszbatimi i programeve për edukimin e nxënësve dhe trajnimin e mësuesve për të trajtuar situatat e dhunës është një nga faktorët që kontribuon në rritjen e këtyre incidenteve
Anëmsha SHABANI
Shkup, 27 dhjetor – Në vitin 2024, shqetësimi për rritjen e dhunës në shkolla është më i madh se kurrë. Vetëm në tre muajt e parë të vitit shkollor, janë regjistruar 15 raste dhune, një shifër alarmante që tregon se problemet që lidhen me bullizmin dhe dhunën mes nxënësve po marrin përmasa shqetësuese. Rasti më i fundit, ku një nxënës në shkollën fillore “Bllazhe Koneski” në Veles goditi një shok të klasës, duke e lënë atë me një dëmtim të rëndë në kafkë, ka tronditur jo vetëm shkollat, por edhe opinionin publik. Ky rast ka nxjerrë në pah nevojën urgjente për ndërhyrje të institucioneve dhe për një strategji të re për parandalimin e dhunës në shkolla.
Psikologja Merita Limani, për gazetën KOHA tha se rastet e dhunës në shkolla tregojnë se është e nevojshme që prindërit, shkollat dhe autoritetet të punojnë së bashku për të parandaluar dhe trajtuar dhunën në shkolla.
“Rritja e dhunës në shkolla është një shqetësim serioz, siç e tregon edhe rasti i fundit. Faktikisht, ky rast tregon se dhuna shkollore është një problem që lidhet ngushtë me faktorë si mungesa e mbështetjes në familje, ndikimi i teknologjisë dhe mungesa e ndërhyrjeve të shpejta. Fëmijët që përjetojnë dhunë shpesh nuk kanë mbështetje të mjaftueshme në shtëpi, duke e bërë më të vështirë identifikimin dhe ndërhyrjen në kohë. Për këtë arsye, është e domosdoshme një bashkëpunim më i ngushtë ndërmjet prindërve, shkollave dhe autoriteteve për të ofruar mbështetje dhe edukim të duhur për nxënësit dhe për të parandaluar ngjarje të tilla”, theksoi psikologja.
Ajo shtoi se është e domosdoshme tani që qeveria të ndërmarrë masa më adekuate për të përmirësuar këtë situatë, duke përfshirë krijimin e politikave të qarta për parandalimin e dhunës në shkolla dhe mbështetje të fortë për institucionet arsimore, për të siguruar një mjedis të sigurt dhe mbështetës për të gjithë fëmijët.
Ndërkaq, një anketë e realizuar nga Avokati i Popullit tregon se nxënësit e shkollave fillore janë ata që preken më shumë nga dhuna.
“Pothuajse gjysma e tyre raportuan se janë viktima të një forme dhune në shkolla, duke përfshirë fyerje dhe agresion fizik. Ky është një lajm i trishtuar dhe i domosdoshëm për të reflektuar mbi mënyrën si shkollat dhe familjet e trajtojnë këtë çështje. Shkollat, si mjedise ku fëmijët kalojnë shumicën e kohës së tyre, kanë përgjegjësinë të ofrojnë siguri dhe mbrojtje, por ky angazhim duhet të fillojë që nga familja, që është hapi i parë në krijimin e një sistemi të shëndetshëm vlerash për fëmijët”, thuhet në anketë. Sipas udhëzimeve dhe rregullave ekzistuese, shkollat kanë në dispozicion një sërë masash pedagogjike dhe mund të kërkojnë ndihmë nga shumë institucione, nga Ministria e Brendshme dhe nga organizatat joqeveritare, deri te qendrat për punë sociale. Udhëzimet për arsimin fillor, të miratuara në vitin 2020, janë të veçanta, ku procedurat shpjegohen në detaje në rreth 50 faqe.
Nga ana tjetër, pavarësisht se shkollat kanë në dispozicion udhëzime të detajuara dhe masa për parandalimin e dhunës, praktika tregon se shumë shpesh këto rregulla mbeten të pazbatuara. Mungesa e mbikëqyrjes gjatë pushimeve, moszbatimi i programeve për edukimin e nxënësve dhe trajnimin e mësuesve për të trajtuar situatat e dhunës është një nga faktorët që kontribuon në rritjen e këtyre incidenteve. Gjithashtu, kur prindërit nuk janë të gatshëm të bashkëpunojnë dhe të përfshihen në procesin e zgjidhjes, situata bëhet edhe më e vështirë për t’u menaxhuar.
Ndryshe, në fillim të vitit shkollor, MASH-i dërgoi një letër shkollave me udhëzime për të organizuar sa më shumë aktivitete kurrikulare dhe jashtëshkollore për nxënësit, me qëllim ndërgjegjësimin e tyre për ndërtimin e një mjedisi shkollor të qetë dhe harmonik, ku do të mbizotërojë mirëkuptimi dhe respekti i ndërsjellë. Ndërsa, shkalla e dytë është shërbimi profesional në shkollë, ku mund të përfshihet edhe Shërbimi Pedagogjik në Ministri. (koha.mk)