E martë, 25 Mars, 2025
13.8 C
Skopje

Për tre muaj gati ujësjellësi në Lagjen 146

Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini tha se ky investim ka të bëjë pikërisht me agjendën e gjelbër për të siguruar ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët

Urim HASIPI

Tetovë, 1 shtator – Banorët që jetojnë në rrugën “146” në Tetovë, që ndodhet mbi lagjen “Arabati Baba Teqe” në Tetovë, do të duhet edhe tre muaj të presin që të furnizohen me ujë të pijshëm. Projekti për rregullimin e rrjetit të ujësjellësit tashmë ka filluar, kurse punët i kanë mbikëqyrë kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi dhe ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini. Me këtë rast kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, nënvizoi vështirësitë që janë hasur që të arrihet të sigurohet ujë i pijshëm për këtë lagje. “Në takim me banorët e kësaj lagje para disa vitesh na është kërkuar të ndërtojmë një basen për akumulimin e ujërave. Ne atë basen e kemi përfunduar dhe pas asaj Komuna e Tetovës ka investuar në gypin e ujësjellësit nga sistemi i filtrimit në zonën e fshatit Lisec deri tek baseni. Për të përfunduar tërë këtë projekt janë nevojitur edhe 13 milion denarë nga ana e Ministrisë së Ekologjisë me qëllim që uji nga baseni të arrijë deri tek shtëpitë e qytetarëve”, deklaroi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Sipas saj, tërë investimi kap vlerën prej 30 milion denarëve dhe banorët do të kenë ujë të pijshëm sipas standardeve. Krahas kësaj, Arifi theksoi se kohë më parë në bashkëpunim me EVN-në, është vendosur edhe një trafostacion për të siguruar rrymë për këta banorë. Ministri i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini tha se ky investim ka të bëjë pikërisht me agjendën e gjelbër për të siguruar ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët.“Kur pushteti qendror me pushtetin lokal bashkëpunojnë mirë, atëherë mund edhe të punohet në projekte për të mirën e qytetarëve. Me rebalancin e buxhetit arritëm të marrim mjete për gypat për ujë në Reçicë dhe fshatin Xhepçisht. Krahas kësaj, me huazimin e mjeteve që presim të marrim, do të ketë edhe projekte tjera në të gjitha vendbanimet në tërë shtetin. Po ashtu jemi në finalizimin e dokumentacionit për të investuar në rrjetin e kanalizimit dhe ujërave të zeza për Komunën e Tetovës dhe presim që delegacioni i BE-së të hap tenderin”, tha ministri Nuredini.

Gjendja më e rëndë më ujin e pijshëm në këtë lagje paraqitet gjatë muajve të verës, kur këta banorë nuk kanë asnjë pikë ujë në çezmat e tyre. Problemi më shumë u alarmua gjatë verës së vitit të kaluar, kur banorët u ankuan se pikërisht në kohën kur kanë nevojë për më shumë ujë për mbajtjen e pastërtisë gjatë kohës së pandemisë, ata u përballen me mungesë të ujit të pijshëm. Këta banorë me ujë të pijshëm furnizohen nga lagjja fqinje “Çarshia e Epërme”. Po ashtu është bërë e ditur se ka përfunduar edhe procesi i legalizimit të shtëpive të ndërtuara në këtë lagje. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm