Një reflektim mbi procesin dhe rezultatin e testimit të aftësive artistike të valltarëve të IN – Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqipe në RMV
Nga Ilir LOKU
Thuhet se elementi më i fortë i një qytetërimi është kultura, dhe në kushtet e një bashkëjetese multi-etnike, siç është edhe vendi ynë, ajo bëhet një barometër për një integrim të shpejtë në unionin europian. Siç dihet, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, arti dhe kultura shqiptare përballen me sfida të shumta, që lidhen me mosdhënien e mundësive për të kontribuar në krijimin e standardeve emancipuese dhe integruese, por edhe në përfaqësimin e dinjitetshëm të potencialeve artistike në mbështetje të institucioneve kulturore.
Fillimisht, dëshiroj t’iu uroj 200 artistëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut që morën vendime pune me afat të pacaktuar, dhe besoj se ata do të kontribuojnë fuqishëm në ngritjen e nivelit kulturor të shoqërisë sonë. Ky veprim është një njohje e merituar për angazhimin e tyre të palodhur në art dhe kulturë, duke nënkuptuar një vlerësim të dukshëm në zhvillimin e mëtejshëm të artit dhe kulturës në përgjithësi nga ana e qeverisë aktuale. Në këtë panoramë të rekrutimit të artistëve, do të doja të ndaja modestisht disa mendime, nisur së pari nga perspektiva e një qytetari të përgjegjshëm dhe së dyti nga perspektiva e një artisti të angazhuar në fushën e koreografisë, lidhur me audicionin e zhvilluar nga IN Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqipe-Shkup, RMV, i mbajtur më 11 dhjetor 2024 në qytetin e Tetovës.
Që në krye të radhës, dua të konfirmoj se çdo mendim që do të artikulohet më poshtë nga ana ime ka një qëllim konstruktiv për të shërbyer pozitivisht drejt krijimit të një optike integruese në konsolidimin e institucioneve dhe jo për të kundërshtuar apo mohuar proceset për standardet e tyre. Personalisht, duke iu referuar përvojës sime personale, por edhe të komunitetit artistik që i përkas, mendoj se audicionet nënkuptojnë një mundësi institucionale për të përzgjedhur cilësisht interpretuesit dhe jo për të përjashtuar kontributet e mëparshme artistike. Kjo ndodhi pikërisht për shkak të një neglizhence institucionale apo mungesë veprimi të duhur nga ana e institucionit, për të mos thënë papërgjegjshmëri institucionale, kur ky angazhim jo vetëm u mohua, por krijoi një problematikë sociale dhe humane për 33 artistët, të cilët ishin ofruar për një qëllim kulturor që ishte ruajtja e një trashëgimie shpirtërore etnike. Mundësia për t’i rikthyer në punë me vendime pune me afat të pacaktuar u penalizua vazhdimisht edhe nga një kriter për të drejtën e aplikimit për të konkurruar, i cili, në opinionin tim, nuk luante rol të rëndësishëm në vlerësimin objektiv të talentit, aftësive dhe kualitetit interpretativ të valltarëve. Ky kriter, që ndoshta mund të kishte pasur një domethënie të caktuar në kontekste të tjera, në këtë rast nuk ishte i justifikueshëm për vlerësimin e kondicionit tekniko-artistik të valltarëve.
Sigurisht, ky konkurs ishte një mundësi e madhe dhe e rëndësishme për artistët e rinj që dëshironin të bëhen pjesë e këtij institucioni tani me eksperiencë 5-vjeçare dhe me një bagazh të konsiderueshëm vallesh të krijuara nga koreografët më eminentë në trojet shqiptare, krijimtaria e të cilëve ka një qasje dhe interpretim inovativ bashkëkohor. Por procesi i pranimit të valltarëve të rinj bëhet pa një kriter shtesë, siç mund të ishte njohja e repertorit të valleve të ansamblit, dhe kjo jo vetëm si njohuri teorike (referuar kritereve për testimin e aftësive artistike të kandidatëve të paraqitur në shpalljen publike nr. 1/2024, për vendin e punës nën rendin nr. 1 me Kodin KULT 03 04 A05 013-Zbatues artistik i grupit të tretë-Valltar), por edhe të njohurive praktike të repertorit të valleve. Njohja e repertorit është esenciale për të siguruar që artistët e rinj mund të kontribuojnë në vazhdimësinë dhe zhvillimin e traditës artistike të ansamblit, përsa i përket standardeve artistike, stilistike dhe teknike. Profesionalisht, mendoj se ekziston një hendek i madh i procesit njohës artistiko-teknik apo interpretativ midis pjesës së re të valltarëve të porsaardhur dhe atyre që kanë qenë dikur në trupën e valltarëve dhe që janë rikthyer nëpërmjet këtij audicioni, së pari, sepse janë 5 vjet punë profesionale e përditshme të munguar në një institucion profesional dhe së dyti, për të arritur standardin e këtyre 5 viteve, të rinjve u duhet shumë më tepër kohë. Pyetja që shtrohet është: a mundet të arrihet një rezultat artistik me kualitet të integruar kulturor në një institucion profesional që paguan individë të pakualifikuar? Në të njëjtën kohë, në këtë konkurs janë bërë shumë lëshime dhe janë anashkaluar shumë kritere profesionale që lidhen me peshën dhe gjatësinë, si dhe me kriterin e famshëm të moshës 18-25 vjeç, të cilat janë relevante për vlerësimin e aftësive artistike dhe estetike të një vallëtari/e.
Shqetësimi im nuk është vetëm për këto lëshime të mundshme, por edhe për faktin se, pas ndarjes së vendimeve me afat të pacaktuar për 32 artistët, 11 valltarët që kanë qenë pjesë që nga themelimi i tij dhe që kanë kontribuar në çdo aktivitet të ansamblit, ku është promovuar kultura dhe tradita e vallëzimit folklorik, shpesh nën kushte të vështira dhe përballë sfidave të shumta, e disa prej të cilëve kanë qenë solistë në vallet e ansamblit, janë lënë pa vendime. Prandaj, kjo mundësi duhet t’u ofrohet edhe atyre, që ata të mos mbeten të përjashtuar dhe pa shpresë për të ardhmen, sepse ata realisht përfaqësojnë një investim me vlera të qëndrueshme artistike që i ka krijuar me këmbëngulje vetë institucioni i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në R.M.V dhe ata meritojnë respekt, shanse apo mundësi të barabarta. Kjo situatë nuk është e lidhur vetëm me faktin se janë dhënë mundësi për artistë të rinj, të cilët duhet mbështetur dhe përkrahur për të kontribuar, por me faktet e vërteta se ata së pari, nuk disponojnë njohuri për repertorin e ansamblit, së dyti as për metodologjinë artistike dhe së treti, as për qasjen profesionale të punës krahas me artistët e “përjashtuar” dhe si përfundim, nuk mund të ofrojnë kualitet artistik kompetitiv të një standardi profesional. Pavarësisht këtyre mangësive, këta kandidatë kanë kaluar me sukses testin nga komisioni përkatës. Kjo ka ngritur disa pyetje lidhur me procesin e vlerësimit dhe seleksionimit. Për më tepër, duke u bazuar në praktikat e zakonshme të transparencës dhe llogaridhënies që janë thelbësore për çdo proces institucional, është e rëndësishme që të sigurohet një pasqyrë më e qartë dhe më e plotë e vendimeve të komisionit. Për këtë arsye, do të dëshiroja të kërkoj informacion lidhur me:
- Shpalljen e vendimeve e komisionit që kanë vlerësuar dhe miratuar kandidaturat e valltarëve që kanë kaluar audicionin.
- Të bëhet publike procedura e vlerësimit dhe kriteret e përdorura për të marrë këto vendime.
- Të ofrohet informacion në lidhje me procesin dhe kriteret e audicionit, duke siguruar që audicioni të ketë qenë i hapur dhe transparent për të gjithë ata që janë të interesuar të informohen.
E kuptojmë që ky proces duhet të jetë publik, dhe besoj se transparenca do të ndihmojë në forcimin e besimit në këtë institucion dhe në kulturën që ai promovon.
Duke marrë parasysh situatën aktuale dhe shqetësimet e shumta që janë shfaqur, do të doja të bëj një kërkesë shumë qytetare për drejtuesit e kulturës dhe për komisionin e kulturës të klasës politike shqiptare: Të bëjnë një takim me artistët e lënë jashtë këtij procesi dhe të flasin me ata në mënyrë të sinqertë, serioze dhe me një qasje profesionale, institucionale për fatin e tyre. Të ofrohet një qasje e hapur dhe e drejtpërdrejtë, pa u mbajtur peng dhe pa krijuar ankth deri në momentin e zgjedhjeve të ardhshme, qofshin ato lokale apo parlamentare. Është shumë e domosdoshme të thuhet e vërteta dhe të ofrohet një zgjidhje reale, sesa të mbahen peng, duke krijuar një situatë pasigurie. Kjo thirrje e imja paraprakisht vjen nga ana njerëzore, si pasojë e asaj që e shoh dhe e bashkëndjej te artistët kur bashkëbisedojmë. Ata janë vërtet të shqetësuar. Për më tepër, ajo që duhet diskutohet dhe që më bën të mendoj dhe të pyes, e që nuk gjejmë dot përgjigje, është: pse audicioni u mbajt në Tetovë, kur selia institucionale dhe objekti ku punon dhe zhvillon veprimtarinë e laboratorit artistik Ansambli është në Shkup??? Mendoj se të gjithë kanë të drejtën e informimit në kohën e duhur, andaj miqësisht doja të pyesja organizatorët e audicionit pse aplikuesit që kanë fituar të drejtën për në audicion janë njoftuar një ditë para audicionit, kryesisht në mbrëmje pas orës 16:00, jashtë orarit të punës institucionale, dhe pse ky njoftim nuk është bërë publik në faqen e internetit të institucionit që organizon audicionin? Po ashtu, duhet diskutuar edhe pyetja tjetër: Pse nuk janë ftuar dy koreografët shqiptarë të kualifikuar në Maqedoninë e Veriut për të kontribuar në vlerësimin e valltarëve, ndërkohë që janë angazhuar koreografë nga Kosova dhe nga Maqedonia koreografë maqedonas? Megjithëse respekti për kolegët nuk mungon. Ky anashkalim i ekspertizës vendase është një hap mbrapa, duke humbur mundësinë për një vlerësim më të plotë dhe objektiv të valltarëve dhe për një përfaqësim të denjë të vlerave artistike shqiptare në këtë audicion të rëndësishëm.
Përfundimisht, dua të shpreh edhe një herë vlerësimin tim për vendimet e marra për 200 artistët në përgjithësi, dhe në veçanti për aktorët e teatrove shqiptare dhe artistët e IN Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqipe – Shkup, RMV. Ky është një hap i rëndësishëm për zhvillimin kulturor, por besoj se ka ende mundësi për përmirësim dhe reflektim të mëtejshëm. Siç është premtuar, qeveria aktuale ka për qëllim të sjellë ndryshime dhe përparim të qëndrueshëm për mirë, por është e qartë se ndryshimi i vërtetë mund të arrihet vetëm përmes konsultimit me grupet e interesit, në rastin konkret me artistët valltarë të “përjashtuar” nga e drejta e vazhdimësisë për të kontribuar me përkushtim si 5 vjet më parë.
Është thelbësore të theksohet se, që në momentin e themelimit të ansamblit shqiptar, është marrë si model ansambli “Tanec”, i njohur dhe i suksesshëm për zhvillimin e artit folklorik dhe mbështetjen ndaj artistëve maqedonas. Nëse qëllimi është të realizohet një punë e vlefshme për ansamblin shqiptar, është e domosdoshme që të krijohen mundësi për punësimin e 80 artistëve, siç është rasti me ansamblin “Tanec”. Ky do të ishte një mision i realizuar me sukses nga ana e qeverisë, duke sjellë kështu rezultate dhe suksese që do të reflektohen natyrshëm në punën dhe zhvillimin e ansamblit, ashtu si lumi Vardar, i cili, ndonëse i ngadalshëm, ka një rrjedhë të qëndrueshme dhe të pandërprerë. Kjo është një mundësi për të bërë më shumë për artin dhe artistët, duke siguruar mbështetje të qëndrueshme dhe profesionale. Angazhimi për të sistemuar dhe për të mbështetur më shumë artistët e kualifikuar dhe të angazhuar është një hap i domosdoshëm për të krijuar një kulturë me standarde integruese drejt Bashkimit Europian.
(Autori është magjistër i Koreografisë dhe Mësuesisë)