E enjte, 17 Korrik, 2025
20.8 C
Skopje

Përfundoi faza e parë e rehabilitimit të 45 personave të lënduar në Koçan

Grupi i parë prej 45 personave të lënduar në ngjarjen tragjike në Koçani, ka përfunduar fazën e parë të rehabilitimit në pushimoren e MPB-së në Qendrën malore Ponikva, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.

Një grup tjetër do të mbërrijë në fillim të javës së ardhshme dhe do të marrë dy javë kujdes mjekësor dhe fizioterapi.

Për të siguruar kushte optimale për këtë proces rehabilitimi, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje mjeteve për informim publik, që në përputhje me kontekstin specifik, të vazhdojnë të monitorojnë situatën me kujdes të veçantë, etikë profesionale dhe solidaritet njerëzor në raportimin për personat të cilët janë lënduar në ngjarjen tragjike në Koçani.

“Sipas vlerësimeve të punonjësve shëndetësorë, çdo shkelje e privatësisë së tyre ose qasje invazive në media mund të shkaktojë trauma shtesë dhe ta bëjë procesin e rehabilitimit të tyre më të vështirë. Në këtë kontekst, Ministria e Shëndetësisë bën thirrje për sa vijon: e drejta e privatësisë së personave të lënduar dhe familjeve të tyre duhet të respektohet si një e drejtë themelore njerëzore, të mos çrregullohen proceset e rehabilitimit të kryera nga ekipet mjekësore profesionale në Ponikva dhe Spitalin e Përgjithshëm në Koçani, të mos incizohen ose fotografohen personat që vizitojnë ose janë pjesë e seancave të rehabilitimit gjatë periudhës përderisa ata janë në qendrën turistike Ponikva ose në Spitalin e Përgjithshëm në Koçani, me qëllim ruajtjen e dinjitetit dhe qetësisë së këtij komuniteti. Në të njëjtën kohë, të mos kërkohen dhe të merren deklarata në formë të shkruar, video ose audio nga të njëjtët persona gjatë procesit të tyre të rehabilitimit në objektet e përmendura paraprakisht. Besojmë se mediat kanë një rol thelbësor në informimin e publikut, si dhe në ndërtimin e empatisë dhe përgjegjësisë shoqërore”, thuhet në kumtesën e MSH-së.

Prej aty shtojnë se mbeten të hapur për bashkëpunim dhe informim në kohë të publikut përmes kanaleve transparente, por apelojnë që kjo të bëhet në frymën e respektit për ata që tani kanë nevojë për qetësi, mirëkuptim dhe mbështetje.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm