Në seancën gjyqësore të martën, Aulona Pelaj, Altina Rexhepi, dhe Remzie Kuqi, të akuzuara për dhunë fizike ndaj një të moshuare në Pejë, janë deklaruar të pafajshme.
Avokati i të pandehurës, Remzie Kuqi, ka deklaruar se e kanë kundërshtuar aktakuzën dhe se të pandehurat janë deklaruar të pafajshme.
Seanca gjyqësore ka qenë e mbyllur për publikun.
Prezent në seancën gjyqësore ka qenë edhe eksperti psikiatër, Nysret Pepaj.
Aurona Pelaj, Altina Rexhepi dhe Remzie Kuqi, janë nën akuzat për “sulm” ndaj të moshuarës Minire Nuraj në nëntor të 2022-tës, në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë.
Pamjet kur Aurona Pelaj e rrihte me shuplaka dhe shkelma të moshuarën në shtëpinë e pleqve, tronditën opinionin publik në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe pati reagime të shumta.
Më 4 maj 2023 është ngritur aktakuzë ndaj tri infermiereve për sulmin ndaj të moshuarës në Qendrën për të Moshuar “Orenda” në Pejë, kishte bërë të ditur Prokuroria Themelore në Pejë.
Me anë të një komunikate për media, Prokuroria Themelore në Pejë kishte bërë të ditur se sipas aktakuzës, tri të pandehurat, në cilësinë e infermiereve, me dashje dhe në bashkëkryerje kanë përdorur forcë ndaj të moshuarës, që të njëjtën ta vënë nën kontroll.
Krahas kësaj, sipas komunikatës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurat kanë përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si më lart. Tutje, thuhet se prokurori i çështjes ka propozuar që tri të pandehurat të shpallen fajtore.
E moshuara që ishte sulmuar në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë, kishte edhe shenja të dhunës dhe përvëlimi, kështu kishte treguar ekspertiza mjekoligjore.