Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë në USHT, Nevzat Elezi tha për gazetën KOHA se bojkoti ka përfunduar, ndërsa ata që kanë vendosur t’i lënë studentët pa ligjërata – tashmë janë zëvendësuar. Mirëpo, iniciuesi i këtij bojkoti, Visar Xhaferi mohon deklaratën e dekanit duke thënë se bojkoti nuk ka përfunduar ende. Ai tregon me emra 14 asistentë që janë përjashtuar nga puna, ndërsa edhe 20 të tjerë nuk mbajnë ende mësim…
Anëmsha SHABANI
Shkup, 28 maj – Një pjesë e konsiderueshme e asistentëve të Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë në kuadër të Universitet të Tetovës nga fillimi i këtij semestri janë në bojkot, për shkak të mos kryerjes së pagesave ndaj tyre. Bëhet fjalë për asistentë të angazhuar me kontrata në vepër për realizimin e mësimit praktik. Domethënë, ata kanë kaluar tre semestra duke mos u paguar për orë të mbajtura. Gjithashtu statusi i tyre është i parregulluar dhe punojnë me kontrata në vepër, pa sigurim shëndetësor dhe pensional.
Ndërkaq, dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë në USHT, Nevzat Elezi tha për gazetën KOHA se bojkoti ka përfunduar, ndërsa ata që kanë vendosur t’i lënë studentët pa ligjërata janë zëvendësuar. “Bojkoti është ndërprerë. Asistentët të cilët kanë refuzuar të mbajnë mësim, janë zëvendësuar. Shpresojmë që pagesat deri në fillim të vitit akademik do të paguhen. Arsyeja e mospagesave deri tani është mos pasja e mjeteve të mjaftueshme”, informoi Elezi.
Mirëpo, iniciuesi i këtij bojkoti, Visar Xhaferi mohon deklaratën e dekanit duke thënë se bojkoti nuk ka përfunduar ende. Ai tregon se 14 bojkotues janë përjashtuar nga puna, ndërsa edhe 20 të tjerë nuk mbajnë ende mësim. “Bojkoti vazhdon, mirëpo 12 bojkotues, me gjithë infermierët 14, janë përjashtuar nga puna. Sa i përket vazhdimësisë së mësimit, 20 kolegë të tjerë nuk mbajnë ende mësim. Ndërsa pjesa tjetër, 15 apo 20 asistentë që nënshkruan për bojkot, vijuan mësimet sepse u gënjyen duke ju thënë se do marrin vendime të dyfishta, apo nuk jam i sigurt nëse i kanë bindur apo kërcënuar”, tha Xhaferi.
Xhaferi hodhi akuza të rënda kundër dekanit Nevzat Elezi, duke i publikuar bisedat e dekanit që i informon për datat e pagesave që përsëri nuk u bënë. “Dekani na informoi se pagesat do bëhen me 3 maj, 20 maj dhe 10 qershor, mirëpo pagesa ende nuk kemi marrë. Ai i përjashtoi specialistët dhe pasi i zëvendësoi – edhe ata u solidarizuan me ne duke e bojkotuar mësimin. Me dekanin nuk kemi biseduar pasi ai është shndërruar në avokat të Rektorit. Ndërsa nga të gjitha dyert e institucioneve, nuk morëm ndonjë përgjigje”, tha Xhaferi për gazetën KOHA.
Ai gjithashtu informoi se në semestrin e ardhshëm akademik, mbi 30 specialistë nuk do jenë pjesë e ligjëratave të vitit të ri shkollor. “Në fillimin e semestrit të vitit të ri akademik, mbi 30 apo 40 specialistë do të vijojnë me bojkot. Kjo nuk ndodh askund në botë që dekani ti merr në telefon një nga një duke i lutur dhe disa duke i kërcënuar të kthehen në punë, me frikën që po i dështon semestri dhe po shpallet i pavlefshëm. E më pas, është frika për ata 2 mijë eurot që ua ka marrë kosovarëve për semestër”, theksoi Xhaferi.
Për gazetën KOHA, Visar Xhaferi dërgoi listën e specialistëve të përjashtuar nga UT-ja në mjekësi. “Visar Xhaferi – specialist i kirurgjisë torakal, Ardit Qafjani – specialist i kirurgjise torakale, Ilmi Jashari – specialist i mjekësisë interne – kardiolog, Beqir Mamuti – specialist i mjekësisë interne – endokrinolog, Qemal Ismaili – specialist i mjekësisë interne – kardiolog, Luljeta Mulaku – specialiste gjinekologe, Eldiar Zylbeari – specialist gjinekolog, Luljeta Ismaili – specialiste transfuziolog, Naxhije Fetai – magjistre e Infermierisë, Arta Bajraktari – specialiste pediatre, Armend Sejdini – specialist oftalmolog, Majlinda Azemi – specialiste gjinekologe, Gazmend Zeqiri – specialist i kirurgjisë abdominale, Alban Rufati – Infermier i diplomuar dhe Aferdita Ismaili – specialiste e gjinekologjisë”.
Për fund,ai i bëri thirrje opinionit publik, institucioneve përgjegjëse, mediave dhe gjithë faktorëve që mund të ndikojnë pozitivisht në këtë padrejtësi me këta njerëz që janë vendos në nivelin më të lartë arsimor shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. (koha.mk)