Opozita akuzon për vonesa të Tatimit të Vlerës së Shtuar për bizneset dhe mos realizim si duhet të investimeve kapitale. Pozita me përgjigje se vonesa ka për rastet kontestuese, ndërsa investimet do të jenë së paku 550 milionë euro
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 27 dhjetor- Kthimi me kohë i TVSh-së për bizneset dhe realizimi i investimeve ka përplasur ndër të tjerash pozitën dhe opozitën në Kuvend. Opozita pretendon vonesat e tatimit të vlerës së shtuar për bizneset dhe mos realizimin si duhet të investimeve kapitale. Pozita me përgjigje se vonesa ka për rastet kontestuese, ndërsa investimet do të jenë së paku 550 milionë euro. Deputetit i LSDM, Fatmir Bytyqi tha se likuiditeti i kompanive është në pikëpyetje dhe ekonomia vuan pasoja të drejtpërdrejta. Përveç huamarrjes nga Hungaria, dëshmi për këtë është edhe vonesa e rimbursimit të TVSH-së, e cila për momentin është rreth 1.9 miliardë denarë ose afërsisht 31 milionë euro. “Pra në dy muaj kemi gjashtëfishim. Sektori privat, i cili është një shtytës kryesor i ekonomisë maqedonase, mbetet pa mbështetje dhe përballet me presione serioze financiare”.
Rimbursimi i TVSH-së nuk është një luks, ai është një mekanizëm bazë që lejon kompanitë të operojnë pa probleme, të investojnë dhe të përmbushin detyrimet e tyre financiare, duke përfshirë pagesën e rregullt të punonjësve, tha deputeti i LSDM-së.
“Vonesa e saj i vendos kompanitë në një situatë për t’u përballur me kosto shtesë financiare, si interesi për pagesat e vonuara, dhe kufizon rëndë kapacitetet e tyre investuese. Qeveria po e kthen ekonominë në kohën e pagesës selektive të TVSH-së, praktikë kjo karakteristike për periudhën deri në vitin 2016”, shtoi Bytyqi.
Nga ana tjetër, ministrja e financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, është përgjigjur se ka rimbursim të TVSH-së për kompanitë private ku nuk ka lëndë kontestuese dhe për këtë mund të pyeten edhe odat ekonomike, ndërsa aty ku ka sende të kontestuara derisa të zgjidhen, nuk do të bëhet rimbursim i TVSH-së. Ajo tha se rimbursimi i TVSH-së bëhet rregullisht dhe se është mbi 2 miliardë denarë në baza mujore.
Me fjalë tjera, ministrja e Financave, tha se kompanive u vonohet rimbursimi i TVSH-së për shkak se po kontrollohet nëse ka pasur keqpërdorime fiktive. Paraprakisht, deputeti Fatmir Bytyqi tha se ligji po shkelet duke thyer afatin e paraparë prej 30 deri në 60 ditë për rimbursimin e TVSH-së për kompanitë. “Çfarë prisni? Ai është i rregullt. Ka kompani me kthime mashtruese. A duhet të pranojmë sërish fatura false dhe të financojmë krimin? Loja juaj ka qenë fatura fiktive, kompani fantazmë, banorë inekzistent nga Kosova, në Bullgari dhe Turqi, firma mbyllëse etj. Gjithçka është zbuluar dhe ky është problemi. Aty ku ka situata kontestuese, ka raste të hapura. Derisa të mbyllen lëndët nga institucionet kompetente, është logjike që nuk mund të ketë rimbursim të TVSH-së. Duhet ta kishit bërë edhe ju, jo vetëm ne”, tha ministrja Dimitrieska Koçoska.
Pyetja e radhës ishte se pse investimet kapitale nuk po zhvillohen në dinamikën e dëshiruar. “Ju premtuat progres të rëndësishëm dhe zbatim dinamik të projekteve kombëtare dhe vendore nga ndërtimi i rrugëve, gazsjellësit, shkollave dhe kopshteve, deri te sistemet e infrastrukturës për ujërat e zeza dhe ujësjellësit. Por si shumë premtime të tjera, edhe kjo është larg realizimit. Rishikimi i buxhetit që keni zbatuar këtë vit ka ulur nivelin e planifikuar fillimisht të investimeve kapitale nga mbi 720 milionë euro në rreth 600 milionë euro. Pavarësisht kësaj, realizimi është vetëm rreth 370 milionë euro, pra mezi 60 për qind sipas të dhënave tuaja zyrtare. Me vetëm gjashtë ditë të mbetura nga viti, këto shifra nuk tregojnë lëvizje, një sinjal i qartë se momenti i investimit të premtuar është thjesht retorikë boshe. Për vitin 2025, megjithatë, parashikoni një shumë rekord prej 800 milionë eurosh për investime kapitale, që tingëllon jashtëzakonisht ambicioze dhe optimiste, sidomos duke pasur parasysh realizimin e ulët këtë vit”, theksoi deputeti Bytyqi dhe ish zëvendës kryeministër nga radhët e LSDM-së.
Në përgjigjen e saj, ndër të tjerash ministrja Dimitrieska Koçoska tha se sa i përket investimeve kapitale, ajo garanton se ky vit do të ketë një realizim më të madh se viti 2023, të cilin, siç thotë ai, po e lë mënjanë. “Pse po e lë mënjanë? 15 miliardë denarë, para të transferuara si paradhënie tek Bechtel dhe Enka, ju pyes, për ju pagesa e avansit është investim kapital”, tha ajo.
Ministrja e Financave tha se prisnin që Qeveria e kaluar t’i kushtonte vëmendje së paku projekteve që janë realizuar me Bashkimin Evropian ku shtoi se njëri prej tyre kishte garanci bankare false.
“Për më tepër shumë projekte të trashëguara ndërpriten për shkak të problemeve objektive. Të gjitha investimet publike mbi 120 milionë denarë apo 2 milionë euro do të kalojnë nëpër një filtër në Ministrinë e Financave dhe do të miratohen nga Qeveria për të tejkaluar situatën e problemeve që dalin në realizimin e mëvonshëm. Kjo është paraparë me ndryshimet në Ligjin për buxhete, me qëllim të krijimit të projekteve që mund të realizohen”, njoftoi ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Ajo pret që viti të mbyllet me realizimin e rreth 550 milionë euro investime kapitale. Bëhet fjalë për 70 për qind të asaj që ishte planifikuar, por është e rëndësishme që po flasim për realizimin e investimeve reale kapitale. “Në vitin 2021 janë realizuar shpenzime kapitale në vlerë prej 400 milionë euro, në vitin 2022 janë realizuar 450 milionë euro, në vitin 2023 janë realizuar 700 milionë euro. Mirëpo, në këto mjete përfshihen edhe transfertat në Eleketro Ekonominë e Maqedonisë nga të cilat më pas janë paguar pagat, si dhe paradhënie për projekte të caktuara”, shtoi ajo. (koha.mk)