Përshpejtimi i rritjes ekonomike, politika digjitale dhe inovacione për ekonomi të përgatitur për të ardhmen, harmonizim të potencialit ekonomik të vendit me investime të mençura, zbatim të inteligjencës artificiale, kthim të investimeve dhe roli i diasporës në rritjen nacionale, do të jenë në fokus të Samitit të ardhshëm “Maqedonia 2025”, që do të fillojë të martën.
Ekspertë ekonomik, drejtorë të think-tankeve, kryeministra të tanishëm dhe të mëparshëm dhe ministra nga vendi dhe nga jashtë, si dhe ekspertë nga komuniteti shkencor nga disa shtete, do të flasin në panel diskutimet e Samitit, në të cilin pritet të marrin pjesë rreth 550 mysafirë, u cek në brifingun e sotëm. Pjesën zyrtare të samitit të martën do ta hapin Viktor Mizo, kryesues i Bordit të drejtorëve të Maqedonisë 2025 dhe Nikica Mojsovska Bllazheski, drejtoreshë ekzekutive e Maqedonisë 2025.
“Jashtë politikës: Vizioni ekonomik dhe udhëtimi prej lideri i kryeministrit Hristian Mickoski” është titulluar paneli i parë në të cilin do të flasë kryeministri i vendit.
Ish-kryeministri i Gjeorgjisë, Nik Gilauri është paralajmëruar se do të flasë në panel diskutimin “Kthesë ekonomike përmes reformave të dhimbshme”, moderator i të cilit do të jetë Majk Zafirovski, përderisa ish-ministri i Financave i Polonisë, Tadeush Koshçinski do të flasë në temën “Rrugë të ndryshme, një destinacion: Strategji për rritje ekonomike”. Në këtë panel është paralajmëruar edhe ish-ambasadori amerikan në vend, Filip Riker.
Në temën “Tregtia, talenti dhe e ardhmja e partneriteteve ekonomike globale” do të flasë ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe në vend, Abdulla Ali Atik Obeid Al Subusi.
Ministri i vendit i Transformimit digjital, Stefan Andonovski është paralajmëruar në panelin “Politika digjitale dhe inovacione për ekonomi të përgatitur për të ardhmen”, ku do të flasë edhe Matias Daub, themelues i “Sosietek”.
Pjesëmarrësit do të diskutojnë edhe në tema për decentralizimin e fuqisë – e ardhmja e parave, mediumet dhe liria digjitale, më pas për ridefinim të strategjive për investime të drejtpërdrejta të huaja – harmonizim i potencialit ekonomik të vendit me investime të mençura, do të diskutohet edhe për arsimin e së ardhmes – formimi i liderëve, mendimtarëve dhe inovatorëve.
Një pjesë e samitit do t’i kushtohet edhe inteligjencës artificiale përmes panel-diskutimeve: “Inteligjenca artificiale, qëndruehsmëria dhe rriga jokonvencionale: Bisedë inspiruese me Dao Xhensen”, “Revolucioni i inteligjencës artificiale: Si teknologjia i riformëson industritë tradicionale”, “Epoka e re: Si inteligjenca artificiale e ridefinon botën tonë”.
Presidentja Gordana Siljanovska Davkova pritet të ketë fjalim në mbyllje të Samitit Maqedonia 2025.
Në kuadër të Samitit do të ndahen çmime për ekselencë akademike Fondacionit Atanas Bliznakof.