Kosova dhe Ukraina ndajnë më shumë sesa traumën e luftës. Ato janë të dyja demokraci të reja me aspirata për BE, agjenda të gjera reformash ekonomike dhe me shpirt të lartë tregtar. Unë jam i prirë që t’i përdor përvojat e mia në Qeverinë e Ukrainës dhe në sektorin privat, përfshirë drejtimin e programeve për efikasitetin e energjisë së BERZH-it atje, në punën tonë këtu, për të ndihmuar në transformimin ekonomik të Kosovës
Nga Sergiy Maslichenko
Gjashtë muaj më parë erdha në Prishtinë për të udhëhequr operacionet e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), investitori më i madh multilateral në Kosovë. Këta ishin muaj intensivë dhe emocionues në njohjen e vendit, njerëzve dhe ekonomisë, dhe tani është momenti i duhur për të ndarë përshtypjet e mia të para.
Do të filloj me një shënim personal. Unë jam ukrainas dhe kam ardhur këtu me familjen time direkt nga Ukraina. Ne u prekëm shumë nga simpatia dhe mbështetja e popullit kosovar. Të gjitha takimet e mia me biznese dhe zyrtarë qeveritarë fillojnë me shprehjen e solidaritetit me Ukrainën, e cila ndërkohë po vazhdon vetëmbrojtjen nga invazioni rus. Por ndjeva kënaqësi kur pashë që Kosova dhe Ukraina ndajnë më shumë sesa traumën e luftës. Ato janë të dyja demokraci të reja me aspirata për në BE, agjenda të gjera reformash ekonomike dhe me shpirt të lartë tregtar. Unë jam i prirë që të përdor përvojat e mia në Qeverinë e Ukrainës dhe në sektorin privat, përfshirë drejtimin e programeve për efikasitetin e energjisë së BERZH-it atje, në punën tonë këtu, për të ndihmuar në transformimin ekonomik të Kosovës.
VEND ME NJË POTENCIAL TË MADH
Derisa Kosova po integrohet gradualisht në tregun e përbashkët të BE-së, potenciali i saj për t’u zhvilluar si një ekonomi moderne, e gjelbër dhe digjitale po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Sipas mendimit tim, energjia e ripërtëritshme mund të bëhet sektori më tërheqës për investimet e huaja. Kosova ka burime të mëdha të energjisë diellore dhe të erës, dy burime të ripërtëritshme të energjisë, që po zhvillohen shpejt dhe në shkallë të gjerë në nivel global (vetëm në Shqipëri janë dhënë 800 MW kapacitet të energjisë së ripërtëritshme, në vitet e fundit, përfshirë nëpërmjet ankandeve konkurruese të mbështetura nga BERZH-i). Implementimi i energjisë së ripërtëritshme do të jetë më i lirë se mirëmbajtja e prodhimit të papërshtatshëm dhe të paqëndrueshëm të energjisë me bazë qymyrin, miqësor ndaj mjedisit, dhe do të krijojë vende të reja pune dhe shërbime. Përveç projekteve të mëdha, ajo mund të implementohet në mijëra instalime të vogla të decentralizuara si panele fotovoltaike (PV) në çati, për biznese dhe shtëpi. Ato do të përmirësojnë sigurinë dhe qëndrueshmërinë energjetike të Kosovës.
Turizmi është një tjetër mundësi e madhe. Kosova është shumë e bukur, me natyrë të virgjër dhe me trashëgimi arkeologjike interesante. Unë veçse kam vizituar shumë vende të cilat meritojnë të njihen më mirë jashtë vendit, duke përfshirë Brezovicën, Prizrenin, Grykën e Rugovës dhe Ujëvarën e Drinit të Bardhë. Regjimi i liberalizimit të vizave me BE-në, që hyn në fuqi vitin e ardhshëm, do ta lehtësojë udhëtimin. Me më shumë investime në infrastrukturën e transportit dhe turizmit, Kosova mund të bëhet një destinacion tërheqës.
Sektori i teknologjisë së informacionit (IT) i zhvilluar shpejt, është një tjetër avantazh konkurrues i Kosovës dhe një mundësi e madhe për popullatën e saj të re. Teknologjia e fuqishme e informacionit jo vetëm që është e mirë për të ardhurat dhe pagat, por mund ta ndihmojë vendin që të modernizohet dhe të digjitalizohet në shumë sektorë të tjerë, duke përfshirë turizmin dhe shërbimet e tjera, start-up-et, tregtinë elektronike etj., gjë që do të reduktojë edhe ikjen e “trurit” të vendit.
NJERËZ TË MËDHENJ DHE SIPËRMARRËS
Kuptova se njerëzit në Kosovë janë miqësorë dhe përkrahës, por edhe shumë sipërmarrës. Deri më tani kam vizituar mbi 20 kompani të vogla dhe të mesme dhe kam biseduar me shumë biznesmenë të tjerë. Dhe më duhet të them se nuk kam parë kurrë një shpirt sipërmarrës dhe përkushtim të tillë si në Kosovë. Që nga viti 2006, BERZH-i ka mbështetur mbi 1100 (!) kompani të vogla me shërbime këshilluese – ndoshta më shumë se në çdo vend tjetër me përmasa të ngjashme. Kjo veçse e dëshmon se sektori i biznesit këtu është i etur për të mësuar dhe zhvilluar shpejt. Unë besoj me ngulm se suksesi i zhvillimit ekonomik të Kosovës do të jetë i rrënjosur në iniciativën e sektorit privat dhe në shpirtin sipërmarrës të popullit të saj.
NEVOJA TË MËDHA PËR INVESTIME
Si një vend i ri dhe me zhvillim të shpejtë, Kosova ka nevoja të mëdha për investime në të gjithë sektorët, por sidomos në infrastrukturë, e cila përmirëson konkurrencën e vendit dhe mundëson integrimin e tij në zinxhirët e furnizimit evropian. Më kanë bërë përshtypje dy autostrada për në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, por nevojitet shumë më tepër për të përmirësuar lidhjet ndërmjet qyteteve (siç janë Peja, Gjakova, Mitrovica) me rrugë dhe hekurudha.
Qytetet do të kenë gjithashtu nevojë për investime në infrastrukturën vitale – transportin urban, shërbimet komunale si ngrohja qendrore, impiantet e trajtimit të ujit dhe ujërave të zeza, menaxhimi i bërllokut etj. Për përgatitjen dhe implementimin e këtyre projekteve duhen vite, kështu që puna duhet të fillojë që tani. Nëpërmjet programit të saj “Qytetet e Gjelbra”, BERZH-i ka mbështetur projektet e transportit urban dhe të ngrohjes diellore në Prishtinë, impiantet e trajtimit të ujërave të zeza në Gjilan dhe Mitrovicë, por ne mund të bëjmë shumë më tepër për vendin, jo vetëm në aspektin e investimeve, por edhe në ndihmën teknike të domosdoshme për përgatitjen e projektit. Mbështetja e donatorëve nga BE-ja, krahas financimit të BERZH-it, ndihmon që këto projekte të jenë të përballueshme për komunat. Ne gjithashtu mbështesim transportin më të gjelbër, si blerja e autobusëve elektrikë dhe marrja me qira e makinave elektrike.
Nevojiten investime të mëdha në sektorin e energjisë elektrike, i cili është i vjetër, joefikas, jashtëzakonisht ndotës dhe i paqëndrueshëm, duke shkaktuar probleme për bizneset për shkak të ndërprerjeve të energjisë dhe një barrë të madhe për ekonominë (në importimin e energjisë elektrike të shtrenjtë). Një nga prioritetet kryesore për vendin është zhvillimi i energjisë së ripërtëritshme të pastër dhe moderne dhe përmirësimi i kapacitetit të rrjetit elektrik për ta absorbuar atë. Ne kemi financuar projekte të burimeve të ripërtëritshme si parku i erës Bajgora me kapacitet 105 MW e parku i erës Kitka me kapacitet 32.4 MW, dhe kemi bashkëfinancuar ngrohjen diellore inovative në Prishtinë me KfW dhe BE-në. Por ky sektor ka nevojë për investime në një shkallë shumë më të madhe, për të cilat reforma rregullatore është vendimtare. Ankandi i shpallur së fundmi për një termocentral diellor 100 MW në Rahovec – ankandi i parë konkurrues në vend për burimet e ripërtëritshme – është hapi i parë i rëndësishëm në drejtimin e duhur.
Qeveria mund të bëjë më shumë për të tërhequr investime në sektorin privat dhe në infrastrukturën publike
Siç e thashë më herët, Ukraina dhe Kosova ndajnë disa ngjashmëri. Të dyja janë demokraci të reja me aspirata për në BE dhe të dyja synojnë modernizimin ekonomik. Bazuar në përvojën time ukrainase në qeveri dhe sektorin privat, e kuptoj rëndësinë e konsensusit politik, reformave ekonomike dhe investimeve të huaja për të ndihmuar Kosovën të zhvillohet. Por shpejtësia e këtyre reformave është një faktor vendimtar, për shkak të një cikli relativisht të shkurtër politik dhe nevojës që Qeveria t’u tregojë rezultate njerëzve.
Gjatë gjashtë muajve të mi në Kosovë, kam vërejtur se politika e brendshme dhe negociatat ndërkombëtare kanë qenë në krye të agjendës së Qeverisë, derisa reformat ekonomike duken më pak urgjente. Ndoshta Qeveria është e kujdesshme, sepse aktualisht po përballet me shumë sfida, por duhet të jetë më proaktive në nisjen e projekteve të reja të mëdha dhe në reformimin e kornizave ligjore dhe rregullatore, siç është bërë me ankandin e parë të energjisë së ripërtëritshme, së fundmi, për të tërhequr investitorë – kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Në të vërtetë, konsensusi politik për reformën e guximshme ekonomike mund të jetë i vështirë për t’u arritur në çdo vend, por kjo është ajo që e çon ekonominë përpara.
Përveç vendimmarrjes së ngadaltë, projektet e sektorit publik kufizohen nga kapaciteti i kufizuar zbatues i ministrive përkatëse, ndërmarrjeve shtetërore dhe ndërmarrjeve komunale, edhe kur financimi është i disponueshëm. BERZH-i, si dhe institucionet e tjera financiare ndërkombëtare (IFI) mund të mbështesin përgatitjen dhe zbatimin e projekteve krahas financimit afatgjatë. Nga përvoja jonë, projektet e sektorit publik të mbështetura nga BERZH-i në këtë mënyrë zakonisht implementohen më shpejt dhe më me sukses.
BERZH-i I GATSHËM TË RRISË BASHKËPUNIMIN ME QEVERINË DHE ME SEKTORIN PRIVAT
Në Kosovë, BERZH-i është huadhënësi më i madh në mesin e IFI-ve, si në sektorin privat ashtu edhe në infrastrukturën publike. Strategjia jonë për Kosovën kërkon zhvillimin e një sektori privat më konkurrues dhe gjithëpërfshirës, mbështetjen e transicionit të energjisë së gjelbër dhe forcimin e integrimit rajonal, lidhjes dhe investimeve të huaja.
Që nga viti 2012, ne kemi investuar mbi 600 milionë euro në mbi 100 projekte në vend, zakonisht me rreth 70 milionë euro në vit. Gjysma e projekteve të portofolios tonë janë në sektorin privat, duke përfshirë dy parqe të mëdha të erës, farmaceutikën, riciklimin, agrobizneset dhe mbi 200 ndërmarrje të vogla dhe të mesme, të financuara nga bankat tona tregtare partnere. Ne kemi gjithashtu një ekip të fortë këshillues në terren, i cili ka ofruar mbështetje për mbi 1100 ndërmarrje të vogla dhe të mesme, veçanërisht ato të udhëhequra nga gra dhe sipërmarrës të rinj. Gjysma tjetër e portofolios tonë është në sektorin publik, siç janë projektet energjetike (rrjeti energjetik i KOSTT-it), infrastruktura e transportit (si rrugët e hyrjes në Prizren, Gjilan dhe Ferizaj dhe ristrukturimi i vazhdueshëm i hekurudhës), infrastruktura komunale si autobusët, impiantet e trajtimit të ujërave të zeza në Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj, ngrohje diellore në Prishtinë dhe efikasiteti energjetik në ndërtesat publike në Prizren.
Këtë vit, pothuajse të gjitha projektet tona të reja do të jenë në sektorin privat. Tashmë kemi nënshkruar një projekt prej 20 milionë eurosh me “Interex”-in për ndërtimin e qendrës logjistike dhe hapjen e dyqaneve të reja. Brenda pak javësh ne planifikojmë të japim një kredi inovative ESG prej 6 milionë eurosh me “Ujë Rugove”, prodhuesin e ujit në shishe, për linjat e reja të prodhimit. Pjesa më e madhe e financimit këtë vit do t’u jepet kompanive të vogla dhe të mesme nëpërmjet bankave tona partnere vendëse, të cilat shpërndajnë linjat tona të kreditit Konkurrenca e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme dhe Gratë në Biznes.
Në përgjithësi, mandati i BERZH-it fokusohet në ndihmën për rritjen e sektorit privat. Në tregjet tona më të zhvilluara, si Evropa Qendrore, ne përpiqemi në mënyrë aktive që të reduktojmë kreditimin e sektorit publik dhe punojmë kryesisht me kompani private. Por në Kosovë ekonomia e përgjithshme ka ende realisht nevojë për infrastrukturën bazë, ajër më të pastër dhe ujë më të sigurt. Prandaj, shpresojmë që investimet tona në sektorin publik të rriten në të ardhmen. Këtë vit, planifikojmë të finalizojmë financimin për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza në Ferizaj me Qeverinë. Një serë projektesh të reja në transportin e në infrastrukturën komunale dhe sektorin e energjisë, janë iniciuar me Qeverinë, të cilat shpresojmë t’i nënshkruajmë vitin e ardhshëm. Në aspektin e politikave, ne po rifillojmë mbështetjen tonë për dialogun privat-publik ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit të biznesit, me qëllim të përmirësimit të klimës së investimeve. Për këtë, ne do të krijojmë një sekretariat të dedikuar me ekip të ekspertëve. Ne gjithashtu kemi ofruar ndihmën tonë për Qeverinë me ankande të reja të energjisë së ripërtëritshme dhe me forma të tjera të përdorimit të energjisë së ripërtëritshme.
Jam i bindur se Kosova ka një të ardhme evropiane. Ajo mund dhe duhet të përshpejtojë zhvillimin e saj duke u dhënë prioritet reformave ekonomike, duke ofruar mundësi për sektorin privat dhe duke ecur më shpejt me investimet në infrastrukturë. BERZH-i do të mbetet partner i Kosovës në këtë rrugë.
(Autori është drejtor i BERZH-it në Kosovë. Marrë nga Koha.net)