Nëse të dhemb barku, e ti trajton pa nevojë kokëdhembjen, s’ka si të jetë terapia e suksesshme, ku zhvillimi i ekonomisë, është e fundit si prioritet…
Nga Daut DAUTI
Nuk e dimë se çka po na ndodh, apo nuk dimë si t’ia gjejmë ilaçin. Komisarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos na e definoi. Ajo tha diçka që është në një kontekst tjetër, në atë evropian, kur tha se Maqedonia është një rrëfim pikëllues (apo dëshpërues, nëse doni finesë) në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
“Nëse Ukraina pret aq sa Maqedonia e Veriut pret për fillimin e negociatave me BE-në, atëherë Ukraina do t’i fillonte negociatat në vitin 2045. Kjo është një histori e pikëllueshme në Ballkan, së bashku me Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën”, ishte deklarata e saj dhe siç shihet nga konteksti, këtë ia adreson BE-së, burokracisë së fjetur dhe kurnace, e cila, në vend se t’i përkrahë vendet pretendente, ua vështirëson në një qind mënyra rrugën e eurointegrimeve.
Por, nuk e dimë nëse është fajtore vetëm BE-ja, sepse në këtë mesele, fati “i mjerë” i këtyre tri vendeve, nuk është pa kontributin e tyre edhe rrugëtimin e tyre si shtet. Nëse për Bosnjën e Hercegovinën dhe Kosovën edhe mund të ketë faktorë të jashtëm determinues (për Bosnjën që nxit aspiratat serbomadhe, plani i padrejtë dhe dështak i bashkësisë ndërkombëtare, për Kosovën rrethanat tjera të ngjashme), te Maqedonia është diçka tjetër. Serbët dhe kroatët kanë një shprehje “gjeografike”, që i shkon shumë: “sa më në jug, më i madh mjerimi” (Što južnije, to toužnije). Kjo mbase s’ka lidhje me pozicionin gjeografik sa me “konfiguracionin” e mendjes së atyre që i kanë përgjegjësitë për të udhëhequr një vend. Dhe kjo rezulton si për aspektet që flet Marta Kos, si për ato që janë edhe më të qenësishme, çështjet e brendshme. Lidhur me këtë temë, te Maqedonia flasin edhe numrat që në mënyrë ilustrative e përshkruajnë ngecjen. Ja, pikërisht këtyre ditëve Maqedonia është renditur e fundit nga shtetet ballkanike në projeksionet për zhvillimin ekonomik!
Kjo nuk mund t’i adresohet kësaj qeverie, do të ishim të padrejtë që ashtu ta trajtojmë. Fajin për këtë e kanë të gjitha garniturat e pushtetit për këto tri dekada e gjysmë, kush më pak e kush më shumë. Përshembull, shkon në Kosovë dhe sheh nga cepi në cep një rrjet rrugësh që janë ndërtuar për pak vite. Kurse Maqedonia ka copa-copa linja autostradash, edhe atë shumica të mbetura nga koha e socializmit! Një rrugë e nis një qeveri (psh. kjo autostrada e famshme Kërçovë-Ohër) dhe ndërrohen edhe disa qeveri dhe s’arrijnë dot ta bëjnë. Për këtë rrugën e famshme Shkup-Bllacë, kushedi edhe sa vjet duhet të presim, e nuk ka më shumë se 20 kilometra. Me dinamikën e atyre dy kilometrave, duhet edhe nja 15 vjet të ndërtohet. E nis njëra qeveri, vjen tjetra zbulon ndonjë dubiozë (u tha se këto dy kilometrat s’paskan ku dhe si të lidhen tutje!) dhe vazhdon zvarritjen. Për atë të Kërçovës për Ohër, përveç atyre 5 përqindëshat “mos janë shumë, Mile?!” të Gruevski t(nga “bombat e Zaevit), pritëm që qeveria pas tij do t’ia dalë. Por kësaj i rrëshqiste dheu(ndoshta dhe problem objektiv… dhe u bënë dy mandate pa e përfunduar…!
Krahasimi disi u imponua, pasi kur shkon në Kosovë nuk ke problem me amortizimin, sepse asfalti është i ri, ama kur kthehesh në Shkup, ndoshta duhet të shkosh drejt e në mjeshtër, sepse këto 5-6 kilometra të hyrjes për kryeqytet, janë rum-dum, rum-dum nëpër rrugën gunga gunga dhe mund t’i lirojnë krejt “shftrafat” e makinës!
Sa më në jug, mjerimi më i madh… thonë fqinjët, apo jo.
Nëse shikon rrjetet sociale ose dhe mediat, sikur ka rënë një zymtësi te ne. Kam ca miq, të cilët nuk se shquhen se janë ithtarë ose kundërshtar të ndonjë pushteti konkret, por dëshpërimin nuk mund të mos e ndajnë me të tjerët dhe këtë ia adresojnë shkurtpamësisë dhe paaftësisë së pushteteve. “Sa më larg këtij vendi ku nuk ka jetë! Sa më larg këtij vendi të paperspektivë!”.
Vallë, ka ndonjë gjen destruktiviteti? Ose, të jemi ironikë, ndoshta ndonjë dënim prej perëndie?!
Nga këndvështrimi profesional, kaherë kam ndërtuar një tezë që e kam thënë dhe ka nevojë ta përsëris. Ka një indoktrinim që është mbjellë që në fillim të pluralizmit, një mendësi destruktive ku elementi shqiptar është “targetuar” se i rrezikshëm për Maqedoninë dhe nuk ka zgjedhje ku të mos jetë e pranishme kjo temë. Dhjetë vjetët e para u humb energjia shoqërore si të mos u lejohet shqiptarëve që të kenë universitet!!! Dhjetë vjet pothuajse asnjë kërkesë e shqiptarëve nuk u avancua. Një rregullore e parlamentit kushedi në çfarë sirtarësh do të ketë zënë pluhur, për shkak se nuk kishte disponim te partitë maqedonase të lejohet deputetët të flasin shqip! Etj., etj.
Përse këto çështje kanë lidhje me ngecjen ekonomike? E para, sepse nëse fiton në zgjedhje për të luftuar rrezikun prej dikujt, një pjesë të mirë të mandatit do ta kalosh duke humbur energjinë me të. E dyta, duke u marrë me çështje të tilla, ke pak kohë të merresh me çështjet e zhvillimit dhe standardit. E treta, paaftësia për t’u marrë me këto çështje jetike, doemos duhet të mbulohet me tema “të interesit nacional”, siç ishin ato çështje që i përmenda.
Se si funksionon kjo, dëshmon edhe kjo qeveri, për punën e së cilës më duket se deputeti Elmi Aziri ma ka marrë fjalën kur komentoi këtë rangimin e fundit për ngecjen e Maqedonisë kundrejt vendeve tjera ballkanike: “Maqedonia e Veriut ka ngatërruar prioritet”! Kur shteti i ngatërron prioritetet pësojnë qytetarët! Vendi ynë i fundit në rajon…!”
Si të mos pajtohesh me këtë qëndrim për përzierje prioritetesh, sepse është tipike për qeverinë në të cilën njëra parti maqedonase ka shenjëstruar gjuhën shqipe dhe përfaqësimin e drejtë, ndërkaq partia tjetër maqedonase, edhe “shumicën e Badenterit”. Të trija këto çështje këto që janë shtyllë e marrëveshjes politike të vitit 2001 për përmbylljen e konfliktit. Pra, përzierja e prioriteteve, humbja e energjisë prapë për këto çështje, pra, me kthim prapa te çështjet e mbyllura dhe për të hapur debate të kota politike me të cilat do të merren partitë, mediumet, institucionet tjera, do të kalojnë muaj, ndoshta edhe ndonjë vit mandati, do të krijohet ndonjë krizë politike e kësaj natyre dhe do ta mbulojnë paaftësinë për t’u marrë me çështjet. Dhe na kthejnë prapa në kohë dhe situata.
Ndërkohë, autobusët dhe aeroplanët të stërmbushur udhëtojnë përtej kufirit, duke bartur njerëzit me shpresa të thyera që nuk shohin më perspektivë, janë të lodhur duke pritur se jeta e tyre do të bëhet me e mirë dhe të stërngarkuar psikologjikisht që përsëri të dëgjojnë politikanët të flasin se si barazia na qenka pengesë për funksionimin e shtetit! (Mos është e kundërta?!)
Nëse të dhemb barku, e ti trajton pa nevojë kokëdhembjen, s’ka si të jetë terapia e suksesshme, sepse ke vënë diagnozë dhe ilaçe të gabuara, ku zhvillimi i ekonomisë, është e fundit si prioritet…
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)