Shkup, 6 nëntor – Muhamed Zekiri, Gjylimsere Kasapi, Selma Jashari, Agim Murtezani dhe Tahir Zenuni janë pesë shqiptarët që do të garojnë për deputetë në listat e LSDM-së në zgjedhjet e 11 dhjetorit, transmeton gazeta KOHA. Në Njësinë e parë zgjedhore, në listën e LSDM-së nuk ka shqiptarë, njëjtë sikurse nuk ka shqiptarë edhe në Njësinë e katërt, derisa Muhamed Zekiri është renditur i treti në listën e Njësisë së dytë zgjedhore, ndërsa paraprinë ministri aktual i Punëve të Brendshme, Oliver Spasosvki. Në Njësinë e pestë zgjedhore haset emri i Selma Jasharit, megjithëse nga fundi i listës, ndërkaq Gjylimsere Kasapi është e dyta në listën e Njësisë së gjashtë zgjedhore, menjëherë pas deputetit aktual, Petre Shilegov. Agim Murtezani është i teti me radhë në listën e Njësisë së tretë zgjedhore, derisa bartës liste është zëvendësministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski. Edmond Ademi, anëtar i Kryesisë Qendrore të LSDM-së nuk është në asnjërën nga gjashtë listat për deputetë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.