E martë, 3 Dhjetor, 2024
8.8 C
Skopje

Picula: Serbia të jap përgjegjësi për Banjskën – të mos e pengojë Kosovën t’i bashkohet organizatave ndërkombëtare

Raportuesi i ri për Serbinë në Parlamentin Evropian, Tonino Picula, ka thënë se Beogradi duhet të jap përgjegjësi për sulmin terrorist që ndodhi gjatë vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Serbia duhet të iniciojë dhe të përfundojë procesin e përcaktimit të përgjegjësisë të atyre që ishin të përfshirëve në ngjarjet e Banjskës dhe të punojë për qetësimin e përhershëm të situatës në veri të Kosovës”, tha ai gjatë një interviste për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”.

I pyetur nëse Serbia mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian nëse de jure nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Picula theksoi se dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duhet të përmbyllet me marrëveshje.

“Sa i përket marrëdhënieve me Kosovën, dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është nën patronazhin e BE-së, pjesë e së cilës duan të jenë Serbia dhe Kosova. Ai proces duhet të përmbyllet me një marrëveshje që ndër të tjera do të mundësojë dhe jo të bllokojë anëtarësimin në BE për të dyja vendet”, shtoi.

Po ashtu, diplomati kroati ka folur edhe për gjasat që Kosova të behet anëtare e Organizatës së Kumbeve të Bashkuara.

“Mendoj se bëhet fjalë kryesisht për procese plotësuese dhe paralele, përfundimi i të cilave varet nga shumë faktorë. Sipas marrëveshjeve në kuadër të dialogut, kërkohet që Serbia të mos pengojë pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.

Picula ka theksuar se pengesat më të mëdha në rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian (BE) janë stagnimi në reformat në fushën e sundimit të ligjit, në atë zgjedhor si dhe në lirinë e mediave.

I pyetur nëse BE-ja beson se Serbia ka një qeveri jodemokratike dhe autoritare, siç pretendojnë opozita serbe dhe shumë deputetë evropianë, Picula shtoi se qeveria në Serbi shpesh demonstron tendenca autoritare dhe antievropiane.

“Qeveria në Serbi shpesh demonstron tendenca autoritare dhe antievropiane dhe këtë e kemi bërë të qartë në një sërë raportesh dhe rezolutash në PE”.

Gjatë muajit të kaluar, Picula, deputet nga Aleanca Progresive e Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian është zgjedhur raportues i ri i PE-së për Serbinë.

Picula, i cili ka përfaqësuar Partinë Socialdemokrate të Kroacisë në PE që nga viti 2013, do të pasojë në këtë post sllovakun Vladimir Bilçik-un, i cili nuk ka kandiduar për një mandat të dytë.

Ndryshe, Picula ka qenë Ministër i Punëve të Jashtme të Kroacisë në qeverinë e kryeministrit Ivica Raçan nga viti 2000 deri në 2003.

Ai u bë deputet i Parlamentit Evropian në zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit 2013 të cilat u mbajtën me rastin e hyrjes së Kroacisë në Bashkimin Evropian.

Në qershor të këtij viti, ai u zgjodh deputet i PE-së për herë të katërt, ndërsa që nga fillimi i mandatit të tij parlamentar është anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET).

Gjatë mbledhjeve të mëparshme të Parlamentit Evropian, Picula ishte një nga deputetët më aktiv kur bëhet fjalë për zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.

Paraprakisht, Picula ishte raportues i PE-së për Malin e Zi.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm