E shtunë, 17 Maj, 2025
16.3 C
Skopje

Pilotët kundër njëri-tjetrit, te Ferrari ka pakënaqësi

Situata te Ferrari nuk është aspak e mirë, sidomos pas garës së djeshme në Miami, me Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton që përfunduan në vendin e shtatë dhe të tetë. Por nuk mjafton vetëm pista për të konfirmuar krizën e “kokëkuqes”, pasi edhe mes pilotëve e skuadrës ka përplasje, siç u pa qartë gjatë garës.

Dy pilotët, tërthorazi kanë shkëmbyer kritika mes tyre gjatë garës në komunikimin në radio, duke përfshirë edhe drejtuesit e ekipit. Gjithçka nisi në xhiron e 38-të kur Hamilton (i teti) beson se mund ta kalojë Antonelli (i gjashti) dhe i kërkon me këmbëngulje ekipit të parakalojë Leclerc (i shtati).

A duhet të qëndroj këtu (i teti) gjatë gjithë garës?“, komentoi britaniku, që më pas shtoi: “Do të them vetëm një gjë: kjo nuk është lojë e mirë ekipore“. Komentet e Hamilton ishin gjithnjë thumbuese. “Në Kinë, kur më kërkuat të hiqja dorë nga pozicioni im, e bëra. Hajdeni, djema. Pini një filxhan çaj ndërsa mendoni për këtë”.

Shefi Vasseur jep dritën jeshile për të ndërruar pozicionet, por Hamilton nuk arrin t’i afrohet Antonellit, kështu që tani i takon Leclerc të protestojë: “Tani ai duhet të shkojë më shpejt (duke iu referuar Hamilton). Tani po më vjen keq, nuk e dija që Sainz (i nënti) ishte kaq afër”.

7 xhiro më vonë vjen urdhri që Hamilton të lerë Leclerc ta parakalojë. Britaniku nuk e pranon me qetësi dhe përfundon me ironi: “A doni që ta lë të kalojë edhe Sainz?” Pas garës, të dy pilotët u përpoqën të qetësonin situatën, por ia dolën vetëm pjesërisht

Jam i frustruar, por nuk dua të them shumë“, tha Leclerc pas garës, qartë i nervozuar. Ndërsa Lewis Hamilton komentoi: “Nuk më është e qartë se çfarë donin të bënin, ishin shumë të ngadaltë“. Gjithsesi, një gjë është e qartë se te Ferrari ka nevojë për qetësi brenda ekipit.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm