E martë, 25 Mars, 2025
13.8 C
Skopje

Platformë për fuqizimin e të rinjve

Në kuadër të këtij projekti janë mbajtur mbi 1600 aktivitete për fuqizimin e të rinjve si: punëtori, seminare, debate, por edhe realizimi i projekteve të vogla infrastrukturore, të cilat janë bashkë-financuar nga projekti por edhe nga nëntë pushtetet vendore

 

Besa IBRAIMI

Shkup, 3 prill – Platforma e parë rinore në rajonin e Pellagonisë ka për qëllim adresimin e sfidave me të cilat përballen të rinjtë, fuqizimin e tyre si dhe synon avancimin e bashkëpunimit ndërmjet sektorit civil dhe atij publik. E njëjta është duke u formuar në kuadër të projektit “Forcimi i popullit të Pellagonisë” i implementuar nga organizata joqeveritare nga Manastiri “Pro Lokal” dhe me mbështetje financiare nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shkup.

Kjo platformë sipas kryetares së “Pro Lokal” Emijila Gjeroska, është një epokë e re për fuqizimin e të rinjve në rajonin e Pellagonisë. Sipas saj, është nënshkruar memorandum për angazhim kolektiv me nëntë komuna të rajonit të Pellagonisë i cili synon përdorimin e burimeve njerëzore dhe financiare për transformim pozitiv të kushteve për jetesës e të rinjve në rajon.

“100 të rinj tashmë kanë pasuruar njohuritë dhe aftësitë e tyre, të gjitha në kërkim të përmirësimit të komunitetit të tyre. Krijimi i kësaj platforme shënon një hap të guximshëm përpara, duke mëshiruar vendosmërinë tonë të përbashkët për të inkurajuar ndryshime pozitive për të rinjtë e rajonit tonë”, tha Gjeroska.

Ndërsa, zëvendësambasadori i Mbretërisë së Holandës, Robert Dekker, theksoi se me qëndrimin e tyre proaktiv ndaj sfidave sociale, të rinjtë e rajonit të Pellagonisë frymëzojnë bashkëmoshatarët e tyre nga mbarë vendi, derisa shtoi se platforma si mekanizëm kritik është për suksesin e vazhdueshëm të bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve vendore dhe sektorit civil.

Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Manastirit, Toni Konjanovski, tha se platforma do të funksionojë mbi parimin e barazisë dhe do të marrë vendime me të drejtë vote të barabartë mes politikanëve dhe aktivistëve civil.

“Dyert e komunës janë gjithmonë të hapura për të rinjtë, për idetë dhe propozimet e tyre të freskëta që synojnë përmirësimin social. Është shumë e rëndësishme që të rinjtë në rajonin e Pellagonisë, përmes organizatave të tyre të shoqërisë civile, por edhe personalisht të na afrohen në këtë shoqatë, për të punuar së bashku, për të hartuar sfidat me të cilat përballen”, theksoi Konjanovski duke premtuar se do të bëjë një angazhim të fortë që të mos ketë ngecje të kreativitetit. “Pikërisht ky është kuptimi i kësaj platforme”, tha ai gjatë nënshkrimit të memorandumit për themelimin e Platformës së parë Rajonale për Rininë, në të cilën janë anëtarësuar 18 subjekte, gjegjësisht 9 komuna dhe po aq organizata joqeveritare.

Në kuadër të këtij projekti janë mbajtur mbi 1600 aktivitete për fuqizimin e të rinjve si: punëtori, seminare, debate, por edhe realizimi i projekteve të vogla infrastrukturore, të cilat janë bashkë-financuar nga projekti por edhe nga nëntë pushtetet vendore. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm