Gazetari dhe politologu serb, Cvijetin Milivojeviç, beson se mënyra më e mirë për zgjidhjen e ngërçit në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë është organizimi i një konference ndërkombëtare nga e cila do të buronte një marrëveshje diçka si ajo e Dejtonit për Bosnje e Hercegovinën.
Sipas tij sa më shumë që qeveria aktuale në Serbi mburret se është kundër konfliktit të ngrirë në Kosovë, aq më e theksuar bëhet gjendja e ngurtësisë në proces, ani pse kjo është më mirë se zgjidhja që nënkupton se Serbia do të “humbasë 15 për qind të territorit të saj”.
“Qipro ka një konflikt të ngrirë që nga viti 1974 dhe se sot vendi është anëtar i Bashkimit Evropian, megjithëse nuk kontrollon 39 për qind të territorit të tij”, thotë Milivojeviç, transmeton mediumi serb, N1.
Duke komentuar Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, Milivojeviç thekson se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është një ide e mirë, “nëse mendohet në atë mënyrë që Kosova të ketë autonomi sa më të gjerë brenda Serbisë”.
“Nëse Asociacioni është një gjë ngushëlluese për serbët që nesër të pranojnë se Kosova është de facto e pavarur, atëherë një bashkim i tillë nuk është i nevojshëm”, pretendon ai.
I pyetur për mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Milivojeviç, potencon se kjo çështje nuk varet nga Serbia, meqë një gjë të tillë nuk do ta lejonin të paktën dy anëtarë të Këshillit të Sigurimit, në këtë rast Rusia dhe Kina.
Anëtarësimi i Kosovës në OKB, sipas tij, është një çështje që nuk varet nga Serbia, “për fatin tonë”, sepse janë të paktën dy anëtarë të Këshillit të Sigurimit që nuk do ta lejojnë.
“Kjo dhe asnjë qeveri tjetër nuk do të përdorë një zgjidhje të tillë vetëvrasëse”, ka shtuar ai. (AP)