E shtunë, 25 Janar, 2025
2.8 C
Skopje

POPSTARËT E LODHUR: Kur fama kërkon pauzë

Nga ikonat si Adele dhe Rihanna deri te artistët e rinj si Angelina Mango, gjithnjë e më shumë yje të muzikës po i thonë “stop” koncerteve dhe albumeve. Arsyeja? Një lodhje psiko-fizike që po bëhet gjithnjë e më e zakonshme në botën e spektaklit

Nga ikonat si Adele dhe Rihanna deri te artistët e rinj si Angelina Mango, gjithnjë e më shumë yje të muzikës po i thonë “stop” koncerteve dhe albumeve. Arsyeja? Një lodhje psiko-fizike që po bëhet gjithnjë e më e zakonshme në botën e spektaklit.

ADELE: “E KAM SERBATORIN TË ZBRAZUR”

Adele, një nga këngëtaret më të dashura të botës (me mbi 170 milionë disqe të shitura), e ka pranuar hapur: “Nuk këndoj më as në shtëpi kur jam vetëm, dhe kjo është shumë e çuditshme.” Kjo deklaratë shënon pranimin e një burnout-i – një stresi të pakontrollueshëm. Pas disa viteve koncertesh në Las Vegas, ajo ka vendosur të marrë një pauzë të pakufizuar nga muzika. Ky është çmimi i famës. As stadiumet e mbushura e as disqet e platinit nuk mund të shërojnë ndikimin që fama ka mbi shëndetin mendor. Historia tragjike e Elvis Presley, mbretit të rock and roll-it, e tregon më së miri. Ai luftoi me fobi dhe varësi nga ilaçet deri në fundin e jetës, duke u shuar në moshën 42-vjeçare.

RIHANNA: TË ZGJEDHËSH FAMILJEN MBI FAMËN

Ndryshe nga Elvis, Rihanna ka zgjedhur të fokusohet tek roli i saj si nënë, duke e lënë muzikën në pritje. Ajo është një shembull se si një yll mund të ndalojë pa pasoja, duke vënë prioritetet personale mbi kërkesat e industrisë.

THOM YORKE DHE PETER GABRIEL: PAUZA PA PRESION

Lideri i grupit Radiohead, Thom Yorke, ka preferuar të ndjekë projekte alternative si The Smile, duke i lënë Radiohead-in në pauzë që nga viti 2016. Për të, pritshmëritë e të tjerëve nuk kanë rëndësi: “Nuk më intereson çfarë mendojnë të tjerët. Bëj atë që dua.” Po ashtu, Peter Gabriel, pas 21 vitesh heshtje, u rikthye me një album dhe një tur energjik, duke treguar se pushimi mund të jetë çelësi për të rifituar gëzimin krijues.

EDHE TË RINJTË NDALEN

Fenomeni nuk është i kufizuar te artistët me përvojë. Sangiovanni, vetëm 21 vjeç, pas Sanremos, deklaroi se nuk kishte më energjinë për të vazhduar: “Besoj te muzika ime, por nuk kam forcat për ta çuar përpara.” Angelina Mango, pas disa anulimeve për shkak të problemeve me zërin, u shpreh: “Dua të kujdesem për veten duke vënë shëndetin tim në plan të parë.”

PRESIONI I SHEKULLIT TË RI

Në epokën e rrjeteve sociale, të qenit popstar ka sfida të reja. Britney Spears u bë simbol i presionit nervor kur në 2007 u qeth zero dhe sulmoi makinën e një paparaci. Sot, artistët ndihen të detyruar të shndërrojnë çdo moment të jetës së tyre në përmbajtje për rrjetet sociale, duke u përballur me pritshmëri të vazhdueshme nga fansat. Kjo trysni ka çuar yje si Ariana Grande, Selena Gomez dhe Justin Bieber të shpallin publikisht nevojën për pauza. Deklaratat e tyre shpesh përforcojnë lidhjen me fansat, duke e bërë pranimin e dobësisë një akt që i humanizon dhe i bën më të dashur.

NJË NOSTALGJI PËR THJESHTËSINË

Në kontrast, kujtojmë David Bowie-n, i cili në vitin 1973 u zhduk nga sytë e botës për një udhëtim sekret me Trans-Siberian Express. Pa Instagram, pa njoftime, ai shijoi një realitet të ndryshëm, duke u bërë një njeri mes njerëzve të zakonshëm. Pauzat nuk janë shenjë dobësie, por një strategji për të mbijetuar në një industri që kërkon gjithçka.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm