LSDM thotë se ka plan të qartë për një Maqedoni evropiane dhe për prosperitet ekonomik të vendit. Përderisa VMRO-DPMNE përmes Platformës 1198 obligohet për tranformim ekonomik të Maqedonisë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 26 mars – LSDM thotë se ka plan të qartë për një Maqedoni evropiane dhe për prosperitet ekonomik të vendit, përderisa VMRO-DPMNE përmes Platformës 1198 obligohet për tranformim ekonomik të Maqedonisë dhe hapjen e 55 mijë vendeve të reja të punës.
Në mandatin e ri të LSDM-së dhe koalicionit, paga mesatare do të jetë 1100 euro, ndërsa paga minimale mbi 600 euro, përderisa në vitin 2028 pensioni mesatar do të jetë – 30.000 denarë.
“Socialdemokratët janë zotuar për ekonomi të fuqishme vendore, infrastrukturë moderne evropiane arsim evropian, por edhe më shumë fonde evropiane për ekonominë e Maqedonisë. Për një rritje edhe më të madhe të pagave dhe pensioneve është kyç procesi i anëtarësimit të plotë në BE”, thekson kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski. Njëherësh do të vazhdojë edhe rritja e pensioneve dhe uljes së papunësisë, si dhe do të rriten subvencionet në bujqësi dhe prodhimtarinë bujqësore.
“Qeveria e re e LSDM-së do të sigurojë 200 euro në muaj në 12 muajt e parë për çdo punësim të parë të personave deri në 26 vjeç. LSDM-ja dhe koalicioni punuan shumë në të gjitha segmentet, falë kësaj ne kemi rritur pagat dhe kemi ulur papunësinë nga 25 në 12.8 për qind. Qytetarët e dinë që këto rroga mund t’i kenë me ne, sepse kur kemi premtuar se do të ketë rrogë mesatare prej 500 euro, askush nuk e ka besuar. Tani kemi një pagë mesatare prej 650 eurosh në vend. Kur thamë se do ta rrisim pagën minimale prej 8000 denarë, e kemi rritur disa herë pagën minimale në vend”, tha Kovaçevski.
Duke iu referuar asaj që është arritur në periudhën paraprake, kryetari i LSDM-së thekson se Qeveria e ka përballuar me sukses krizën më të madhe botërore dhe ekonomike. Këtë e vërteton edhe analiza e Institutit të njohur ekonomik të Vjenës, sipas të cilit Maqedonia është i vetmi vend në Evropën Lindore, i cili në kohë krize ka arritur të rrisë standardin e jetesës së qytetarëve të saj.
LSDM premton se në vitin 2028, pensioni minimal do të jetë 20.000 denarë, kurse pensioni mesatar do të jetë 500 euro. Gjithashtu, për çdo pensionist në vend është paraparë edhe një paketë për vitin e ri prej 100 eurosh. Përderisa VMRO premton 5000 denarë pensione më të larta që në vitin e parë të qeverisjes.
Kreu i LSDM-së Kovaçevski , thotë se në fillim e kemi rritur ekonominë në mbi 3 për qind, por duhet të pranojmë se në vend ka pasur krizë korona, ashtu si në të gjithë botën. Pastaj filloi kriza energjetike dhe lufta në Ukrainë. Nëse shikoni ritmet e rritjes në BE, erdhën të gjitha, ekonomia gjermane hyri në recesion, ku jemi të lidhur me 50 për qind. Edhe ekonomitë e tjera kanë ritme rritjeje që janë nën 1 për qind.
Nga ana tjetër, asnjëherë nuk ka qenë më keq, thekson VMRO-DPMNE opozitare. Ata kritikojnë se jetesa në Maqedoni ishte shumë e keqe dhe se nevojitet një strategji ekonomike.
“Me Platformën 1198 angazhohemi për transformimin ekonomik të Maqedonisë, inflacion të ulët 2.5 për qind , papunësi të ulët 7.5 për qind, rritje ekonomike deri në 5 për qind në vit dhe investime kapitale prej 3 miliardë euro në një mandat dhe 250 milionë euro vetëm për zhvillimin rajonal të komunave. Kjo do të zbatohet duke mbajtur taksa të ulëta dhe përfitime tatimore për kompanitë dhe qytetarët, duke mbështetur bujqësinë, eksportet, ndërmarrjet e vogla mikro dhe të mesme, objektet e prodhimit dhe kompanitë fillestare. Ne do të miratojmë një strategji 10-vjeçare për tërheqjen e investimeve të huaja direkte”, thekson nënkryetarja e VMRO, Gordana Dimitrieska Koçoska.
Modeli ynë i rritjes bazohet në inkurajimin e investimeve të brendshme të sektorit privat dhe investimeve të forta publike në qëllime prodhuese, në infrastrukturën e transportit dhe energjisë, në arsim, shëndetësi dhe një mjedis më të mirë jetese, shton Dimitrieska Koçoska.
Sipas saj, një vend nuk mund të arrijë një rritje ekonomike të lartë dhe të qëndrueshme nëse nuk punon mbi tre faktorët bazë të prodhimit: fuqinë punëtore, kapitalin, apo investimet dhe zhvillimin teknologjik dhe inovacionet, si dhe rritjen e produktivitetit të tyre. Nga VMRO premtojnë edhe një mjedis të parashikueshëm tatimor dhe rregullator, me norma të ulëta tatimore dhe ulje të tarifave parafiskale për kompanitë, si dhe gijotinë rregullatore me sektor publik apo shërbimet publike të dixhitalizuara dhe profesionalizimi i administratës publike. Lidhur me ekonominë gri, zgjidhja shihet tek një luftë e fortë dhe e përkushtuar përmes taksave, politikës së punës, Doganave, Drejtorisë së të Ardhurave Publike dhe rritjes së ndërgjegjësimit kolektiv. Synohet edhe siguria energjetike përmes rritjes së prodhimit vendas të rrymës. (koha.mk)