E shtunë, 8 Shkurt, 2025
-3.2 C
Skopje

Prapaskena e bujshme, Napoli tentoi ta vononte kalimin e Kolo Muani te Juventusi

Sipas një artikulli të publikuar nga “La Repubblica”, Napoli dhe Juventusi jo vetëm që përballen në fushë, por kanë zhvilluar edhe një betejë të heshtur në merkato. Një prapaskenë interesante lidhet me transferimin e Randal Kolo Muani nga PSG te Juventusi, teksa klubi napolitan duket se ka luajtur një rol indirekt për ta vonuar këtë marrëveshje.

Gazeta italiane raporton se Napoli, duke shfrytëzuar marrëdhëniet e mira me PSG-në (sidomos pas transferimit të Khvicha Kvaratskhelia), i kishte kërkuar klubit parizien të mos lejonte kalimin e sulmuesit francez te Juventusi deri pas ndeshjes që do të zhvillohet nesër në stadiumin “Diego Armando Maradona”. Napoli nuk dëshironte të përballej me Kolo Muani si kundërshtar në një ndeshje kaq të rëndësishme për kampionatin.

Megjithatë, transferimi u finalizua dhe Kolo Muani do të jetë në dispozicion për ta sfiduar Napolin. Sipas “La Repubblica”, Juventusi ia ka dalë ta zhbllokojë situatën falë ndërhyrjes së Thiago Motta, ish-lojtar dhe trajner i të rinjve te PSG.

Marrëdhëniet e tij të mira me presidentin e PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, bënë të mundur një kontakt të drejtpërdrejtë mes Al-Khelaifit dhe drejtorit të përgjithshëm të Juventusit, Maurizio Scanavino, duke e çuar marrëveshjen drejt përfundimit.

Nga ana tjetër, Napoli nuk e ka pritur mirë këtë zhvillim dhe ka shfaqur zhgënjim edhe për një tjetër çështje. Gazeta thekson se Napoli e shihte me dyshim sjelljen e Juventusit lidhur me Danilo, i cili ishte jashtë planeve të klubit bardhezi që prej janarit.

Juventusi i kishte ofruar lojtarit brazilian largimin falas nëse nuk zgjidhte Napolin si destinacion. Në fund, Danilo refuzoi Napolin dhe zgjodhi të kthehej në Brazil te Flamengo. Kjo situatë vetëm sa thekson tensionin midis dy klubeve, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj, duke shtuar edhe më shumë emocione në përballjen e nesërme.

 

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm