E mërkurë, 19 Mars, 2025
-3.2 C
Skopje

Prindërit dhe mësuesit faktorë kyç për sigurinë e të rinjve në internet

Rrjetet sociale janë pjesë e përditshmërisë së të rinjve, por përdorimi jo i duhur i tyre mund të shkaktojë pasoja të rënda. Kjo çrregullon veçanërisht procesin mësimor, i cili në mungesë të masave të duhura mund të ketë ndikim shkatërrues në procesin arsimor. Prindërit dhe mësuesit, me mbështetjen e institucioneve, luajnë rol kyç në edukimin dhe mbrojtjen e të rinjve. Në këtë drejtim, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Transformimit Digjital kanë hartuar udhëzime për përdorimin e rrjeteve sociale, të cilat synojnë të ndihmojnë mësuesit dhe prindërit në orientimin e fëmijëve drejt përdorimit korrekt dhe të sigurt të internetit dhe rrjeteve sociale, me theks në qëllimet edukative dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Mirjana Jovenovska Stojanovska, psikoterapeute, thekson se përdorimi jo i duhur i rrjeteve sociale mund të shkaktojë pasoja të mëdha. Sipas saj, dëmi reflektohet në aftësitë kognitive, sjelljen, socializimin, rregullimin emocional, komunikimin dhe kontaktin me realitetin jashtë realitetit virtual.

“Shëndeti fizik dëmtohet për shkak të palëvizshmërisë, pozicionimit të gabuar të shtyllës kurrizore dhe qafës dhe shfaqen lakime që vështirë korrigjohen. Mungesa e lëvizjes zvogëlon masën muskulore dhe ndikon në qarkullimin e gjakut, limfën dhe funksionimin e të gjitha organeve të brendshme. Ajo i shkakton dëm të veçantë shëndetit mendor gjatë periudhës së rritjes dhe zhvillimit intensiv personal, duke e penguar një person të zhvillojë tipare që ndërtohen vetëm në kontakt të drejtpërdrejtë me realitetin”, thotë ajo.v

Nga Ministria e Transformimit Digjital thonë se në udhëzim ekzistojnë drejtime të përgjithshme për përdorimin e platformave digjitale dhe këshilla për prindërit për mjete me të cilat mund të kontrollojnë kohën të cilën fëmijët e tyre e kalojnë para ekranit.

Qëllimet kryesore përfshijnë mbrojtje të të dhënave personale të nxënësve, parandalimin e abuzimit kibernetik dhe nxitjen e përdorimit të rrjeteve sociale për qëllime edukative.

“Prindërit do të fokusohen në përdorimin e mjeteve të kontrollit prindëror si Google Family Link dhe Apple Screen Time, vendosjen e kufijve të kohës para ekranit, bllokimin e përmbajtjeve të papërshtatshme, monitorimin e aktiviteteve të fëmijëve në internet dhe inkurajimin e komunikimit të hapur me ta”, thonë nga MTD.

Një nga mënyrat është projekti MKSafeNet, i cili po zbatohet nga MTD dhe synon të zhvillojë burime dhe përmbajtje arsimore të përshtatshme për moshën për të rritur ndërgjegjësimin për sigurinë në internet. Kjo përfshin krijimin e një baze njohurish të burimeve, avancimin e edukimit për sigurinë në internet dhe promovimin e arsimimit digjital tek të rinjtë.

“Përmes projektit MKSafeNet do të punohet drejtpërdrejt në ndërtimin e mekanizmave për mbrojtjen e privatësisë së nxënësve dhe zbatimin e masave të përgjithshme për siguri më të mirë në internet. Në fushën e burimeve dhe shërbimeve të funksionalizuara për sigurinë në internet, MKSafeNet / Qendra për një Internet më të sigurt ka për detyrë të krijojë linja telefonike plotësisht funksionale si një mekanizëm ndihmës, d.m.th. linja telefonike, email, komunikim chat etj., me procedurë të veçantë për mbrojtjen e të dhënave personale dhe komunikimin me palët e interesuara. Kjo e riorganizon procesin përmes bashkëpunimit, monitorimit dhe mekanizmave të raportimit, duke siguruar që Qendra e Internetit të Sigurt të ketë një infrastrukturë të fuqishme për të ofruar informacion në kohë, mbështetje dhe këshilla për sigurinë në internet” thonë nga Ministria e Transformimit Digjital.

Potencojnë se udhëzimi ka karakter informativ dhe këshillëdhënës, me qëllim që të sigurojë drejtime për shfrytëzim të sigurt të platformave digjitale dhe rrjeteve sociale.

“Ministria nuk ka kompetencë e as mekanizëm për të kontrolluar respektimin e saj, por inkurajojmë shkollat ​​dhe prindërit që ta zbatojnë në mënyrë aktive për mbrojtjen dhe mirëqenien e nxënësve. Sigurisht, nëse nevojitet mbështetje, Ministria me kapacitetet e saj është gjithmonë në dispozicion për të përmirësuar sigurinë e fëmijëve tanë në hapësirën digjitale”, theksojnë nga MTD.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm