E shtunë, 17 Maj, 2025
16.3 C
Skopje

“Prindërit në Protestë”, teksa Shqipëria përballet me dilemën e mbylljes së disa mediave sociale

Shqipëria situata të tilla nuk i ka pasur të pakta dhe skenari mbetet i njëjtë: Ngjarje e kobshme, reagim, harresë

 

Faza e tanishme është ajo e reagimit dhe ka të bëjë me vrasjen tragjike të një adoleshenti 14-vjeçar në shkollën Fan Noli, i goditur me thikë në zemër nga një bashkëmoshatar i tiji dhe i vajtur nga të gjithë.

Lidhur me këtë, mediat sociale – ndoshta pikërisht ambienti ku ky krim makabër gjeti folenë e vet të ngjizjes – kanë gëluar me shpërndarjen e një njoftimi me rëndësi, ku të enjten e 21 nëntorit, lajmërohet një marshim-protestë nga prindërit në Shqipëri.

“Prindërit në Protestë” quhet organizimi i lajmëruar për në orën 11:00, ku marshimi do të fillojë prej shkollës Fan Noli, aty ku edhe krimi ndodhi, drejt Ministrisë së Arsimit, për t’u manifestuar në formë tubimi, “për jetën, sigurinë dhe arsimin e fëmijëve”.

Ka qenë në fakt një manifestim masiv ai i mediave sociale, me reagime edhe të tejskajshme ndaj kësaj vrasjeje, e cila ndoshta nuk shfaq një fenomen, por nuk duket shpërfillur dhe as anashkaluar, pasi është referuese e një gjendjeje jo të shëndetshme të shoqërisë sot.

Por, konteksti real, i cili përmbledh edhe vrasjen dhe manifestimin, është dilema me të cilën strukturat shtetërore sot përballen.

“Të jetë a të mos jetë” si “Tik Tok, apo s’Tik Tok”. “Snapchat, apo S’napchat”.

Kambanat rreth kësaj kanë rënë prej kohësh por një vendosmëri për t’i shkuar deri në fund dilemës nuk ishte parë ndonjëherë, deri në çastin kur kryeministri shqiptar, Edi Rama, artikuloi paraditen e 19 nëntorit se po shqyrtohej mundësia e mbylljes totale të këtyre mediave sociale dhe se do të shkohej në një konsultim të gjerë publik dhe serioz rreth tyre.

Ai madje tha se ka pasur përpjekje dhe diskutime në strukturat shtetërore, duke marrë shkas nga eksperiencat e huaja, për të parë limitimin e përdorimit të mediave sociale Tik Tok, apo Snapchar, nga persona nën limitin moshor, ose deri edhe tek personat jo mazhorenë ligjërisht.

Por, duke qenë se në vend të tjera nuk kishte shembuj të suksesshëm, rruga e vetme mbetej ajo mes drastikes së mbylljet tërësore, apo lënies hapur të këtyre mediave sociale.

Përmbi këtë, një peticion online ka filluar të qarkullojë po në media sociale, për mbylljen e Tik Tok-ut, ku deri në publikimin e këtij artikulli është firmosur nga mbi 6 mijë persona dhe si moto ka “mbrojtjen e të rinjve shqiptarë”.

E sërish, pyetje shumë themelore mungojnë në shoqëri, gjatë përballjes së këtyre dilemave, prej faktit se vetë shoqëria nuk ka bërë një introspeksion të gjendjes së saj, nuk kupton qartësisht rolin që ka pasur në ngjarjen tronditëse të shkollës Fan Noli dhe nuk sheh zgjidhje veçse te mbyllja e një medie sociale ku publikohen përmbajtje pa filtra.

Mbi të gjitha, pyetjen themelore: Pa Tik Tok, apo edhe Snapchat, mbyllen “dritaret virtuale” për adoleshentët, për të publikuar çfarë duan? Mbyllen hapësirat më të thjeshta për të kapërcyer normat sociale? Apo, hapen “dyer të reja” të edukimit të mirë dhe larg vulgaritetit, dhunës dhe krimit?

Ndërkaq, dilemat vijojnë… (AP)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm