E shtunë, 24 Maj, 2025
12.8 C
Skopje

Pse BE-ja ia kalon Trumpit në artin e marrëveshjes?

Komisioni Evropian është i vendosur të mos lejojë që e gjithë energjia e tij negociuese të përthithet nga trajtimi dhe kufizimi i dëmeve me ShBA-në. Një nga pasojat e luftës globale tarifore të Trumpit, është rritja e ndjeshme e numrit të vendeve që kërkojnë të negociojnë marrëveshjet tregtare me BE-në

 

Nga Gideon RACHMAN

Ashtu si Donald Trumpi, Bashkimi Evropian krenohet me zotësinë e vet në artin e marrëveshjeve. Ngjarja kryesore e Brukselit është samiti që përfundon në orën tre të mëngjesit, ku negociatorët e lodhur dalin me një marrëveshje të re dhe komplekse.

Mënyra e BE-së për të arritur marrëveshje është pothuajse e kundërta e stilit të Shtëpisë së Bardhë. Presidenti amerikan është impulsiv, lëviz shpejt, bën kërkesa ekstreme dhe është i gatshëm të thyejë të gjitha rregullat. Evropianët janë ligjorë, metodikë dhe gjithmonë në kërkim të kompromiseve dhe shkëmbimeve. Stili i Trumpit është më i bujshëm dhe krijon tituj më tërheqës. Ai i BE-së është më i heshtur, por shumë më efektiv.

Çështja se cili lloj i të bërit marrëveshje funksionon më mirë – monotonia e Brukselit apo rrëmuja e Mar-a-Lagos – kjo është më shumë se një çështje krenarie. E ardhmja e ekonomisë botërore mund të varet prej saj. Si BE-ja ashtu edhe ShBA-ja janë aktualisht duke u përpjekur të arrijnë marrëveshje të reja tregtare. Gjithashtu duhet të zgjidhin urgjentisht mosmarrëveshjet që kanë mes vete, para korrikut – kur përfundon pezullimi 90-ditor i tarifave “reciproke” të Trumpit ndaj BE-së.

Marrëdhënia tregtare BE-ShBA në mallra është dukshëm më e madhe se sa ajo mes ShBA-së dhe Kinës. Edhe tregtia transatlantike, në shërbime, është shumë më e dendur.

Tarifat e Amerikës mbi mallrat e BE-së aktualisht janë 10 për qind. Por, ato pritet të rriten në 20 për qind në korrik. BE-ja gjithashtu po ndikohet rëndë nga tarifat prej 25 për qind të ShBA-së për makinat, çelikun dhe aluminin, me kërcënimet për tarifa të mëtejshme për farmaceutikët. Me këto rreziqe, Komisioni Evropian po bën gjithçka për të zbutur betejën tregtare me administratën Trump – dhe të mos e kthejë atë në një luftë ideologjike apo përballje forcash. Por, burokratët e Brukselit janë të hutuar në përballje me homologët e tyre në Uashington. Një nga problemet më të mëdha është se nuk është e qartë se kush në administratën Trump ka realisht autoritet për të negociuar. Evropianët po ofrojnë të blejnë më shumë produkte amerikane, por nuk mund të pranojnë tarifa të përhershme në nivelet aktuale. Disa në Bruksel kanë frikë se, kur të vijë korriku, administrata Trump thjesht do të zgjasë regjimin aktual edhe për 90 ditë të tjera negociatash.

Atëherë, BE-ja duhet të marrë vendime. A do të kundërpërgjigjet më në fund dhe në çfarë shkalle? Supozimi i përgjithshëm është se evropianët do të ndihen të detyruar të reagojnë. Pyetja tjetër është nëse kundërpërgjigjja do të kufizohet te tregtia e mallrave, ku BE-ja ka më shumë për të humbur, dhe te industria e saj e automobilave që është veçanërisht e ndjeshme.

Kompanitë amerikane të teknologjisë janë objektiv shumë më tërheqës sesa prodhuesit e [motoçikletës] Harley-Davidson apo [uiskit] Bourbon. Por, burokratët e Brukselit duhet të marrin parasysh edhe mundësinë që administrata Trump të reagojë në mënyrë asimetrike ndaj sanksioneve teknologjike, duke tërhequr trupat amerikane nga Evropa. Kjo do ta bënte kontinentin shumë më të cenueshëm ndaj agresionit rus.

Duke pasur parasysh këto mundësi të pakëndshme – dhe paparashikueshmërinë e Shtëpisë së Bardhë – evropianët po bëjnë atë që u vjen natyrshëm: po veprojnë ngadalë dhe me kujdes. Ka kaluar pak më shumë se një muaj nga shpallja e tarifave të Trumpit për “ditën e çlirimit”, dhe shumë gjëra tashmë kanë ndryshuar. Parashikimi më i sigurt është se në 60 ditët e ardhshme do të ketë shumë më tepër trazira.

Ashtu si kinezët, evropianët po presin të shohin nëse do të fillojnë të shfaqen boshllëqet në raftet e supermarketeve amerikane. Ata gjithashtu e dinë se tarifat e mundshme ndaj produkteve farmaceutike, ndonëse shumë të dhimbshme për Evropën, mund të nxisin një reagim të fortë në ShBA pasi çmimet e barnave jetike do të rriteshin ndjeshëm.

Skenari më i mirë për evropianët është që kontradiktat dhe dëmet që ia shkaktojnë vetes tarifat e Trumpit, të bëhen gjithnjë e më të dukshme në prag të korrikut, duke çuar në një ofertë shumë më të favorshme për Evropën sesa ajo që duket e mundshme për momentin. Komisioni Evropian është i vendosur të mos lejojë që e gjithë energjia e tij negociuese të përthithet nga trajtimi dhe kufizimi i dëmeve me ShBA-në. Një nga pasojat e luftës globale tarifore të Trumpit, është rritja e ndjeshme e numrit të vendeve që kërkojnë të negociojnë marrëveshjet tregtare me BE-në.

Ministri indian i tregtisë, Piyush Goyal, ishte në Bruksel javën e kaluar. Një marrëveshje e re pritet të nënshkruhet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së brenda këtij muaji – duke zgjidhur disa nga çështjet më të vështira të mbetura nga Brexit-i. Para pak javësh, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë hapur bisedimet për një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në. Kanë rifilluar bisedimet tregtare me Australinë, që kishin ngecur prej kohësh. Është arritur dhe pret ratifikimin marrëveshja me bllokun e Amerikës Latine, MERCOSUR. Edhe Kina është e interesuar të ngrohë marrëdhëniet tregtare me Brukselin – ndonëse evropianët do të lëvizin me kujdes në këtë drejtim.

Vendet që janë në radhë për të shkuar në Bruksel do ta gjejnë një BE të ngadaltë dhe burokratike. Marrëveshjet të cilat Trumpi përpiqet t’i përfundojë për disa javë, me BE-në kërkojnë kërkojë vite të tëra. Por, nga ana tjetër, siç e thotë një negociator australian: “E mira e BE-së është se kur më në fund arrin një marrëveshje me ta, ti e di se ata do t’i përmbahen asaj”.

BE-ja ka nënshkruar tashmë afërsisht dyfishin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë, krahasuar me ShBA-në, dhe është në një pozitë të mirë për të përfunduar edhe më shumë. Arti i marrëveshjes në stilin e Brukselit ka veçantitë dhe frustrimet e veta. Por, është shumë më serioz dhe më i qëndrueshëm sesa versioni i Trumpit.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm