E premte, 8 Nëntor, 2024
10.8 C
Skopje

PUNËSIMI I SERBËVE TË SJELLË SERBIA! Kosova gjatë vitit 1990 në burimet shqiptare (2)

Kuvendi Komunal i Prishtinës, në korrik të vitit 1989, miratoi programin e punësimit të serbëve e malazezëve “të kthyer”, si dhe të atyre që kurrë nuk kishin jetuar në Kosovë, sipas së cilit, “çdo kolektiv prej 100 punëtorësh” duhej të punësonte nga një serb e malazez që ishin sjellur nga Serbia. Masa të tilla, siç bëhet me dije në informatë, u ndërmarrën edhe në Universitetin e Prishtinës, ku gjatë vitit arsimor 1989/1990, u regjistruan 176 studentë nga territori i Serbisë, ndërsa 180 studentë të tjerë, po nga ai territor “do të vazhdojnë shkollat e larta të po këtij universiteti”.

Nga Qerim LITA

(vijon nga numri i kaluar)

Udhëheqja komuniste serbe, pretendonte se nga viti 1981 e deri në vitin 1990 “nën presionin e shqiptarëve” ishin shpërngulur 40.000 serbë e malazezë, ndërsa sipas të dhënave të Entit Republikan të Statistikës së RS të Serbisë, po gjatë asaj periudhe, numri i serbëve dhe malazezëve “të shpërngulur” nga Kosova për në Serbi, ishte 27.915 vetë. Lidhur me këtë, në informatë thuhej se shkaqet e “këtyre shpërnguljeve nuk janë presioni dhe gjenocidi”, siç e paraqiste propaganda serbomadhe “por arsyet ekonomike, papunësia e sigurimi i kushteve më të mira të jetesës…”. Si dëshmi të tërë kësaj, në informatë përcillej një pjesë e fjalimit të delegatit serb nga Peja, Sllobodan Ivoviq, i cili në Konferencën e 15 të LK të Kosovës, do të shprehet: “Pikërisht tani ballafaqohemi me paralajmërimin e shpërnguljes nga ana e disa profesorëve të gjimnazit me mësim në gjuhën serbo-kroate me që kushtet materiale dhe të banimit në të cilat ata jetojnë janë nën çdo nivel të civilizimit”.

Në vazhdim, Reis Malile, duke u mbështetur në Programin Jugosllav për Kosovën, bënte me dije se “për serbët dhe malazezët e kthyer në Kosovë”, ishin parapa për t’u ndërtuar 2000 apartamente dhe njëkohësisht të siguroheshin 711 troje, dhe se, kreu shtetëror serb “planifikonte anulimin e ligjit të vitit 1945 i cili ndalonte kthimin e kolonëve në Kosovë”. Si rrjedhojë e një politike të tillë, në shumë pjesë të Kosovës, filluan të ndërtoheshin fshatra dhe komuna të reja të banuara kryesisht me kolonë, për mirëmbajtjen e të cilëve, autoritetet jugosllave, përkatësisht serbe, merrnin masa për ndërtimin e objekteve të vogla e të mesme industriale. Lidhur me këtë, në informatë thuhej se njëra ndër ndërmarrjet më të mëdha në Jugosllavi “Braqa Kariq” nga Peja, kishte premtuar se do të ndërtonte 50 fabrika në Kosovë.

Ndërkohë, Kuvendi Komunal i Prishtinës, në korrik të vitit 1989, miratoi programin e punësimit të serbëve e malazezëve “të kthyer”, si dhe të atyre që kurrë nuk kishin jetuar në Kosovë, sipas së cilit, “çdo kolektiv prej 100 punëtorësh” duhej të punësonte nga një serb e malazez që ishin sjellur nga Serbia. Masa të tilla, siç bëhet me dije në informatë, u ndërmarrën edhe në Universitetin e Prishtinës, ku gjatë vitit arsimor 1989/1990, u regjistruan 176 studentë nga territori i Serbisë, ndërsa 180 studentë të tjerë, po nga ai territor “do të vazhdojnë shkollat e larta të po këtij universiteti”. Përveç kësaj, gjatë këtij viti akademik, qarqet shoviniste të Beogradit, kishin dërguar mbi 100 mësimdhënës serb nga Serbia për të ligjëruar në Universitetin e Prishtinës. Ndërkohë, në Kosovë zhvillohej një propagandë e madhe, që të dërgoheshin studentë shqiptarë në Universitetin e Beogradit dhe nëpër shkollat e larta të Serbisë. Si rrjedhojë e kësaj propagande, gjatë vitit akademik 1989/90, në Universitetin e Beogradit dhe në shkollat e larta të të Serbisë “ishin regjistruar 337 studentë të kombësisë shqiptare”.

Kundër një politike të tillë dolën punonjësit e Ndërmarrjes Botuese Rilindja, të cilët në një protestë të organizuar, ndër të tjerave kërkuan ndërprerjen e kthimit të serbëve dhe malazezëve të shpërngulur duke e cilësuar këtë proces “ekspeditë të kryqtarëve mesjetarë për rikolonizimin e Kosovës”. Krejt në fund të informatës, thuhet se politika serbe ndaj Kosovës nuk ishte diçka e re, por vazhdim i “planit të Pashiç-it dhe Çubrilloviç-it, sidomos këtij të fundit i cili përbën programin më të përpunuar të borgjezisë serbomadhe për kolonizimin e Kosovës dhe viseve shqiptare me serbë…”.

Menjëherë pas kësaj informate, reagoi Sektori i Jashtëm pranë KQ të PPSH-së, i cili vlerësonte se materiali në fjalë, nuk duhej të ishte vetëm informues por, të përqendrohej në disa çështje “më aktuale” që lidheshin me shpërnguljen, dhe rreth tyre “të ofroheshin mendime e sugjerime konkrete se ç’duhet bërë në të ardhmen në aspektin politik e propagandistik”. Sipas Sektorit, vëmendje më të madhe duhej kushtuar disa çështjeve më të rëndësishme edhe atë:

“1. Përpjekjet që po bën Serbia për anulimin e ligjit të vitit 1945, i cili e ndalon kthimin e kolonve në Kosovë. Ç’perspektiva ka? Cili do të jetë qëndrimi i Maqedonisë? Po Kosova si e ka pritur dhe cilat do të jenë pasojat? etj.

  1. Ç’farë masash të reja reflektohen në programin e ri për Kosovën, për çështjen e shpërnguljes, të aprovuar kohët e fundit nga Kuvendi i Jugosllavisë.
  2. Kohët e fundit Millosheviçi bëri thirrje për popullimin e Kosovës me kolonë serb, pra për serbizimin me dhunë. Çfarë mundësish praktike ka Serbia për realizimin e kësaj ideje. A është reale apo mjet presioni? Cili duhet të jetë reagimi ynë? etj.
  3. Si duhet kuptuar teza e përsëritur kohët e fundit nga Serbia për kthimin e dëbimin në Shqipëri të emigrantëve të ardhur nga Shqipëria. Mos është fjala për një plan të ri për dëbim me forcë të shqiptarëve nga troje e tyre duke përdorur pretekstin e emigrantëve nga Shqipëria? Mos kemi të bëjmë me një program të ri të tipit të Çubrilloviçit të hartuar nga shtabi i Millosheviçit për kolonizimin me dhunë të Kosovë”.

Sipas Sektorit të Jashtëm, një informacion i tillë ku do të analizoheshin dhe t’u jepej përgjigje të gjitha këtyre çështjeve aktuale në Kosovë “do të ishte me interes aktual e vlerë njohëse” jo vetëm për Sektorin e Jashtëm, por edhe për vetë MP të Jashtme.

Rrjedhimisht, Drejtoria e parë pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, me 11 prill 1990, i dorëzoi një infarmatë të detajuar Sektorit të Jashtëm pranë KQ të PPSH-së, mbi siç thuhej “shoqatat alternative” në Kosovë dhe veprimtarinë e tyre. Në të veç tjerash thuhej se, duke filluar nga dhjetori i vitit 1989, në Kosovë ishin formuar dhe vepronin disa shoqata si: Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Lidhja Demokratike e Kosovës, Shoqata e Filozofëve dhe Sociologëve në Prishtinë, Partia Socialdemokrate, Parlamenti i Rinisë, Partia Fshatare e Kosovës, Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Kosovës dhe Shoqata Ujdi.

Në vazhdim informata i përshkruante platformat, veç e veç, për secilën shoqatë dhe parti politike. Kështu, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, i cili drejtohej nga akademik Idris Ajeti dhe profesor Zekeria Cana, si platformë të vetin kishte “mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut” dhe në kuadër të kësaj “do t’i luftojë shkeljet e hapura apo të fshehta të të drejtave të njeriut”.

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila udhëhiqej nga Dr. Ibrahim Rugova, si platformë dhe angazhim të vetin kishte: afirmimin e subjektivitetit shoqëror, politik dhe kulturor të shqiptarëve dhe për të drejtat e tyre. Një pikë tjetër me rëndësi në platformën e LDK-së, ishte angazhimi kundër çdo privilegji dhe diskriminimi kombëtar, kundër konceptit për kombe dhe kombësitë autoktone dhe shtetformues, kundër çdo shovinizmi dhe hegjemonizmi, kundër manipulimeve nacionaliste dhe burokratike me çështjen kombëtare.

“LDK-ja, theksohet në informatë, do të përpiqet për arsimimin në gjuhën shqipe në të gjitha shkallët, për kultivimin e lirë dhe të barabartë të kulturës dhe traditave historike, për përdorimin e lirë të simboleve kombëtare dhe festimin me dinjitet të festave kombëtare. Ajo do të përpiqet për afirmimin e individualitetit të Kosovës dhe të pozitës së saj kushtetuese”.

Partia Socialdemokrate, që udhëhiqej nga Shkëlzen Maliqi, në programin e saj deklaronte se “do të përpiqet për zgjedhjen demokratike të kontradiktave konstitucionale rreth statusit të Kosovës, në bazë të deklarimeve të vetë qytetarëve të interesuar dhe pa asnjë gjykim apriori nga pikëpamja e interesave parësore, nacionale dhe të mohimit të të ashtuquajturit shtet nacional, i cili nënkupton degradimin e statusit të popullsisë shqiptare”.

Parlamenti i Rinisë Kosovare në njoftimin e lëshuar menjëherë pas formimit vinte në dukje se “të rinjtë duan një shtet juridik, shoqëri civile, sistem politik shumë partish, lirinë e krijimit të shoqatave shoqërore, politike e kulturore e zgjedhje të lira parlamentare”. Më tej, Parlamenti i Rinisë Kosovare, vlerësonte se në Jugosllavi “po jep shpirt ideologjia e një rruge të vetme politike”, e cila duke çuar në kaos dhe kontroll politik totalitar mbi popullsinë “ka pësuar disfatën e saj historike”.

Partia Fshatare e Kosovës, e cila udhëhiqej nga Hivzi Islami, në platformën e saj politike angazhohej për “reforma rrënjësore ekonomike e shoqërore” dhe për “demokraci, liri dhe barazi të plotë”. Në kuadër të kësaj, ajo do të përpiqet kundër dhunës dhe të gjitha llojeve të shpërnguljes të popullit nga ana e shtetit dhe kundër kolonizimit nga “lëvizjet hegjemoniste dhe të shtetit të madh”. Një angazhim tjetër i Partisë Fshatare të Kosovës ishte “krijimi i kushteve normale për jetë e punë, ndalimin e shpopullimit, të mplakjes demografike dhe të shuarjes së jetës në fshat”.

Në këtë periudhë kohore, në Kosovë vepronte edhe Shoqata e Gazetarëve të Pavarur, e cila menjëherë pas themelimit të saj është shprehur publikisht se në “kushtet e sistemit shumëpartiak” do të vepronte si shoqatë e pavarur mbipartiake dhe mbinacionale, me të vetmin qëllim “për të shprehur dhe afirmuar të vërtetën mbi Kosovën”. Ajo më tej theksonte se do të angazhohej për “një të vërtetë të pavarur e të çliruar nga ndikimet e politikës ditore dhe të gjitha paragjykimeve ideologjike të mundshme, për një të vërtetë të bazuar në kodin e gazetarisë dhe ligjit për informim”.

Në vazhdim, informata ndalej në demonstratat e muajit janar dhe shkurt të vitit 1990, të cilat siç bëhej me dije ishin shndërruar në “katalizator të gjallërimit të aktiviteteve” të shoqatave alternative, si brenda Kosovës po ashtu edhe në planin ndërkombëtar. “Ishin demonstratat ato që nxorën në pah jo vetëm forcën e këtyre shoqatave por edhe mundësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve ndërmjet tyre”, thuhej veç tjerash në informatë, e cila për organizimin e këtyre demonstratave i veçonte Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës. Këto dy organizata, si dhe Shoqata e Filozofëve dhe Sociologëve të Kosovës, posa shpërthyen demonstratat, përmes një apeli i bënë thirrje opinionit publik e demokratik jugosllav e botëror “që të angazhohen me vendosmëri” kundër përpjekjes që Kosova të izolohet nga procesi demokratik, duke kërkuar “heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, lirinë e fjalës, ndërprerjen e të gjitha proceseve politike dhe lirimin e të gjithë të burgosurve politik”.

Në të njëjtën kohë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, përmes një letre iu drejtua Kryesisë së RSFJ-së, ku kërkonte heqjen e masave të jashtëzakonshme në Kosovë dhe njëkohësisht, formimin e një komisioni të paanshëm, i cili do të përcaktonte faktet dhe të shqyrtonte dhe identifikonte “ata që shkelnin të drejtat dhe liritë bazë të njeriut” dhe ndaj tyre të merreshin masa ligjore. Po kështu veproi edhe LDK-ja, e cila, me një deklarata iu drejtua Kryesisë së RSFJ-së, të cilën e cilësoi atë si përgjegjëse “për zbatimin e masave të jashtëzakonshme” në Kosovë, si dhe për të gjitha pasojat e mundshme. Në vazhdim të deklaratës, LDK-ja, kërkonte që të ndërpritej “urgjentisht represioni” dhe të pranohej dialogu demokratik për “shqyrtimin serioz të problemeve të Kosovës”.

(koha.mk)

(vijon në nesër)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm