Rajoni në përgjithësi mori një infuzion të madh financiar dhe pothuajse të gjithë sferat ua panë hajrin mërgimtarëve. Por kjo zgjati vetëm gjatë sezonit veror dhe me fillimin e shtatorit Dibra dhe fshatrat përsëri kanë shumë pak frekuencë dhe me të drejtë shpesh për Dibrën thuhet se u bë qytet sezonal
Vjollca SADIKU
Dibër, 4 shtator – Gjatë muajve të verës në Dibër dhe rajon qëndruan mbi 8 mijë mërgimtarë, ndërkaq këto ditë shumica prej tyre u kthyen në shtetet ku jetojnë dhe punojnë. Ishte një verë me temperature shumë të larta por edhe me një numër shumë të lartë të mërgimtarëve të cilët gjallëruan Dibrën dhe rajonin por njëkohësisht pozitivisht ndikuan edhe në aspektin ekonomik me që harxhuan shumë deviza. Rajoni në përgjithësi mori një infuzion të madh financiar dhe pothuajse të gjithë sferat ua panë hajrin mërgimtarëve. Por kjo zgjati vetëm gjatë sezonit veror dhe me fillimin e shtatorit Dibra dhe fshatrat përsëri kanë shumë pak frekuencë dhe me të drejtë shpesh për Dibrën thuhet se u bë qytet sezonal. Rrugëve ka një heshtje kurse banesat kolektive ku shumë dibran nga mërgimi kanë banesat e tyre, janë boshatisur.
Gazeta KOHA ishte e pranishme në stacionin e autobusëve në Dibër, ku një numër i madh i mërgimtarëve udhëtonin në Itali, Gjermani, Zvicër, Austri dhe shtete të tjera të Evropës. Me lot në sy ata përcjellshin mërgimtarët nga të afërmit e tyre. Katër kompanitë të cilët kanë licenca për transport ndërkombëtar të udhëtarëve, thonë se çdo linjë është përplot me udhëtarë.
Udhëtojnë burra, gra dhe fëmijë, por ka edhe pleq, të cilët janë prindër të mërgimtarëve. Biseduam me Adem T. i cili përcillte djalin dhe nusen së bashku me 3 nipërit dhe mbesat për në Itali. Ai tha se janë momente të rënda, meqë djali i tij në Itali në Ankona është mbi 20 vite. Në orët e natës me automjetet e tyre drejt shteteve të Evropës niseshin shumë mërgimtarë. Takuam një ditë para nisjes, Selaudin F. i cili jeton dhe punon në Zvicër. Ai tha se është viti i 15 që jeton dhe punon në këtë shtet. Është nga Zhupa dhe potencon se gjatë verës është kënaqur me të afërmit e tij. Mërgimtarët nga Amerika, normalisht erdhën dhe shkuan nëpërmjet aeroporteve të Tiranës dhe Shkupit. Biseduam me Rexhep dhe Ava P., të cilët ishin në Dibër së bashku me fëmijët e tyre dhe kaluan afro dy muaj. Ata thanë se kanë patur dasmë në familjen e Aves dhe janë kënaqur. Poashtu kanë qenë edhe në pushime në bregdetin shqiptar. Ata jetojnë në SHBA, në shtetin e Alaskës, ku jetojnë edhe dibranë të tjerë. Në Dibër qëndroi edhe Zana M. me familjen e cila jeton në Feniks të shtetit amerikan të Arizonës. Gëzohemi kur vijë por kur kthejmë kemi shumë shqetësime. Aeroportet e Tiranës dhe Shkupit plot dy javë kanë qenë përplot me mërgimtarë nga Dibra të cilët ktheheshin në shtetet ku ata jetojnë. Taksi kompanitë të Dibrës, kanë pas shumë punë.
Në ndërtesën kolektive nr. 15 në rrugën “8 shtatori” e cila gjendet në qendër të Dibrës, në afërsi të bustit të Skënderbeut, vizituam disa banorë. “Nga gjithsej 12 banesa në hyrjen e parë dhe po aq në hyrjen e dytë, tani pas kthimit të mërgimtarëve të cilët kanë banesat e tyre në këtë ndërtesë, kemi ngelur dhe jetojmë jo më shumë se gjysma. Shkuan fqinjët tone të cilët na vijnë vetëm gjatë sezonit veror”, thotë banori Qenan M. Sipas tij kështu është situata edhe në banesat e tjera në Dibër, ku numri më i madh i banesave mbyllen me që janë në pronësi të mërgimtarëve. (koha.mk)