Rusia ka frikë. Popullsia ruse ka zgjedhur të qëndrojë e heshtur dhe të tërhiqet në rehatinë e parashikueshme të jetës së përditshme – me çdo kusht, duke injoruar luftën
Nga Alexander RODNYANSKY
Më 18 maj, një gjykatë në Moskë urdhëroi arrestimin tim në mungesë. Pas disa javëve do ta mësoj dënimin tim për krimin e “përhapjes së dezinformatave” për ushtrinë ruse, që do të thotë se po flas kundër luftës në Ukrainë dhe se botës po ia tregoj mizoritë që ushtarët rusë po kryejnë në vendin tim të lindjes. Mund ta marr me mend se cili do të jetë vendimi – që nga futja e këtij neni të Kodit Penal, asnjë prej të akuzuarve nuk është shpallur i pafajshëm. Gjithashtu, mund ta marr me mend dënimin tim, pasi kam të njëjtin gjykatës si shkrimtari rus Dmitry Glukhovsky, i cili së fundmi u dënua me tetë vjet për qëndrimet e veta kundër luftës. Asnjë vend tjetër në botë nuk e njeh këtë krim dhe as unë nuk e njoh. Do të vazhdoj të flas kundër pushtimit, në çdo platformë që kam në dispozicion. Përpara dënimit tim, dua të ndaj një mesazh që mendoj se është i rëndësishëm.
Moska ishte shtëpia ime për gati 20 vjet. Dy nga filmat që kam bërë janë nominuar për çmimin Oscar; njëri nga këta filma, Leviatani [Leviathan], është filmi i parë rus që fitoi Globin e Artë që nga viti 1969. Flas rusisht, madje kam shkruar libra në rusisht – dhe, i kam bërë filmat që sollën lëvdata dhe njohje ndërkombëtare për industrinë ruse të filmit. Shteti rus është plotësisht i vetëdijshëm se nuk ka mjete për të më burgosur dhe, megjithatë, sistemi rus i drejtësisë shpenzoi kohë dhe mund për ndjekjen time. Arsyet prapa këtij vendimi janë shumë të thjeshta. Ashtu si të tjerët para meje – aktivisti Ilya Krasilshchik, gazetari Alexander Nevzorov, blogerja Veronika Belotserkovskaya dhe Glukhovsky – unë duhet të shërbej si shembull i asaj se çfarë do të ndodhë me njerëzit që kritikojnë publikisht luftën.
Përpara dënimit tim, thirra disa prej miqve të mi më të ngushtë rusë për t’ju kërkuar nëse do të ishin të gatshëm për të dhënë dëshmi në vendim tim. Të gjithë refuzuan. “Po të ishte shansi më i vogël se dëshmia ime do ta ndryshojë rezultatin, do të shkoja, por ti e di që nuk ka. Nuk mund ta rrezikoj”, tha njëri prej tyre. Dhe, kishte krejtësisht të drejtë. Taktikat e frikësimit të përdorura nga Putini, po funksionojnë – njerëzit kanë frikë. Disa prej miqve të mi në Moskë janë shumë nervozë për të më telefonuar ose për të më shkruar. Edhe kur udhëtojnë në Evropë për pushime, nuk guxojnë të më afrohen. Kanë frikë se dikush do t’ua bëjë një foto me mua, me një armik të shtetit të Putinit, gjë që do t’ua shkatërronte karrierat apo edhe do t’i çonte në ndjekje penale.
Përvoja ime personale është shenjë e gjendjes së vendit. Putini ka arritur ta frikësojë një deri në nënshtrim, duke arrestuar ata që kanë folur kundër luftës dhe duke i dënuar me burg për besimet e veta. Vetëm disa ditë më parë, një gazetar në Hakazi u dënua me pesë vjet e gjysmë për shkrimin e një historie për 11 ushtarët rusë që refuzuan të luftonin në Ukrainë. Frika është kudo në Rusi – por, frika nuk është e njëjtë me mbështetjen.
Në fundjavë, Rusia pati zgjedhjet më të mëdha rajonale të vitit. Rezultatet sollën fitoren dërrmuese për partinë e Putinit, me pretendimet për manipulim të gjerë. Por, ishte interesante të theksohej se kandidatët i shmangeshin deklaratave për luftën. Kryetari i Moskës, Sergey Sobyanin – ndoshta politikani i dytë më i fuqishëm në Rusi – dy herë ka folur për luftën, që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar. Përpjekjet për luftën nuk u përmendën as një herë në fushatën e tij. Shtypi rajonal ka raportuar se në Burjati, në rajonin me viktimat më të mëdha të luftës, politikanët dhe zyrtarët vendas kanë pushuar së foluri fare për luftën. Madje, disa prej tyre publikisht kanë shprehur dëshirën që lufta të përfundojë sa më shpejt. Në qytetin e vogël të Krasnokamsk në rajonin e Permit, një kandidat nga partia Yabloko u zgjodh në Dumën lokale nën sloganin “Unë jam për paqen”. Putini ka bërë të gjitha përpjekjet për të projektuar një imazh të unitetit, për t’ia bërë me dije Ukrainës dhe Perëndimit se në të gjithë Rusinë ka një ndjenjë të fortë pro luftës. Kjo është pjesë e strategjisë së tij për t’i frikësuar aleatët e Ukrainës dhe për t’i bërë ata të ndihen thuajse rezistenca është e kotë; për t’i shtyrë ata që të lodhen duke mbështetur Kievin. Por, është blof.
Rusia ka frikë. Popullsia ruse ka zgjedhur të qëndrojë e heshtur dhe të tërhiqet në rehatinë e parashikueshme të jetës së përditshme – me çdo kusht, duke injoruar luftën. Publiku kryesisht ka zgjedhur që luftimet t’ua lë atyre që japin ose zbatojnë urdhra. Kjo nuk është mbështetje. Rusët nuk do ta mbrojnë Putinin kur përfundimisht do të mposhten në Ukrainë. Është siguruar që askush të mos guxojë të dalë në rrugë për të protestuar kundër politikës së tij dhe, duke e bërë këtë, është siguruar që askush të mos e ndihmojë kur t’i vijë fundi.