Kalkulimet rreth qeverisë teknike dhe përplasjeve politike vazhdojnë prej dy muajsh. VMRO-DPMNE propozon avokatin Pançe Toshkovski për ministër të punëve të brendshme dhe Gjoko Velkovskin për punë dhe politikë sociale. Procedurat për qeverinë nisën me dorëheqjen e Kovaçevskit
Xhenur ISENI
Shkup, 25 janar – Kryetari aktual i Parlamentit dhe kryeministri i ardhshëm teknik Talat Xhaferi planifikon që të shtunën (27 janar) të propozojë përbërjen e Qeverisë së re. Votimi për të në parlament pritet të bëhet të dielën (28 janar), kur skadon afati ligjor prej 100 ditësh para zgjedhjeve parlamentare për zgjedhjen e qeverisë së re kalimtare. Zgjedhjet duhet të mbahen më 8 maj, ndërsa data është rënë dakord në një takim liderësh më 4 dhjetor të vitit të kaluar. Kjo do të thotë se edhe atëherë dihej që më 28 janar duhet të zgjidhej një qeveri teknike, por edhe pas gati dy muajsh nuk dihet plotësisht përbërja e qeverisë dhe partitë po debatojnë çdo ditë nëse dhe kush duhet ta votojë në parlament. Sot, kur kanë mbetur edhe katër ditë deri në zgjedhjen e qeverisë teknike, pas koordinimit të grupeve parlamentare te Talat Xhaferi, Parlamenti zyrtarisht shpalli kalendarin e planifikuar të aktiviteteve – dorëheqjet, konstatimin e tyre, caktimin e mandatit, propozimin dhe votën për një qeveri të re.
TENSIONE TË PANEVOJSHME
Pasiguria dhe pritja “pesë në dymbëdhjetë” për të shpallur vendimet dhe planet nuk është diçka e panjohur për opinionin vendor. Në raste të caktuara është koha për negociata mes partnerëve politikë, por ndonjëherë ka kalkulime dhe tensione të panevojshme, thonë disa nga analistët politikë.
“Njëra është një qeveri teknike dhe këtu krijohet një problem aty ku nuk duhet të jetë. Thjesht, VMRO-DPMNE do të paraqesë kandidaturat për ata ministra teknikë dhe shumica duhet t’i votojë, dhe e gjithë kjo për disa vende bosh dhe ato gjëra, kjo është marrëzi. Është thjesht e panevojshme të përpiqesh të krijosh tension. Si më parë, kur u votuan qeveritë e Përzhinos, le të votojnë vetë, ka një shumicë qeverisëse dhe kaq. Dhe kur formohet një qeveri politike është ndryshe dhe varet nga disa faktorë”, thotë analisti Vladimir Bozhinovski nga Instituti për Hulumtime Politike.
Në rastet e formimit të qeverive pas zgjedhjeve, ai thekson se varet nëse do të ketë apo jo ndryshim qeverie. Është normale, sipas tij, të marrë më shumë kohë nëse opozita vjen në pushtet për të arritur një marrëveshje me partnerët e koalicionit. Por edhe nëse nuk ndryshon qeverisja aktuale varet shumë se cila do të jetë shumica, thotë Bozhinovski.
Edhe analisti Sefer Selimi thekson se në pyetje janë kalkulimet politike të vetë partive, madje edhe kur bëhet fjalë për një qeveri teknike. “Mendoj se kjo më së shumti ndodh kur ka lojëra prapaskenash dhe kalkulime të partive politike dhe disi do të tingëllonte normale sepse gjithmonë krijohet një koalicion i cili ndonjëherë është krejt i ndryshëm, me pikëpamje të ndryshme për çështjet zyrtare. Për këtë arsye mendoj se po shfrytëzohen të gjitha afatet dhe koha e mundshme që kanë në dispozicion për të llogaritur më mirë lëvizjet e tyre politike”, thotë Selimi.
VMRO SHPALOSI EMRAT, XHAFERI DO T’I PROPOZON
Nominimin e Talat Xhaferit nga BDI për kryeministër në qeverinë teknike, partia e ka shpallur më 8 dhjetor, pra pesë ditë pas mbledhjes së kryesisë në të cilën është dakorduar data e zgjedhjeve. LSDM-ja ka shpallur kandidatët e saj më 26 dhjetor. VMRO-DPMNE i shpalli propozimet për ministra dhe zëvendësministra në mbrëmjen e 24 janarit, pas seancës së Komitetit Ekzekutiv.
Për pozitën e ministrit të punëve të brendshme në Qeverinë teknike propozohet avokati Pançe Toshkovski. Për ministër të Punës dhe Politikës Sociale, VMRO-DPMNE propozon Gjoko Velkovskin, i cili shumë vite ka punuar në këtë ministri dhe për një kohë të shkurtër ka qenë sekretar i Qytetit të Shkupit. Sipas ligjit për qeveri teknike, përveç dy ministrave, për punë të brendshme dhe për punë dhe politikë sociale, VMRO-DPMNE duhet të propozojë edhe tre zëvendësministra – për financa, për administratë dhe për bujqësi. VMRO-DPMNE propozon Stefan Andonovskin për vendin në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Cvetan Tripunovskin në Ministrinë e Bujqësisë dhe Elena Petrovën për Financa.
Partia ka propozimet e veta, por siç ka deklaruar tashmë, deputetët e saj nuk do të votojnë për qeverinë sepse e konsiderojnë Xhaferin të padenjë për postin. Kryeministri dhe lideri i LSDM-së, megjithatë, në një dalje të tij publike tregoi një skenar ku propozohet një qeveri, por ulëset e opozitës mbeten bosh nëse VMRO-DPMNE vendos të mos votojë. Kryeministri i ardhshëm Xhaferi, ndërkaq, në një konferencë për media tha se Qeveria do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet. Pjesë e saj do të jetë edhe opozita. “Nëse do të ketë propozime, do të jenë”, shprehet i prerë Xhaferi. Ligji për Qeverinë në nenin 3 përcakton se “mandatari propozon ministra për secilën nga ministritë e themeluara me ligj dhe ministrat pa resor”.
Ndryshe, më 8 maj, përveç zgjedhjeve parlamentare, do të ketë edhe votim për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Raundi i parë i garës për kreun e shtetit do të mbahet më 24 prill. Këto do të jenë zgjedhjet e 11-ta parlamentare dhe të tetat presidenciale në të cilat qytetarët drejtpërdrejt pas pavarësisë së vendit në vitin 1991. (koha.mk)