E diel, 20 Prill, 2025
23.8 C
Skopje

Qeveria do të shqyrton kërkesat e FSSH!

Të punësuarit në Fondin e Sigurimit Shëndetësor mbajnë grevë për shkak të rekomandimit të Qeverisë për uljen e pagave për 21 për qind. Nga Qeveria kërkuan që në seancën e sotme ta tërheqë propozimin e dhënë në Bordin Drejtues për uljen e pagave

 

Anëmsha SHABANI

Shkup, 6 shkurt – Të punësuarit në Fondin e Sigurimit Shëndetësor (FSSH) sot janë në ditën e dytë të grevës, për shkak të paralajmërimeve për uljen e pagave të tyre. Të gjitha njësitë rajonale edhe sot nuk do të kryejnë detyrat e punës, përveç atyre urgjente.

Sipas paralajmërimeve, do të shkurtohen edhe shërbimet të cilat kanë të bëjnë me kërkesën për rehabilitim, për ndihmesa ortopedike, vërtetim të ndihmesave ortopedike, për kompensime për pushim të lindjes dhe për pagesë të pushimeve mjekësore, për sigurim jashtë vendit, për formularë në dy gjuhë, e të tjera. Pa ndërprerë do të punojnë komisionet e mjekëve të cilët i vazhdojnë pushimet mjekësore të të punësuarve për ata që kanë nevojë.

Kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Administratës, Organeve të Jurisprudencës dhe Shoqatave të Qytetarëve, Tërpe Deanoski tha se kërkesat e punonjësve janë pagat e dhjetorit. “Revolta mes punonjësve është e madhe. Në grevë janë edhe ata që janë në sindikata të tjera. Le të mbeten ato paga që kemi marrë me rrogën e dhjetorit. Nuk kërkojmë asgjë më shumë, por vetëm që pagat tona të mbeten në të njëjtin nivel si në dhjetor. Greva nuk do të ndalet, edhe nëse nuk jepen paga, siç është rasti tani. Për momentin punëtorët e FSSH-së nuk kanë paga”, tha Deanoski.

Ai i ka bërë apel Qeverisë që në seancën e sotme, në të cilën tashmë i kanë dërguar shkresë kryeministrit teknik Talat Xhaferi, të shtohet një pikë në rendin e ditës, që të shqyrtohet kërkesa e tyre. “Siç kanë ardhur në konkluzion me rekomandim që Bordi i drejtorëve t’i zvogëlojë pagat, të dalin në një konkluzion të ri me rekomandim që të mbahet e njëjta vlerë e pikës, pra 77,16 denarë, ajo vlerë të jetë deri në fund të vitit. Për momentin në takim në godinë janë të gjithë drejtuesit e FSSH-së nga njësitë rajonale, përfshirë edhe drejtorët nga ajo qendrore. Ne bëmë një iniciativë të firmosur nga të gjithë drejtorët e njësive rajonale, ku garantojnë se do të kryhen të gjitha detyrat e punës dhe do të mbeten dhe do të ketë para në Fond për pagesën e pagave, siç janë tani, dhe qytetarët të jenë të qetë, se do të ketë ilaçe për të gjithë”, shtoi Deanoski.

Ai tha gjithashtu se FSSH-ja është një institucion me buxhetin më të lartë në vend dhe siç theksoi ai ka gjithmonë para.

Nga ana tjetër, kryeministri teknik Talat Xhaferi ka mbajtur takim koordinues me përfaqësues të institucioneve që të shihen shkaqet për grevën në Fondin e Sigurimit Shëndetësor. Xhaferi thotë se duhet përsëri të rishikohet vendimi me të cilin rekomandohet ulje e pagave të të punësuarve në FSSH.”Tashmë kishim takim koordinues me institucionet që të shohim se prej ku rrjedhin shkaqet për këtë. Dhe gjithsesi institucionet marrin kritikë adekuate sepse kanë ardhur në situatë që në rrugë të qëndrimit të publik, përmes protestave dhe grevave, që të arrihet e drejta e cila është arritur me vendime të përcaktuara, dhe sipas gjitha gjasave kjo është trashëgimi nga mënyra e menaxhimit të institucioneve adekuate të cilat janë kompetente për këto çështje”, deklaroi Xhaferi.

Ai theksoi se duhet të shqyrtohet se në cilën pjesë vendimi është kontestues dhe pse u paraqit nevoja të fillohej greva. “Lidhur me FSSH është pasojë e Ligjit gjegjësisht vendim i cili duhet të rishikohet, në cilën pjesë është kontestuese dhe pse është dashur si rezultat i vendimit për metodologjinë e përcaktimit të pikëve për sigurimin e pagave. Të definohet saktë ku është burimi i asaj dhe aty më të pengohet aspekti institucional i burimeve të rrjedhjes së tillë të pakënaqësisë. Domethënë të jemi të pastër”, tha Xhaferi.

Ndryshe, të punësuarit në Fondin e Sigurimit Shëndetësor mbajnë grevë për shkak të rekomandimit të Qeverisë për uljen e pagave për 21 për qind. Nga Qeveria kërkuan që në seancën e sotme ta tërheqë propozimin e dhënë në Bordin Drejtues për uljen e pagave. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm