E hënë, 16 Qershor, 2025
28.8 C
Skopje

Qeveria ta shkarkojë drejtorin! 9 muaj s’ka përgjigje për kërkesat e invalidëve ushtarak

Ku është drejtori dhe a funksionon Drejtoria e Branitellave dhe Invalidëve ushtarakë?! Me dokumente në duar dhe një listë prej 22 të drejtave të garantuara që u takojnë me ligj, branitellat dhe invalidët ushtarakë kërkuan që Drejtoria ta shkarkojë drejtorin. Ata pohojnë se asnjë nga kërkesat e tyre nuk është zgjidhur që nga shtatori i vitit të kaluar. Janë dorëzuar rreth 50.

“Ne as nuk e dimë se kush është drejtori, përveç se inicialet e tij janë në faqen e internetit të Drejtorisë, as nuk e dimë nëse funksionon fare. Drejtori është në shërbim të branitellave, invalidëve ushtarakë dhe luftëtarëve. Ai nuk është në shërbim të asgjëje tjetër. Ai është i emëruar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Absurditeti më i madh është se drejtori i emëruar është nga partia politike “Dinjiteti”, ku Stojançe Angellov, kryetar i partisë, është invalid ushtarak numër 1 dhe veteran që nga viti 2001”, tha Dalibor Antovski, veteran dhe invalid ushtarak .

Ata pohojnë se Komisioni, i cili duhej të vendosë për kërkesat e tyre në janar, nuk u mblodh. Drejtoria mori vulat zyrtare në mesin e prillit dhe deri atëherë nuk mund të funksiononte me nënshkrim zyrtar. Gjysma e njësive rajonale nuk kanë përfaqësues. Ata thonë se kjo nuk ka ndodhur që nga viti 2003 deri më tani – ka pasur vonesa, por maksimumi një muaj.

“Nuk jam i zhgënjyer me Stojançe Angellovin, jam i zhgënjyer me vendimin e tij dhe sjelljen e tij të papërshtatshme dhe mungesën e respektit për branitellat. Sepse Stojançe Angellov është vetëm një pjesë e një kokrrize të mozaikut të quajtur veteranë dhe invalidë ushtarakë të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nëse është e rëndësishme për të që të ketë poste drejtuese dhe pagë drejtori, ai dhe përfaqësuesit e tij, hallall i qoftë”, shtoi Antovski.

Drejtori Cikarski për TV21 thotë se drejtorinë e ka trashëguar në gjendje shumë të keqe. Kanë munguar një numër të madh të të punësuarve.
“Ministri Fatmir Limani, Zëvendësministri Gjoko Vellkovski dhe Sekretari i Shtetit Fatmir Sabriu janë gjithashtu të njoftuar për këtë gjendje. U kam kërkuar atyre të caktojnë disa ekspertë në Drejtorinë me riorinetim të brendshëm ndërsa ata më njoftuan se po merren masa për të punësuar njerëz të rinj, tha Vllado Cikarski”, drejtor i Drejtorisë për Çështjet e Branitellave dhe Invalidëve Ushtarakë.

Cikarski pret që problemi të tejkalohet javën e ardhshme dhe Komisionet të fillojnë punën e tyre me një ritëm më të shpejtë.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm