E martë, 3 Dhjetor, 2024
8.8 C
Skopje

Qeveria teknike me apo pa opozitën?!

VMRO-DPMNE në kontekst të formimit të Qeverisë teknike dhe deklaratën e kryeministrit Dimitar Kovaçevski që vendet e tyre të mbeten bosh derisa nuk votojnë Qeverinë teknike, ka vënë në dukje nenin 3 nga Ligji për Qeverinë në të cilën mes tjerash thuhet se “mandatari propozon ministra për secilën nga ministritë e krijuara me ligj dhe ministra pa resor”. Ndërkaq, sipas analistëve, VMRO-DPMNE duhet të mendojë mirë dhe të votojë për Qeverinë e Përzhinos, sepse kështu do të ketë përfaqësuesit e saj, ministra dhe deputetë dhe vetëm atëherë do të mund të kontrollojë keqpërdorimet e mundshme të procesit zgjedhor

 

Xhenur ISENI

Shkup, 23 janar – Të dielën në mesnatë (28 janar) vendi duhet të bëhet me Qeverinë e tretë kalimtare, të cilën do ta udhëheq Talat Xhaferi, kryetar aktual i Parlamentit. Kjo Qeveri zgjidhet njëqind ditë para zgjedhjeve parlamentare më 8 maj, ndërsa dy javë më parë, më 24 prill, do të mbahen zgjedhjet presidenciale. Përgatitjet dhe ekipi i stafit të qeverisë teknike janë duke vazhduar dhe pritet të përfundojnë të premten. Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe opozita VMRO-DPMNE hynë në debat politik për mungesën e mbështetjes për qeverinë teknike dhe mundësinë që pozitat e opozitës të mbeten bosh.

Kovaçevski deklaroi se qeveria teknike është obligim ligjor dhe partitë politike nga pushteti dhe opozita duhet të propozojnë kandidatët e tyre dhe ta mbështesin në Parlament. Ai thotë se ka kohë të mjaftueshme për të kryer formalitetet dhe të dielën të votohet për qeverinë teknike.

“Unë nuk do të jem ministër në qeverinë teknike, por do ta udhëheq fushatën e LSDM-së në zgjedhjet e ardhshme. Sa i përket qeverisë teknike, është detyrim ligjor dhe të gjithë ata që marrin pjesë në qeverinë teknike, pra partitë politike nga pozita dhe opozita, fillimisht duhet të propozojnë kandidatët e tyre dhe të mbështesin qeverinë në Parlament. Ka mjaftueshëm kohë deri të dielën për t’i kryer ato formalitete dhe të dielën të kemi votim me çka do të kemi qeveri teknike që do t’i zhvillojë zgjedhjet”, tha Kovaçevski. Ai shtoi se çdonjëri duhet të punojë sipas ligjit dhe parimeve demokratike. “Secili duhet të punojë në përputhje me ligjin dhe në përputhje me parimet demokratike. Propozoni ministra dhe i mbështesni ato ministra, nuk mundeni të pritni të propozoni ministra, ndërsa ndonjë tjetër që t’i mbështesë ministrat e juaj. Një e gjë e tillë nuk ekziston në praktikën botërore dhe vlerëson se ka mjaftueshëm ditë për atë të bëhet të dielën”, shtoi Kovaçevski.

VMRO-DPMNE në kontekst të formimit të Qeverisë teknike dhe deklaratën e kryeministrit Dimitar Kovaçevski që vendet e tyre të mbeten bosh derisa nuk votojnë Qeverinë teknike, ka vënë në dukje nenin 3 nga Ligji për Qeverinë në të cilën mes tjerash thuhet se “mandatari propozon ministra për secilën nga ministritë e krijuara me ligj dhe ministra pa resor”.

Partia opozitare ende nuk ka marrë vendim për çështjet kadrovike në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Punë dhe Politikë Sociale dhe për zëvendësministrat plotësues. Deri tani paralajmëruan vetëm mbledhje e Komitetit ekzekutiv të partisë të mërkurën. Për atë se kur do të shpallen emrat e përfaqësuesve të tyre në qeverinë teknike, dje në një deklaratë për media, koordinatori i Grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski tha se deri në fund të javës ka ende kohë për këtë. Ai konfirmon se të mërkurën është planifikuar seanca e Komitetit Ekzekutiv, por kjo varet edhe nga ajo që do të ndodhë në ditët në vijim.

Sipas analistit politik Petar Arsovski, VMRO-DPMNE duhet të mendojë mirë dhe të votojë për Qeverinë e Përzhinos, sepse kështu do të ketë përfaqësuesit e saj, ministra dhe deputetë dhe vetëm atëherë do të mund të kontrollojë keqpërdorimet e mundshme të procesit zgjedhor. Ndryshe, Arsovski thotë se Qeveria teknike pa opozitë është e njëjta qeveri politike.

“Qëllimi i qeverisë së Përzhinos është të vendosë mekanizma kontrolli shtesë në departamentet kyçe ku shpenzohen resurse shtetërore para zgjedhjeve. Nëse ai kontroll nuk ekziston, atëherë ajo qeveri është politike dhe jo e Përzhos, pavarësisht nëse kryeministri është shqiptar, maqedonas, nga një parti apo nga një tjetër. Shpresoj se do ta formojnë qeverinë e Përzhinos, sepse kjo i shkon për shtat VMRO-DPMNE-së, duke pasur parasysh se ajo prin në sondazhe dhe i përshtatet që zgjedhjet të jenë sa më legjitime. Unë jam i prirur të besoj se ata do të gjejnë një lloj kompromisi, sepse asnjë parti, veçanërisht VMRO-DPMNE, nuk është rehat me hedhjen e njollës në zgjedhje”, tha Arsovski.

Dorëheqjet e kryeministrit Kovaçevski dhe kryeparlamentarit Xhaferi duhet të bëhen në ditët para seancës së re të Parlamentit të caktuar për të premten, më 26 janar, kur do të konstatohen dorëheqjet dhe zgjidhet kryetari i ri i Parlamentit, Jovan Mitreski, koordinatori aktual i grupit parlamentar të LSDM-së.

Nga Kabineti i Xhaferit dje kumtuan se orari i aktiviteteve në Parlament i cili është ndarë më parë mbetet i pandryshuar. “Në periudhën prej 22 deri më 28 janar në seancat plenare do të kryhen këto procedura: konstatimi i dorëheqjes së Kryetarit të Qeverisë dhe Kryetarit të Kuvendit, zgjedhja e kryetarit të ri të Kuvendit, njoftimi i presidentit të shtetit për caktimin e mandatit të kryetarit të ri të Qeverisë, zgjedhje e Qeverisë, ministrave, zëvendësministrave dhe zëvendësministrave shtesë, si dhe konstatimin e përfundimit të mandatit të deputetit dhe verifikimin e mandatit të një deputeti të ri në Njësinë Zgjedhore 5. Për të gjitha aktivitetet dhe afatet e sakta do të informojmë me kohë”, theksuan në atë kohë nga Kuvendi. Në koordinimet me Xhaferin rregullisht nuk marrin pjesë përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së, ndërsa tani edhe përfaqësuesit e opozitës shqiptare, e cila e bllokon Parlamentin për shkak se nuk u pranua kandidati i tyre për anëtar të KSHZ-së.

Në konferencën e djeshme në Shkup për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, mori pjesë edhe ndihmës sekretari shtetëror për çështje evropiane dhe euroaziatike të SHBA-së,  Xhejms O’Brajan, i cili në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Kovaçevski, Qytetarët e Maqedonisë së Veriut do të kenë një zgjedhje të qartë në muajt e ardhshëm, mes vizionit për të ecur drejt Evropës dhe diçkaje krejtësisht tjetër. “Do të varet nga qytetarët të vendosin. SHBA-ja dëshiron ta shohë Maqedoninë e Veriut të bëhet pjesë e BE-së sa më shpejtë të jetë e mundur”, tha O’Brajan.

Diplomati amerikan theksoi se SHBA-ja beson se është në interesin e tyre të plotësohen interesat e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor dhe të rinjtë të kenë një integrim më të afërt me Evropën. Prandaj më përshtatet që jam këtë javë në Shkup, me kryeministrin në takimin e tij të fundit ndërkombëtar në këtë mandat, por ju siguroj se Maqedonia e Veriut dhe SHBA do të vazhdojnë të punojnë në bashku në trajektoren e vendit drejt Evropës. Populli i këtij vendi do të ketë një zgjedhje të qartë në muajt në vijim, mes vizionit për të ecur drejt Evropës dhe diçkaje krejtësisht tjetër. Do të jetë në dorën e qytetarëve që të vendosin. Nga pikëpamja e SHBA-së, ne duam që Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e BE-së sa më shpejt të jetë e mundur”, tha O’Brajan.

I pyetur për ekzistencën e një “non-pejper” të partive politike shqiptare, me të cilin do të angazhohen që të mos bëjnë koalicion me një parti që nuk do të zbatojë ndryshimet kushtetuese në gjashtë muajt e ardhshëm pas zgjedhjeve, O’Brajan tha se ai nuk dinte asgjë për këtë. “I qëndroj asaj që thashë në nëntor dhe asaj që thashë sot. Ne besojmë se u takon qytetarëve të Maqedonisë së Veriut të vendosin për rrugën përpara. Unë besoj se një parti propozon një rrugë përpara dhe pranon kritikat sepse disa njerëzve u pëlqen ose nuk u pëlqen ai drejtim. Një parti tjetër premton se do të gjejë një mënyrë për të ecur përpara dhe mendoj se është e drejtë që qytetarët e vendit ta pyesin atë parti për këtë non-pejper dhe ata të vendosin mes vizionit që dinë dhe asaj që jepet si premtim”, tha O’Brajan. (koha.mk)

 

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm