Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në lidhje me sulmin terrorist ndaj kompleksit të kompanisë së Industrive Turke të Aviacionit dhe Hapësirës (TUSAŞ) në Ankara, transmeton Anadolu.
Në reagimin e tij të publikuar në rrjetet sociale, Rama shkruan se “Jemi thellësisht të tronditur nga raportimet për viktimat dhe të plagosurit në Ankara”.
“Shqipëria qëndron krah Turqisë si dy kombe vëllazërore dhe aleate të NATO-s. Dënojmë ashpër terrorizmin në të gjitha format e tij dhe jemi plotësisht të bindur se Republika e Turqisë do të dalë më e fortë nga ky akt i pabesë ndaj qytetarëve të saj të pafajshëm”, thekson Rama.
Edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dënuar sulmin terrorist që ndodhi në Ankara.
Presidentja Osmani nëpërmjet rrjeteve sociale ka thënë se Kosova qëndron me aleatin e saj, Turqinë, “pas sulmit të sotëm terrorist në Ankara”.
“Ngushëllimet tona më të thella shkojnë për familjet dhe të dashurit e viktimave. Terrorizmi dhe dhuna nuk kanë vend në botën tonë”, shkroi Osmani.
Në një postim në platformën sociale X, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, tha se qëndron në solidaritet me popullin e Turqisë.
“Unë qëndroj në solidaritet të plotë me popullin e Ankarasë dhe të gjithë Turqisë pas këtij sulmi të tmerrshëm terrorist. Ngushëllimet e mia të përzemërta për familjet dhe të dashurit e viktimave. Kjo dhunë e pakuptimtë nuk do të triumfojë kurrë mbi paqen”, është shprehur presidentja.
Në fund, ajo po ashtu ka shkruar mesazh të shkurtër në gjuhën turke për presidentin turk Recep Tajip Erdogan, me fjalët “Güçlü kal (Qëndro i fortë), RTErdogan”.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka deklaruar në X: “Mendimet dhe lutjet e mia janë me popullin turk, pas sulmit tronditës terrorist në Ankara”.
“E dënoj fuqishëm këtë akt terrori. Në këto kohë të vështira, ne qëndrojmë të bashkuar me qytetarët e Turqisë dhe riafirmojmë përkushtimin tonë për paqen dhe sigurinë”, shtoi ai.
Sipas autoriteteve turke, në sulmin e sotëm terrorist në kompleksin e Industrisë Turke të Aviacionit dhe Hapësirës (TUSAŞ) në kryeqytetin Ankara, pesë persona kanë humbur jetën dhe 22 janë plagosur. Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya, konfirmoi se katër persona kanë humbur jetën dhe 14 janë plagosur si rezultat i sulmit, prej të cilëve tre janë në gjendje të rëndë. Ai, po ashtu tha se dy terroristë të përfshirë në sulm janë neutralizuar.