Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit “Standard & Poor’s” (S&P) ka rishikuar perspektivën e saj për Shqipërinë nga “perspektivë e qëndrueshme” në “perspektivë pozitive”.
Në të njëjtën kohë, agjencia ka rikonfirmuar vlerësimin e vendit në “B+”.
“Perspektiva pozitive” sipas agjencisë pasqyron pikëpamjen e saj se parametrat fiskale të vendit do të vijojnë të përmirësohen përtej pritshmërive.
Kjo nëpërmjet përpjekjeve të qeverisë për të konsoliduar financat publike.
Për më tepër, pavarësisht një ngadalësimi të partnerit kryesor tregtar të vendit, BE-së, agjencia parashikon që parametrat e pozicionit të jashtëm të Shqipërisë mund të përmirësohen më shumë se sa pritet, ndërsa ekonomia globale rimëkëmbet dhe sektori shqiptar i turizmit vazhdon të zgjerohet.
Agjencia parashikon se pas një moderimi të rritjes për këtë vit në 3%, kryesisht për shkak të kërkesës së huaj më të ulët nga Evropa, rritja pritet të rimarrë shpejtësi pas vitit aktual 2023, duke u mbështetur edhe në lehtësimin e kushteve financiare dhe rritjen e aktivitetit ekonomik global.
Shqipëria është përballur me një sërë goditjesh, përfshirë një tërmet në vitin 2019.
Pavarësisht kësaj, Qeveria ka bërë përpjekje të forta për të konsoliduar financat publike.
Si rezultat, agjencia pret që deficiti buxhetor të konvergojë në rreth 2% të PBB deri në vitin 2026 dhe borxhi publik të reduktohet në 58.3% në 2026 nga 64.5% që rezultoi në 2022.
Ndërkohë duke pasur parasysh mungesën e mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe gjeografike të Shqipërisë, mbështetjen e saj të fuqishme të brendshme për BE-në dhe shumicën parlamentare të qeverisë, e cila lehtëson kalimin e reformave, agjencia beson se vendi është i mirëpozicionuar për të përparuar në ofertën e tij për anëtarësim në BE, pa pengesa të mëdha të jashtme. (AP)