Nga BDI kanë reaguar në lidhje me raportin e “Reporterëve pa Kufij”, ku liria e shtypit në Maqedoninë e Veriut shënoi rënie për 6 pozita. Nga BDI thonë se është e domosdoshme të mbështeten standardet profesionale, pavarësia e shërbimit publik, mbrojtja e gazetarëve dhe gatishmëria institucionale për t’iu përgjigjur raportimit kritik me llogaridhënie.
“Tregues serioz për prirjet negative në qeverisjen demokratike dhe raportin me mendimin kritik në vend. Analiza e detajuar nxjerr në pah dobësi të mëdha – nga konteksti politik dhe korniza ligjore, deri te presionet ekonomike dhe siguria e gazetarëve. Ajo që shqetëson më shumë është se raporti identifikon qartë ekzistencën e disa sistemeve mediatike paralele, të lidhura drejtpërdrejt me qendra politike dhe ekonomike të pushtetit, të cilat ndikojnë në politikën redaktuese dhe minojnë besimin e qytetarëve. Në vend që të garantojë pavarësinë institucionale, Qeveria ka zgjedhur ta thellojë klientelizmin përmes mekanizmave të rinj ndikimi, përfshirë edhe reklamimin e institucioneve publike në media private – çka risjell në vëmendje çështjen e transparencës dhe trajtimit të drejtë të sektorit mediatik”, thonë nga BDI.