E hënë, 17 Mars, 2025
15.8 C
Skopje

REFORMA APO PËRNDJEKJE POLITIKE?! Interpelancat ndaj Këshillit Gjyqësor në Parlament

Në Parlament ka filluar shqyrtimi i interpelancave të ngritura ndaj pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Parlamenti. Në seancën plenare të 40-të Parlamentit dominua debati nëse ky hap është fillim i reformave apo një sulm ndaj pavarësisë së gjyqësorit

Ersan PAJAZITI

Shkup, 11 mars – Nisje e reformave në sistemin e drejtësisë apo sulm ndaj pavarësisë së gjyqësorit. Këto dilema u debatuan në seancën plenare të Parlamentit, ku nisi shqyrtimin i interpelancave të ngritura ndaj pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Në fillimin e seancës së 40-të të Parlamentit, deputeti i Frontit Europian Talat Xhaferi kishte kritika sa i përket procedurës. Sipas tij, përderisa anëtarët e Këshillit Gjyqësor në parlament janë zgjedhur me shumicë të Badinterit, është e papranueshme që procedura për shkarkimin e tyre të jetë vetëm me shumicë të thjeshtë prej 61 deputetëve. Ai, fajtor për këtë lëshim të procedurës, e bëri kryetarin e parlamentit Afrim Gashin.

“Kryetari i parlamentit ka vendosur që të shkarkohen vetëm me 61 vota, pa votim të dyfishtë. Ligjet dhe Kushtetuta thotë se si është zgjedh, ashtu edhe shkarkohen. Nëse janë zgjedh tre anëtarë me shumicë të dyfishtë, ju propozoni ti shkarkoni me shumicë të thjeshtë. Jeni në kundërshtim me procedurat për emërimet dhe shkarkimet e personave që shkarkohen nga Parlamenti”, theksoi deputeti i Frontit Europian, Talat Xhaferi. Në përgjigjen e tij, kryeparlamentari Gashi sqaroi se nuk bëhet fjalë për shkarkim, por vetëm për interpelancë, që nuk ka efekt ekzekutiv. “Nuk bëhet fjalë për shkarkim, por për interpelancë. Këtë që e thatë ju, ka të bëjë me mënyrën e shkarkimit. Ne sot nuk po flasim për shkarkim, por për instrumentin e mbikëqyrjes së kontrollit të personave që parlamenti i zgjedh”, theksoi kryeparlamentari Afrim Gashi.

VMRO-DPMNE seancën për shqyrtimin e interpelancave e kanë konsideruar si moment kyç për sistemin e drejtësisë në vend. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Kovaçki theksoi se interpelancat për pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor nuk janë kalkulim politik, por, siç tha, hapi i parë drejt shpërbërjes së sistemit korruptiv të krijuar nga qeveria e LSDM-së dhe BDI-së në vitet e fundit.

“Kjo nuk është çështje partiake, por çështje e së ardhmes. Ne si shumicë parlamentare kemi për detyrë ndaj qytetarëve, ndaj brezave të ardhshëm, ndaj atyre që meritojnë të jetojnë në një vend me drejtësi, të marrim një vendim që përfundimisht do t’i japë fund kontrollit politik mbi gjyqësorin. Këshilli Gjyqësor ka 2 për qind besim te qytetarët. Ky nuk është një institucion që gëzon respekt, ky është një organ që i shërbeu mafies politike dhe të biznesit për të mbrojtur njerëzit e saj nga përgjegjësia”, tha Kovaçki. Gjithashtu deputeti u bëri thirrje të gjitha partive opozitare që të tregojnë qëndrimin e tyre të vërtetë ndaj drejtësisë. “VMRO-DPMNE do të zbatojë reforma që përfundimisht do t’i japin fund partizimit të gjyqësorit. VMRO-DPMNE nuk do të lejojë që asnjë kriminel t’i shpëtojë drejtësisë vetëm pse dikur ka qenë në pushtet. Gjyqësori duhet të jetë i pavarur. Këshilli Gjyqësor duhet të jetë i lirë nga ndikimi partiak. Prandaj, sot është dita kur të gjithë duhet të shikohemi në pasqyrë dhe t’i bëjmë vetes një pyetje të thjeshtë: çfarë do t’u lëmë brezave të ardhshëm? Një shtet i robëruar apo drejtësi e vërtetë? Qytetarët kërkojnë përgjegjësi. Maqedonia kërkon drejtësi. Është koha për të ofruar” tha Kovaçki.

Nga ana tjetër ish- kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva ishte e ashpër gjatë fjalimit të saj në parlament. “Politika është munduar të më nënçmojë dhe degradojë nëpërmjet plasimit të të pavërtetave”, tha Dameva, duke thënë se gjatë kësaj periudhe nuk ka reaguar për të mbrojtur integritetin e institucionit të Këshillit Gjyqësor. Megjithatë ajo tha se ajo që është e dhimbshme dhe e papranueshme, është fakti që dëm kolateral i gjithë kësaj situate ka qenë familja e saj. Ajo konsideroi se është në shënjestër të qeverisë për shkak se nuk është nën kontroll të tyre.

“Që në momentin kur jam bërë kryetare e Këshillit e kam ditur se ju politikanët do ti shfrytëzoni të gjitha mundësitë që të na devalvoni neve gjyqtarëve që nuk ju shërbejmë juve. Familja ime nuk është e detyruar që të dëgjojë të gjitha ato të pavërtetat. Gjithmonë jam e hapur për kritikë, di ta dëgjojë dhe e vlerësojë. Erdha këtu që të ballafaqohem me drejtësinë selektive, këtë e kam borxh si udhëheqës i funksionit publik”, theksoi Dameva. Ajo ashpër e ka kundërshtuar procedurën për siç tha shkarkimin e paligjshëm të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, duke alarmuar se kjo situatë do të ketë pasoja serioze në tëa ardhmen. “Po ndodh sulm ndaj pavarësisë së gjyqësorit. Po bëhet një presedan i rrezikshëm që do të ketë pasoja edhe për gjyqësorin edhe për shtetin. Përgjegjësi duhet të ketë, por ajo duhet të jetë individuale, e jo kolektive”, tha Dameva.

Nga LSDM konsiderojnë se ngritja e interpelancave është kundër kushtetuese. Deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski nga foltorja e Parlamentit theksoi se kjo procedurë është një sulm i tmerrshëm ndaj vlerave demokratike të shtetit dhe pavarësisë së gjyqësorit. Reformat në Këshillin gjyqësor dhe sistemit të drejtësisë, sipas Spasovskit, nuk duhet të jenë çështje e parlamentit dhe partive politike.

“Nuk është çështje e parlamentit, por përkundrazi një mënyre se si qeveria zbaton një goditje ndaj sistemit të drejtësisë, por mbi të gjitha sulm ndaj qeverisjes së të drejtës dhe sulm ndaj Kushtetutës. Kjo nuk është diçka e re, kur është në pyetje thyerja e Kushtetutës nga kjo shumicë parlamentare”, theksoi Spasovski, sipas të cilit interpelanca ndaj anëtarëve të Këshillit Gjyqësor janë në kundërshtim edhe me Kushtetutën e vendit. “Këtu po thirreni në reforma në sistemin e drejtësisë, që janë të nevojshme për shtetin, ndërsa këtë reformë e fillojmë nëpërmjet operacionalizimit të një interpelancë kundër kushtetuese. Sepse neni 1 është shumë i qartë dhe parashikon që interpelanca është e parashikuar për ata që përgjigjen para parlamentit, e ajo është qeveria dhe organet tjera të ekzekutivit. Këshilli Gjyqësor është një pjesë e pavarur e sistemit të drejtësisë”, tha Spasovksi.

Nga Fronti Eruopian e kanë vlerësuar si veprim që për qëllim ka marrjen e kontrollit të pushtetit ekzekutiv mbi gjyqësorin. Ky veprim sipas deputetit Ilir Hasani, i ngjan doktrinës komuniste.

“A bëhet interpelancë për Këshillin Gjyqësor? Asnjë regjim nuk ka bërë një akt të tillë. Jo që askush nuk e ka bërë, por askujt nuk i ka shkuar mendja që ta bëjë. Për mua ky veprim është pa presedan dhe në demokraci nuk kalon. Pushteti për momentin po e minon pavarësinë gjyqësorit, duke vepruar në kundërshtim me ligjin për Këshillin Gjyqësor. Kur gjyqësori është në presion, drejtësia është iluzion. Pavarësia e gjyqësori nuk është luks por domosdoshmëri dhe e drejtë e pashmangshme”, theksoi deputeti i Frontit Europian, Ilir Hasani.

Ndërsa grupi parlamentar i partisë E Majta u deklaruar se do t’i mbështesin interpelancat për pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor, njoftoi koordinatori i kësaj partie, Borislav Krmov. “Duhet të dërgohet një mesazh për gjyqësorin. Dhe përgjegjësia duhet të ketë tani dhe menjëherë. Nuk mund të kemi një kastë të qytetarëve, siç janë gjyqtarët në këtë shtet, të cilët pothuajse nuk mbajnë përgjegjësi për asgjë. Nuk duhet të anashkalohet përgjegjësia personale e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. Ata janë më përgjegjësit për situatën katastrofale në të cilën ndodhet gjyqësori maqedonas. Ata i emërojnë gjyqtarët, ata i shkarkojnë, ata nisin procedurat disiplinore dhe duhet të mbajnë përgjegjësi” tha Krmov, I cili tha se megjithatë interpelancat nuk nënkuptojnë reformë në drejtësi.

Përndryshe deputetët e shumicës parlamentare kanë ngritur iniciative mbi pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga parlamenti, edhe atë ndaj Vesna Damevas, Pavlina Crvenkovskës, Selim Ademit, Tanja Çaçarova Ilievskas dhe Milazim Mustafës. (koha.mk)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm