Universiteti “Nëna Tereza” në Shkup së shpejti pritet të zgjedhë rektorin e saj të ri, pasi rektorit aktual Izet Zeqiri i skadon mandati.
Gara do të nisë javën e ardhshme dhe pritet të jetë e nxehtë. Siç mëson Tv21 dy janë kandidatët kryesorë: profesorët Bekim Fetaji dhe Blerim Saiti. Megjithatë burime të televizionit brenda këtij universiteti kanë ngritur shqetësime në redaksinë tonë për njërën prej kandidaturave.
Fetaji është inxhinieri i IT-së. Sipas CV-së së tij, studimet bachelor i ka kryer në “Shën Qirili dhe Metodi” në Shkup, studimet master i ka kryer në Oxford të Mbretërisë së Bashkuar, ndërsa është Doktor i shkencave teknologjike me studime të kryera në Grac të Austrisë.
Saiti është profesori i edukimit fizik. Sipas CV-së, studimet bachelor dhe master i ka kryer në Institutin e kulturës fizike në Universitetin e Tiranës, ndërsa doktoratën në “Shën Qirili dhe Metodi” në Shkup në 2013-tën.
E shqetësimet që i kanë ngritur pjesë e botës akademike është rezultati i dobët i profesor Blerim Saitit në shollën e mesme. Ata madje kanë paraqitur dokumente të zbuluara nga regjistrat e shkollës së mesme, ku siç mund të shihet nga kjo, Saiti të gjitha notat i ka 2-sh – një rezultat që anëtarë të komunitetit akademik, që kërkuan t’u ruhet identiteti, e konsiderojnë të papranueshëm për standardet e kërkuara për një profesor, për të mos folur për një Rektor.
Krejt kjo merret vesh se ka shkaktuar zemërim dhe revoltë mes stafit akademik dhe studentëve të Universitetit, të cilët kërkojnë një hetim të plotë dhe përgjegjësi për vendimet që kanë çuar në këtë situatë. Është ngritur pyetja mbi kriteret e përzgjedhjes dhe integritetin në sektorin universitar. Ata konsiderojnë se një kandidat me një rekord akademik të dobët nuk duhet të ketë qasje në një pozitë kaq të rëndësishme, që ndikon jo vetëm në administrimin e institucionit, por edhe në të ardhmen e të rinjve dhe trashëgiminë kulturore të komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. (Tv21)