Me një titull intrigues, autori e grish lexuesin jo vetëm në një rrëfim për veten, por edhe më gjerë. Se pse e shkroi këtë libër, që në fakt duhej të ishte një monografi e shkruar nga Instituti i teatrologjisë, autori e shpjegon në krye të herës. Çdo artist duhet të vlerësohet në këtë botë për punën, veprat që ia ka dhuruar botës së artit dhe artdashësve
Evis HALILI
Shkup 20 janar – Monografia “Urtësi e Marrëzi” nga Bajrush Mjaku, e ribotuar në gjuhën shqipe, sjell të përmbledhura mbresat, kujtime dhe vlerësimet që i janë bërë aktorit. Me një titull intrigues, autori e grish lexuesin jo vetëm në një rrëfim për veten, por edhe më gjerë. Se pse e shkroi këtë libër, që në fakt duhej të ishte një monografi e shkruar nga Instituti i teatrologjisë, autori e shpjegon në krye të herës. Çdo artist duhet të vlerësohet në këtë botë për punën, veprat që ia ka dhuruar botës së artit dhe artdashësve, shkruan Mjaku.
“Mospërfillja e njerëzve në përgjithësi porsa i përket krijimtarisë së artistit nga “komisarët” e komisioneve të kulturës me dashje apo pa dashje kanë ofenduar personalitetin tim dhe pikërisht falë mospërkrahjes së idesë nga Ministria e Kulturës iu rreka punës për të hedhur në letër një pjesë të asaj çka u shkrua për jetën time artistike….prezantimet anembanë botës të cilat shpeshherë ‘komisarët’ i quanin shëtitje të Bajrushit në botë”, shkruan autori. Në parathënien e librit recensenti Luan Starova vëren se Mjaku gjatë karrierës së tij arriti të imponohej si një nga institucionet qendrore teatrore në vend, Ballkan dhe Evropë.
“Kjo monografi do të thotë edhe një përmendore e vogël e artit teatror të një njeriu që u ngrit në një lloj institucioni individual teatro, por edhe të një njeriu, i cili me energjinë krijuese të fuqishme ka ditur edhe di që teatrit t’i japë një domethënie të veçantë, aq të nevojshme dhe të njohur në anët tona ku fshihen edhe enigmat e vlerave në marrëdhëniet e dendësuara ndëretnike”, shkruan shkrimtari Luan Starova.
Dramaturgu Stefan Çapaliku e quan një fat të madh për historianët e teatrit dhe kulturës që të kenë dëshmi autentike të protagonistëve të kohës.
“Kam lexuar jetën e një njeriu që e ka shndërruar që e ka shndërruar në jetë të tjera që kanë qenë rolet e tij. Në këtë libër gjendet teknologjia e shndërrimeve nga një karakter në tjetrin, gjë që mrekullisht ka ndodhur me jetën e Bajrush Mjakut, e cila në vetvete jo vetëm që nuk është trandë nga prej këtyre shndërrimeve, por përkundrazi, është përsosur deri në burrnim. Gjendet në libër edhe jeta e teatrit brenda të gjitha konteksteve socialkulturore që kanë shoqëruar Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë, por edhe vende të tjerë të rajonit tonë që nga vitet ’70 e deri më tash. Merret vesh nga libri se në përgjithësi teatri ka qenë një pasqyrë e këtyre zhvillimeve. Shpesh një pasqyrë kristali, por shpesh edhe një pasqyrë e thyer e një banjoje publike”, thotë recenzenti i librit, dramaturgu Stefan Çapaliku. Nga ana tjetër, si profesor i dramës, Çapaliku shpreh bindjen se libri do të jetë një ndihmesë e vyer edhe për studentët e artit dramatik, veçanërisht për ata të aktrimit, që do kenë mundësi të ndjekin për së afërmi gjurmimet estetike dhe metodologjike të mjeshtrit Mjaku. (koha.mk)