Duke refuzuar të shqiptojë fjalët e plota të betimit që tha kryeparlamentari dhe duke refuzuar përdorimin e emrit kushtetues të vendit, sipas Maleskit, ajo i shpalli luftë Greqisë, duke thyer këmbët e qelqta të Marrëveshjes së Prespës
Xhenur ISENI
Shkup, 13 maj – Skandal, provokim, front i hapur me Athinën, janë pjesë e reagimeve në mediat greke për betimin solemn të presidentes, në të cilën ajo nuk shqiptoi emrin kushtetues të vendit. Edhe para inaugurimit të Siljanovskës, nga Athina zyrtare u dërguan mesazhe se do të prisnin të dëgjonin se në cilin shtet do ta bëjë betimin presidentja e re, gjegjësisht nëse do ta respektojë Marrëveshjen e Prespës, duke pasur parasysh deklaratat e saj në fushatën zgjedhore se nuk do të thotë kurrë “E Veriut”.Siljanovska në deklaratën solemne nuk e përmendi as Republikën e Maqedonisë së Veriut, as Republikën e Maqedonisë, por vetëm Maqedoninë.
Një ditë më parë kryeministri grek Kyriakos Micotakis bëri thirrje për respektimin e Marrëveshjes së Prespës nga lidershipi i ri në RMV-së. “Dua të shpresoj që ajo që është dëgjuar para zgjedhjeve nuk do të dëgjohet pas zgjedhjeve. Nëse kjo ndodh, do të kemi probleme”, tha Micotakis në një intervistë për kanalin televiziv grek Alfa.
Dje, nga seanca solemne në Parlament u largua ambasadorja greke Sofija Filipidu, për shkak se Siljanovska-Davkova, gjatë dhënies së betimin solemn, nuk e përdori emrin kushtetues të vendit – Republika e Maqedonisë së Veriut, por e përdori vetëm emrin Maqedonia. Disa nga mediat greke menjëherë publikuan koment “Provokim nga Siljanovska” duke e transmetuar tekstin e agjencisë shtetërore të lajmeve ANA-MPA me titullin “Maqedonia e Veriut: Gordana Siljanovska dha betimin si presidente e vendit, të cilin e quajti “Maqedoni”. “Ambasadorja e Greqisë në Maqedoninë e Veriut, Sofia Filipidu, e cila ishte e ftuar në seancën e Kuvendit për inaugurimin e Gordana Siljanovskës, u largua në shenjë protese për faktin se presidentja gjatë betimit të saj e quajti vendin “Maqedoni”, duke shkelur Marrëveshjen e Prespës, shkruan ANA-MPA.
Të paligjshme, të palejueshme dhe provokuese, e karakterizoi kryeministri grek Kyriakos Micotakis, vendimin e Gordana Siljanovska Davkova që ta përdorë emrin Maqedonia gjatë inaugurimit të saj dhe paralelisht i bëri thirrje presidentes së re “të kthehet në detyrimet ligjore dhe në sjelljet të cilat dalin nga roli i saj”, por edhe porositi se “çdo hap i Shkupit drejt Evropës”, mes tjerash, varet edhe nga përdorimi i emrit kushtetues. Në postimin e gjatë në Fejsbuk të publikuar herët në mëngjes, Micotakis përkujton në qëndrimet e Demokracisë së Re derisa ishte opozitë, thekson se Greqia nuk pranon lëshime të tilla dhe theksoi se emri, shmangia e provokimeve dhe respektimi i Marrëveshjes së Prespës janë kyçe edhe për progresin e marrëdhënieve dypalëshe dhe për perspektivën evropiane të vendit. “Zgjedhja provokuese e presidentes së re të Maqedonisë së Veriut që ta shkelë tekstin zyrtar të betimit dhe ta quajë vendin me emër të ndryshëm përfaqëson nismë të paligjshme dhe të palejueshme. Akt që e shkel Marrëveshjen e Prespës dhe vetë kushtetutën e shtetit të saj. Por edhe minimin e së ardhmes së shtetit, siç tashmë deklaruan kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe kryetari i Këshillit Evropian, Sharll Mishell”, shkroi kryeministri grek.
Pas deklaratës solemne me të cilën u zotua për kryerjen me ndërgjegje të detyrës, Siljanovska-Davkova mbajti fjalim para deputetëve nga përbërja aktuale parlamentare, kori diplomatik dhe përfaqësuesve të jetës politike dhe shoqërore. Theksoi se do të jetë president i të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre në çdo bazë, do të respektojë Kuvendin dhe do të rrethohet me njerëz profesionistë dhe kompetentë dhe se do të bëjë gjithçka për të justifikuar besimin e madh të marrë me votat e mbi 500 mijë qytetarë. Pjesën më të madhe të fjalimit të saj Siljanovska-Davkova ia kushtoi grave, sepse, siç tha ajo, për shkak të tyre vendosi të kandidojë, duke dashur t’i frymëzojë “ata që në Ballkan shpesh nuk janë presidente shtetesh”. Ajo tha “nëse mund të jem unë presidente, mund të bëheni edhe ju” dhe se është koha për unitet “që mund të nënkuptojë edhe filozofinë femërore edhe autenticitetin femëror”.
Ndaj fjalimit të Siljanovskës kanë reaguar edhe ekspertët. Denko Maleski – ish-ministër i Punëve të Jashtme në kolumnën e tij të fundit shkruan se me veprimin e saj, duke mos shprehur emrin e ri kushtetues, por vetëm “Maqedoni”, presidentja e re i “theu këmbët e qelqta të Marrëveshjes së Prespës”. “Ishte një moment sfide ndaj padrejtësisë që sipas të drejtës ndërkombëtare i është bërë një shteti i cili nën presionin e një tjetri duhej të ndryshonte emrin kushtetues. E thënë nga pozita e presidentes, ishte një thirrje për qytetarët dhe për punonjësit e administratës shtetërore, që ta ndjekin shembullin e saj”, thotë Maleski.
Duke refuzuar të shqiptojë fjalët e plota të betimit që tha kryeparlamentari dhe duke refuzuar përdorimin e emrit kushtetues të vendit, sipas Maleskit, ajo i shpalli luftë Greqisë, duke thyer këmbët e qelqta të Marrëveshjes së Prespës.
Nga ana tjetër, reagoi edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë e cila kumtoi se “marrëdhëniet dypalëshe me shtetin fqinj dhe rruga e tij europiane varen nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës dhe përdorimi i emrit kushtetues”. MPJ-ja greke thekson se “gjatë kohës së betimit në Kuvend edhe krahas faktit që në tekstin zyrtar të betimit që i është diktuar, vendi ishte me emrin ‘Maqedonia e Veriut’, presidentja e re e Republikës së Maqedonisë së Veriut, znj. Siljanovska-Davkova, ka zgjedhur ta quajë ‘Maqedoni'”. “Ky veprim qartë e shkel Marrëveshjen nga Prespa, por edhe Kushtetutën e vendit fqinj, e cila është e harmonizuar me obligimet e saj ndërkombëtare”, njoftojnë nga MPJ-ja greke, duke theksuar se Qeveria greke, edhe krahas ankesave që i ka shprehur si opozitë, e respekton Marrëveshjen si marrëveshje të ratifikuar ndërkombëtare, e cila mbisundon ndaj secilës dispozitë tjetër ligjpore.
Kryetari i partisë opozitare greke SYRIZA-s, Stefanos Kaselakis, në platformën “X” i bëri thirrje, siç shkruan, “udhëheqësisë së re të Maqedonisë së Veriut që të vijë në vete dhe të mendojë për përgjegjësitë e veta ndaj historisë dhe ardhmërisë së popullit të saj”. Lideri i partisë opozitare greke parashtron pyetje, por edhe kritika deri te kryeministri aktual grek lidhur me Marrëveshjen nga Prespa, duke e marrë parasysh qëndrimin dhe kundërshtimin e Kirjakos Micotakis në periudhën derisa ka qenë opozitë.
Edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, përmes platformës Iks ka thënë se Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë me anëtarësimin në BE përmes zbatimit të reformave dhe duke respektuar marrëveshjet e lidhura, përfshirë atë të Prespës. “Që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj të suksesshme drejt anëtarësimit në BE, është më e rëndësishme që vendi të vazhdojë në rrugën e reformave dhe respektimin e plotë të marrëveshjeve të saj detyruese, përfshirë Marrëveshjen e Prespës”, ka shkruar Ursula fon der Lajen.
Ministria e Punëve të Jashtme konfirmon orientimin e qartë të vendit në respektimin pa mëdyshje të dispozitave kushtetuese si dhe të të gjitha obligimeve të ndërmarra ndërkombëtarisht, si respektimi i plotë i Marrëveshjes për Partneritet Strategjik ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë, e njohur si Marrëveshja e Prespës. MPJ bën thirrje për kujdes nga të gjithë aktorët politikë, veçanërisht funksionarët e zgjedhur shtetëror. “Gjatë shtatë viteve të fundit, dy vendet fqinje kanë zhvilluar një nivel jashtëzakonisht të lartë të dialogut politik, i cili ka rezultuar në një rritje të disafishtë të bashkëpunimit ekonomik dhe në ndërtimin e marrëdhënieve pozitive mes qytetarëve. Këto përfitime rezultuan me anëtarësimin e vendit në NATO, hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, si dhe avancimin e Partneritetit strategjik në Dialog strategjik me SHBA-në. Bëjmë thirrje për kujdes nga të gjithë aktorët politikë, veçanërisht funksionarët e zgjedhur shtetëror. Ruajtja e kursit euroatlantik të vendit është interes themelor strategjik dhe garantues i sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë të vendit”, thekson MPJ-ja.
Reagimet e para politike në vend erdhën nga Fronti Europian i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim, të cilët vlerësuan se presidentja e re me betimin e ka shkelur Kushtetutën. Koordinatori i grupit të deputetëve të BDI-së, Arbër Ademi tha se Gordana Siljanovska Davkova, e ka shkelur Kushtetutën gjatë dhënies së betimit të saj, ka bërë thirrje në unitet, ka përmendur vetëm dy liderë të partive dhe nuk ka thënë asgjë thelbësore dhe nuk është përqendruar në integrimet. “Ishte fjalim për 8 mars, pa asgjë thelbësore, as nuk është përmendur NATO-ja dhe anëtarësimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, si dhe të gjitha sfidat që na presin, as nuk tha një fjalë për Bashkimin Evropian dhe procesin integrues të vendit me të gjitha sfidat që na presin. Nuk tha asnjë fjalë për kultivimin e marrëdhënieve ndëretnike, as për Marrëveshjen e Prespës, as për Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Republikën e Bullgarisë, as për ndryshimet kushtetuese”, tha Ademi.
Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, në reagimin ndaj fjalimit të presidentes së shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, vlerëson se ajo nuk e ka respektuar emrin kushtetues të shtetit dhe se me këtë “betimi i saj bëhet i pavlefshëm”. “Mosrespektimi i emrit kushtetues të shtetit e bën betimin e Siljanovskës të pavlefshëm. Ose përsëritje e procedurës ose Jovan Mitrevski (kryetar i Kuvendit) duhet të marrë funksionin e presidentit të Shtetit si ushtrues detyre”, thotë Lloga.
Koalicioni VLEN, thekson se nuk duhet të hapen plagët e vjetra dhe se presidenti duhet të jetë shembull për respektimin e Kushtetutës. Shprehin, siç theksojnë, shqetësim për ndikimin e emocioneve të fushatës zgjedhore në racionalitetin e hapave të parë në realpolitikë. (koha.mk)