E mërkurë, 6 Nëntor, 2024
5.8 C
Skopje

Ripushtimi i heshtur nga Serbia

Kërkesa për një “zajednicë” monoetnike, është kërkesë për administrim territori dhe asetesh ekonomike e cila shtrirjen dhe lidhjen do ta kishte horizontale edhe në Jugun e Kosovës po me një vendimmarrje vertikale deri te Beogradi. E kjo, do nënkuptonte praktikisht kufij të rinj administrativë (nga përmbajtja e draftstatuteve) duke anashkaluar dispozitat kushtetuese, rregullimin shtetëror unitar dhe subjektivitetin shtetëror të Republikës. Me këtë, Serbia, do ta realizonte ripushtimin politik të Kosovës, duke e zbehur përmbajtjen legjitime të opinionit ligjor të GjND-së dhe duke e rikthyer sërish si referencë rezolutën 1244 të KS të OKB-së

Nga Shqipërim PULA

Në rajon, vitet e nëntëdhjeta ishin vitet e udhëkryqeve e të luftërave ashtu siç ndodhi edhe me vendin tonë, Kosovën. Pas luftës së armatosur, filluan luftërat politike si rezistencë për ndikime te sfera vitale si për turma njerëzish për t’i mbështetur luftërat politike ashtu dhe për asetet e territoret ku gjendeshin ato. Prishtina politike absorboi politika urbane dhe jo urbane, legale dhe të ilegalitetit, herë me rezistencë e herë pa u vërejtur, që u akomoduan përmes betejave për përqafim institucional dhe jo vetëm. Por, krahas akterëve politikë vendorë, u përfshinë edhe akterë ndërkombëtarë publikë politikë/diplomatikë dhe të atyre parapolitikë, të cilët mjaftueshëm ndikonin në vendimmarrjen tonë, e aktiviteti i tyre intensifikohej sa herë donin të arrinin ndonjë qëllim të caktuar.

Në demokracitë me sistem parlamentar, është krejt e natyrshme të ketë forca politike parlamentare dhe joparlamentare, të cilat, secila veç-e-veç dhe së bashku kishin përgjegjësi për diçka të përbashkët që ka të bëjë me jetën politike, ekonomike, sociale, ushtarake e administrative në mbarë territorin e vendit, por, fatkeqësisht, përgjegjësitë institucionale politike nuk u shtrinë në mbarë territorin njësoj! Mbase duhet kuptuar edhe si shëmti mbi injorancën profesionale dhe hipokrizinë morale në politikë, duke krijuar kështu një kënetë morali politik në shoqëri.

Kosova e Serbia vazhdojnë të jenë në luftë, për aq sa nuk është arritur një ‘Pakt Paqeje’, e duke mos e njohur ecjen u ngutëm të vraponim, kinse për “marrëveshje normalizimi” ku brenda saj ishte Asociacioni për Komunat Serbe apo “zajednica” një organizëm monoetnik!, dhe Kosova, nuk e gjeti paqen pas shpalljes së Republikës më 17 Shkurt, 2008 e as normalizimin pas “marrëveshjes” të 27 Prill, 2013 kur i kujtojmë protestat e dhunshme, barikadimet e deri tek agresioni ushtarak më 24 Shtator, 2023 kundër rendit kushtetues e integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Padyshim, çdo marrëveshje që qeveria nënshkruan në emër të Republikës, ka rëndësinë dhe vlefshmërinë e saj, por, për aq kohë sa rrethanat dhe arsyet më tej ekzistojnë. Ndërkaq, strukturat ilegale të sigurisë, paraja (dinari), shërbimet postare, shërbimet shëndetësore, institucionet Komunale ilegale paralele të Serbisë brenda Kosovës, krijuan gjendje okupuese në pjesë të caktuara të vendit, e në veri në veçanti!. Pra, këtë gjendje, Serbia e kishte shfrytëzuar që të legjitimojë kërkesën e saj, të mbështetur edhe nga akterë evropianë e ndërkombëtarë, për institucionalizimin formal të saj përmes “zajednicës”. Kërkesa për një “zajednicë” monoetnike, është kërkesë për administrim territori dhe asetesh ekonomike e cila shtrirjen dhe lidhjen do ta kishte horizontale edhe në Jugun e Kosovës po me një vendimmarrje vertikale deri te Beogradi! E kjo, do nënkuptonte praktikisht kufij të rinj administrativë (nga përmbajtja e draftstatuteve) duke anashkaluar dispozitat kushtetuese, rregullimin shtetëror unitar dhe subjektivitetin shtetëror të Republikës. Me këtë, Serbia, do ta realizonte ripushtimin politik të Kosovës, duke e zbehur përmbajtjen legjitime të opinionit ligjor të GjND-së dhe duke e rikthyer sërish si referencë rezolutën 1244 të KS të OKB-së.

Vënia nën kontroll e veriut të vendit (e munguar gjatë) duke i neutralizuar grupet parashtetërore Serbe ka krijuar një gjendje të re, që ka mundësuar të krijohen parakushtet për sovranitet në administrim territori në mbarë kufijtë territorialë e rrjedhimisht edhe jetësimin e kushtetutës dhe pushtetit politik mbi frymën e demokracisë. Dispozitat kushtetuese dhe ligjore garantojnë parimin e barabarësisë për të gjitha pakicat në vend, që të kenë mundësi të përfshihen në institucionet lokale e qendrore për mbrojtjen e interesave të tyre pa pasur nevojë për asnjë lloj “zajednice” ekskluzivisht për pakicën Serbe. Andaj, nuk na duhen qëllimet e as kalkulimet politike për pushtet, apo fajësimet se kush e në cilat hapa gaboi me “zajednicën”, por na duhet uniteti politik për shmangien e shtrirjes politike e institucionale të Serbisë në Kosovë, duke e zbatuar një praktikë si doktrinë shtetërore, atë të parimit fundamental “Rebus Sic Stantibus” që nënkupton se marrëveshja mund të pezullohet, anulohet, përfundohet apo tërhiqen prej saj. Këtë parim, spektri politik në emër të Republikës së Kosovës ta zbatojë si valvulë sigurie, që njihet edhe nga Konventa e Vjenës (e 1969-tës) mbi Marrëveshjet/Traktatet.

Për shkak të ndryshimeve gjeopolitike kanë ndryshuar edhe gjeostrategjitë edhe te vendet anëtare të Aleancës Veriatlantike, për ilustrim janë marrëveshjet në mes të Greqisë e Francës për mbrojtje reciproke në rast sulmi eventual, qoftë ai edhe anëtar i NATO-s (aludim në Turqinë) apo atë të Indo-Paqësorit për mbrojtje reciproke në mes të ShBA-së, Mbretërisë së Bashkuar e Australisë. Ne, që ta forcojmë e mbrojmë Republikën nga çdo lloj situate, duhet të arrijmë marrëveshje mbrojtjeje me shtete aleate sepse përgjatë gjithë procesit të dialogut, Kosova politike fliste me gjuhën e arsyes e pala serbe fliste me gjuhën e barrikadimeve, dhunës e agresionit ushtarak.

Ashtu siç lufta çlirimtare ishte gjithëpërfshirëse dhe përbashkoi të gjithë shqiptarët për të njëjtin ideal ashtu dhe tani kërkohet përbashkim i gjithë spektrit politik për ta ruajtur Republikën nga Serbia dhe ata evropianë e ndërkombëtarë parapolitikë me anë të doktrinës “Rebus Sic Stantibus”.

(Marrë nga Koha.net)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm