Komandanti i Misionit të NATO-s në Kosovë, Angelo Michele Ristuccia, duke folur për situatën e krijuar në Manastirin e Banjës kur një grup terrorist u fut ilegalisht në Kosovë e sulmoi Policinë duke lënë të vrarë një pjesëtar të saj, ka thënë se prania e ushtarakëve të KFOR-it në atë zonë ka penguar që ngjarjet të përshkallëzohen në një situatë edhe më të rëndë.
Në një intervistë për mediumin serb me seli në Kosovë, Kosovo Online, komandanti italian, ka pranuar se gjatë 24 shtatorit ka negociuar me të gjitha palët.
“Kam qenë në kontakt të rregullt me të gjithë kolegët e mi relevant, përfshirë EULEX-in, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe organizatave të sigurisë së Kosovës, si dhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe”, pohoi ai.
Në dritën e ngjarjeve të fundit, Ristuccia, ka pranuar se KFOR-i ka shtuar praninë dhe aktivitetet e tij në Veri të Kosovës.
“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e hapura dhe për të gjetur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Kjo është thelbësore për sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”, ka shtuar ai.
Çfarë ndodhi?
Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.
Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.
Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.
Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.
Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.
Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.
Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.
Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.