E hënë, 16 Qershor, 2025
20.8 C
Skopje

RMV me shifra alarmante të pirjes së duharit, mbi 46 për qind e burrave dhe 27 për qind e grave në vend përdorues të nikotinës

Të dhënat statistikore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tregojnë se vendi ynë ka një normë të lartë të pirjes së duhanit, gjegjësisht mbi 46 për qind burra të rritur dhe 27 për qind e grave të rritura përdorin duhan ose produkte të tjera nikotini, deklaroi zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andonovski në ditën botërore të mospirjes së duhanit, gjatë konferencës së përbashkët për mediat me përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të UNICEF-it.

Siç theksoi Andonovski përdorimi i duhanit çon deri në humbjen e produktivitetit dhe humbjen ekonomike, duke theksuar se çdo denar i investuar në kontrollin e duhanit sjell një kthim prej 18 denarësh në kursime të shpenzimeve shëndetësore.

“Përdorimi i duhanit shkakton edhe shpenzime shëndetësore dhe mund të çojë deri në humbjen e produktivitetit, që kontribuon në humbje ekonomike. Çdo denar i investuar në kontrollin e duhanit sjell një kthim prej 18 denarësh në kursime të shpenzimeve shëndetësore dhe fitime në produktivitet. Këto të dhëna realisht pasqyrojnë nevojën për kontroll të duhanit si një imperativ të madh shëndetësor… Megjithatë, do të doja të theksoja se kontrolli i duhanit nuk varet vetëm nga sektori shëndetësor. Një nga aspektet kyçe është qasja inspektuese dhe mbështetja nga të gjitha institucionet për zbatimin e rreptë të ligjeve, rregullimin e të gjitha produkteve që përdorin duhan dhe nikotinë, si dhe futjen e masave të reja sipas nevojës”, theksoi Andonovski.

Shefi i zyrës së OBSH-së në Shkup, Akim Ali në fjalimin e tij, madje vuri në dukje se shtatë milionë fëmijë në botë janë duhanpirës. Është shqetësuese, thotë ai, që shtatë nga dhjetë duhanpirës në vend kanë filluar pirjen e duhanit në moshë të re.

“Shtatë milionë fëmijë në mbarë botën janë duhanpirës. Është vërtet shqetësues fakti se shtatë nga dhjetë duhanpirës në Maqedoninë e Veriut kanë filluar të pinë duhan në fëmijërinë e hershme. Do të pajtoheni me mua se është e papranueshme që nga 100 raste të vdekjeve të lidhura me duhanin, një e pesta i përket pirjes pasive të duhanit, kështu që duhanpirësit nuk e shkatërrojnë vetëm shëndetin e tyre, por edhe shëndetin e fëmijëve të tyre, anëtarëve të familjes dhe publikut të gjerë”, tha Ali.

Pirja e duhanit është një nga shkaqet kryesore të një sërë sëmundjeve jo ngjitëse, theksoi drejtoresha e ISHP-së Marija Andonovska, prandaj, tha se duhet vazhdimisht të kujtohet popullata për ndikimin negativ të duhanpirjes në shëndetin e tyre. Alarmante janë të dhënat nga studimi tha ajo, pasi gjysma e popullsisë së rritur në vend janë duhanpirës aktivë.

Ajo shtoi se rreth 10 për qind e personave që kanë kontaktuar linjën e ndihmës janë shkëputur me sukses nga duhani.

“Rreth 10 për qind e personave që kanë kontaktuar këtë linjë janë shkëputur me sukses nga duhani. Ndoshta përqindja nuk duket shumë e lartë, por krahasuar me vendet perëndimore ku ekzistojnë këto linja, rezultatet janë të ngjashme ose të njëjta, me një përqindje të ndalimit që sillet nga 10-12 për qind”, tha Andonovska.

Për të siguruar efekte afatgjata dhe të qëndrueshme, përfaqësuesja e Kombeve të Bashkuara Rita Kolumbia theksoi rëndësinë e qasjes së integruar dhe zbatimit të ligjit.

“Një qasje e integruar është faktor kyç në sigurimin e efekteve afatgjata dhe të qëndrueshme. Ka prova që duhani ndikon në të ardhura dhe komunitete të margjinalizuara, që do të thotë se nuk është vetëm problem i shëndetit publik, por paraqet çështje të drejtësisë sociale. Ne duhet të sigurohemi që kontrolli i duhanit të jetë gjithëpërfshirës, që do të thotë t’u kushtojmë vëmendje atyre që janë të rrezikuar”, tha Kolumbia.

Përfaqësuesja e UNICEF-it Lesli Miler, përsëri ndau të dhëna që tregojnë se mundësia për të filluar pirjen e duhanit tek të rinjtë që kanë miq është 62 për qind, ndërsa tek ata që kanë prindër duhanpirës, mundësia është 79 për qind.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm