Një punëtor i heshtur, por me një cilësi të veçantë dhe një talent që kombinohet në mënyrë perfekte në treshen e ëndrrave të Real Madrid me Mbappé dhe Vinicius Jr. Ai është Rodrygo, ylli brazilian që luajti një rol kyç në ndeshjen e parë të 1/8 finale të Champions League kundër Atletico Madrid.
Skuadra “los blancos” po përgatitet për ndeshjen e kthimit në “Civitas” të planifikuar për të mërkurën. Duke folur për UEFA.com, ai tha: “Ndeshjet kundër Atlético kanë një atmosferë ndryshe sepse është një derbi. Janë dy skuadrat më të mëdha në qytet. Atmosfera zakonisht është e ndryshme dhe të luash kundër tyre është gjithmonë e veçantë”.
“Champions League është një kompeticion që më pëlqen shumë në të cilin kam qenë gjithmonë i suksesshëm. Është i veçantë për mua sepse zakonisht gjërat shkojnë shumë mirë. Unë po bëj një sezon të jashtëzakonshëm në Champions League dhe dua të vazhdoj të ndihmoj skuadrën time edhe më shumë”, tha Rodrygo.
Duke folur për marrëdhënien me Ancelotti, tha: “Me Ancelotti kam një marrëdhënie të veçantë. Ai është një person që më ka ndihmuar shumë që nga dita e parë që ka ardhur. Mbaj mend stërvitjet e para dhe të gjitha këshillat që më dha. Ajo që mësoj prej tij në futboll dhe që përpiqem të përsëris në jetën time personale është mënyra se si ai i trajton njerëzit”.
“Ai është një qenie njerëzore fantastike, i trajton të gjithë shumë mirë dhe ne e dimë se roli që ka si trajner është shumë i vështirë, sepse duhet të menaxhojë një grup me kaq shumë lojtarë. Gjithmonë përpiqet të mbajë një ekuilibër, të trajtojë të gjithë me respekt dhe shumë mirë”, tha sulmuesi brazilian.