Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Kosovë për largimin e regjimit të letrave ngjitëse/stikerave nga veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territorin kosovar.
Vendimi i ekzekutivit kosovar për largimin e stikersave për targat e automjeteve serbe erdhi pasi Qeveria e Serbisë lejoi qarkullimin e targave të Republikës së Kosovës (RKS) në territorin serb.
E këto vendime reciproke nga të dyja shtetet, sipas Rohde, do të bëjë më të lehtë udhëtimin në mes dy vendeve fqinje.
“‘Tschüss’, stikersat në targa. Mirëpresim vendimet e qeverisë kosovare dhe serbe për largimin e regjimit të stikersave, kështu u bë më lehtë udhëtimi mes dy fqinjëve”, shkroi Rohde në platformën sociale, X.
Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë të premte, përmes një postimi në platformën sociale në Facebook, ka shpjeguar se si ka ardhur deri te vendimi i Qeverisë së Kosovës për largimin e regjimit të letrave ngjitëse/stikerave nga veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territorin kosovar.
Meqë Policia e Kosovës, sipas Kurtit, ka konstatuar se targat e Republikës së Kosovë (RKS) po qarkullojnë lirshëm e hapur nëpër territorin e Serbisë nga 1 janari 2024, atëherë Qeveria e Kosovës, në shpjegimin e Kurtit, bazuar në parimin e reciprocitetit ka vendosur lejimin e qarkullimit të automjeteve me targa të Serbisë, pa regjimin e stikersave.
Por, sipas tij, në rast se Policia e Kosovës ndërkohë pranon raportime nga terreni për ndryshim të qasjes a sjelljes nga autoritetet e Serbisë për targat RKS, atëherë edhe Qeveria e Kosovës do të veprojë. (AP)