“Në Maqedoni, si dhe në mbarë botën, po përballemi me ritme në rritje të obezitetit. Përpjekjet e deritanishme, të cilat u drejtoheshin kryesisht individëve, nuk mjaftojnë më. Në Ditën Botërore të Obezitetit është koha për t’u bashkuar për të ndryshuar sistemet që mbështesin këtë krizë shëndetësore. Koha për të mposhtur të ashtuquajturën ‘mjedis jomiqësor’”, thonë nga ISHP
Besa IBRAIMI
Shkup, 4 mars – Konsumimi i tepërt i ushqimeve të përpunuara dhe të pasura me energji është një nga faktorët e rëndësishëm që kontribuon në zhvillimin e rritjes së peshës trupore tek fëmijët. Të dhënat e fundit nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se mbipesha tek të rinjtë në Maqedoninë e Veriut është rritur për 13.6%, ndërkaq tek fëmijët dhe adoleshentët për 7.4% krahasuar me vitin 1990. Të dhënat tregojnë gjithashtu se 30.5% e fëmijëve të moshës 6-9 vjeç jetojnë me mbipeshë ose obezitet. Sipas tyre, obeziteti është më i shpeshtë tek djemtë se sa tek vajzat.
“Në Maqedoni, si dhe në mbarë botën, po përballemi me ritme në rritje të obezitetit. Përpjekjet e deritanishme, të cilat u drejtoheshin kryesisht individëve, nuk mjaftojnë më. Në Ditën Botërore të Obezitetit është koha për t’u bashkuar për të ndryshuar sistemet që mbështesin këtë krizë shëndetësore. Koha për të mposhtur të ashtuquajturën ‘mjedis jomiqësor’”, thonë nga ISHP.
Ata besojnë se duhet të futen rregulla efektive për të reduktuar konsumin e ushqimeve dhe pijeve që nxisin obezitet. “Politikat fiskale, të tilla si taksat për pijet fiskale dhe ndalimi i reklamimit të produkteve të pasura me sheqer, kripë, yndyra të ngopura dhe trans, duhet të bëhen të detyrueshme. Duhet të krijohen rregulla të qarta për etiketimin e ushqimeve në mënyrë që konsumatorët të mund të bëjnë zgjedhje të informuara për shëndetin e tyre”, thonë nga atje. Sipas tyre, obeziteti nuk është problem vetëm për individët, por është pasojë e sistemeve të dështuara në fusha të ndryshme, siç janë sistemet ushqimore, planifikimi urban, tregu i punës, ekonomia dhe sistemi shëndetësor.
Vitin e kaluar në këtë ditë ishte paralajmëruar hapja e qendrës së obezitetit për fëmijë dhe adoleshentë në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve, ndërsa tashmë ekzistojnë dy qendra për menaxhimin e obezitetit tek të rriturit, në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” dhe në Klinikën e Endokrinologjisë në Shkup. Studimi i “The Lancet” tregon se në vitin 2022, më shumë se 1 miliard njerëz në botë jetojnë me mbipeshë.
Ndryshe, me moton “Ndryshojmë sistemet për një jetë më të shëndetshme” dje në Klinikën e Endokrinologjisë, Diabetit dhe Çrregullimet Metabolike është shënuar Dita Botërore e Obezitetit. Në ngjarje kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, kryetarit të Shoqatës Shkencore Obstetrike – OBEM dhe drejtorit të Klinikës për Endokrinologji.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari në konferencën e djeshme për shtyp me rastin e Ditës Botërore të Obezitetit tha se 30 deri në 35 për qind e njerëzve në Maqedoni tashmë kanë problem me obezitetin, ndërsa në botë kjo shifër është një miliard. Në dhjetë vjet, sipas projeksioneve, do të rritet me 50 për qind, jo vetëm në vendet e zhvilluara, por edhe në vendet në zhvillim si kjo e jona. Pra nuk është problem vetëm për popullatën që ka kushte më të mira jetese, por edhe për vendet në zhvillim.
Siç theksoi Taravari, në vend janë dy qendra për trajtimin e obezitetit, përkatësisht Klinika e Endokrinologjisë dhe Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “8 Shtatori”, por, siç tha ai, Klinika e Endokrinologjisë së shpejti do të shpërndahet në Prilep. Ai theksoi se Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore tashmë kanë blerë terapinë me insulinë dhe gjithçka që nevojitet për personat me diabet.
“Ne si Ministri e Shëndetësisë, së bashku me Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, dëshirojmë të mburremi se këtë vit tashmë kemi terapi me insulinë dhe gjithçka që nevojitet për personat me diabet, tashmë është siguruar dhe jemi në procedurë për të siguruar rreth 10-20 për qind më shumë. Trajtim do të ketë edhe për pacientët me diabet dhe obezitet, të cilët trajtohen me terapi specifike. Këtë vit, ky numër do të rritet me 200 pacientë të tjerë, që është një numër relativisht i madh”, tha Taravari.