Sipas të dhënave të SPB–Ohër, për pesë muajt e parë të këtij viti në vendkalimin kufitar të “Bllatës”, janë regjistruar 303.648 hyrje dhe dalje, kurse vitin 2023 po në të njëjtën periudhë numri i udhëtarëve në hyrje dhe dalje ka qenë 266.311, që do të thotë se frekuenca e udhëtarëve është shtuar për 14 për qind
Vjollca SADIKU
Dibër, 20 qershor – Lëshimi në përdorim i rrugës kombëtare “Rruga e Arbrit”, ka ndikuar shumë pozitivisht në rritjen e frekuencës në vendkalimin kufitar “Bllatë” mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, në afërsi të Dibrës. Tani përveç dibranëve, këtë vendkalimi kufitar e shfrytëzojnë edhe banorë nga Gostivari, Tetova, Shkupi dhe Kumanova për të udhëtuar në Shqipëri, prandaj edhe të dhënat zyrtare tregojnë një rritje të frekuencës nga muaji në muaj. Deri vonë dibranët por edhe banorët nga rajoni i Pollogut dhe Shkupit, kryesisht për në Shqipëri shfrytëzonin vendkalimin kufitar “Qafë Thanë”.
Sipas të dhënave të SPB-Ohër, për pesë muajt e parë të këtij viti në vendkalimin kufitar të “Bllatës”, janë regjistruar 303.648 hyrje dhe dalje, kurse vitin 2023 po në të njëjtën periudhë numri i udhëtarëve në hyrje dhe dalje ka qenë 266.311, që do të thotë se frekuenca e udhëtarëve është shtuar për 14 për qind. Burimi i njëjtë potencon se tani në prag të sezonit veror pritet një rritje drastike e udhëtarëve sidomos nga vendi i jonë për në Shqipëri kryesisht për shkak të verimeve në bregdetin shqiptar. Gjatë qëndrimit në vendkalimin kufitar “Bllatë” në afërsi të Dibrës, biseduam me udhëtarë si nga Maqedonia e Veriut ashtu edhe nga Shqipëria, të cilët thonë se Rruga e Arbrit ka shkurtuar udhëtimin për afro 100 kilometra dhe ka një largësi pre 72 km, dhe tani nga Dibra për në Tiranë udhëtohet për afro një orë e gjysmë. Po atë ditë për në Peshkopi udhëtonin anëtarët të familjes Ballanca. Ata thanë se udhëtojnë në qytetin kufitar të Shqipërisë Peshkopi i cili është nga kufiri larg vetëm 23 kilometra. Ata theksuan se në qytetin më të afërt të Dibrës do të blejnë disa pajisje dhe atje do të kalojnë ditën duke bërë edhe disa vizita kushërinjve të tyre. Shtetasi shqiptar Astrit P. nga Bulqiza udhëtonte nëpërmjet këtij vendkalimi kufitar për në Dibër. “Njëherë në javë vij në Dibër të Madhe dhe furnizohem me prodhime ushqimore e veçmas kur ka nevojë edhe furnizohemi edhe me medikamente të cilët na barnatoret e Dibrës janë shumë më lirë se sa në Shqipëri”, thotë Astriti.
Nga fshati kufitar i Shqipërisë Maqellarë, takojmë Bekim R. i cili thotë se edhe ai është shumë shpesh në Dibër. “Jam taksist dhe vijë në Dibër për të mbushur automjetin me karburante. Këtu në Dibër karburanti është shumë më lirë dhe me kualitet më i mirë. Normalisht marr edhe sende të tjera që i nevojiten familjes. Shpesh edhe drekojmë në restorantet e Dibrës”, thotë ai. Takuam edhe shokët Qenan dhe Bashkim nga Dibra. Ata udhëtonin drejt Peshkopisë për të drekuar në pikë turistike afër Lixhave të Peshkopisë. Ata na thanë se shumë dibranë nga Dibra e madhe relaksohen sidomos vikendeve në pikat turistike të vendeve kufitare në Shqipëri. Sipas disa taksistëve nga Dibra e Madhe pothuajse çdo ditë ata dërgojnë dhe marrin mërgimtarë-udhëtarë për në aeroportin e Tiranës sepse tani ka filluar edhe ardhja e mërgimtarëve dhe ata shfrytëzojnë aeroportin e Tiranës.
Në të dy anët e kufirit shpesh ka edhe pritje , prandaj shpresohet se Qeverite e Shkupit dhe Tiranës duhet edhe në këtë vendkalim kufitar të realizojnë projektin për pikë të përbashkët kufitare sië është në Qafë të Thanës. (koha.mk)