Inter ka zyrtarizuar përfshirjen e Walter Samuel në stafin e Steffano Pioli-t. Lajmërimi është bërë ditën e sotme në profilin zyrtar të klubit milanez në Twitter: “Një luftëtar i heshtur që ka folur me fakte. Një fitues që nuk i ka braktisur kurrë zemrat tona. Mirë se u ktheve në shtëpi, Walter Samuel!”. Në fakt, ish-mbrojtësi ka filluar sot aventurën e tij të re profesionale. Samuel do të jetë bashkëpunëtori teknik i Stefano Pioli-t, do të ndjekë me vëmendje ekipin në fazën mbrojtëse. Do të ndihmojë zëvendës trajnerin Giacomo Murelli, bashkëpunëtorin tjetër Davide Lucarelli dhe përgatitësit atletik Matteo Osti dhe Francesco Perondi. “Do t’i jap diçka në nivel eksperience lojtarëve dhe stafit, – kanë qenë fjalët e para të Samuel për Inter Channel, – por edhe ata do të duhet të më ndihmojnë sepse në këtë rol të ri kam shumë për të mësuar. Në Zvicër kam kaluar dy vite fantastike, ndoshta pak të qetë”. Më pas ka theksuar se: “Jam shumë i gëzuar për këtë mundësi dhe do të kërkoj të ndihmoj me punën time stafin për të fituar ndeshjet e ardhshme”. Në fund, një koment për derbin: “Shpresoj që ekipi të fitojë. Është e rëndësishme për lojtarët të provojnë gëzime të tilla, në këtë ndeshje dhe në ato të ardhshmet”.
Artikuj të ngjajshëm

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër