E martë, 25 Mars, 2025
13.8 C
Skopje

Secili ministër me reforma gjysmake

Mësuesit nuk janë trajnuar sipas Koncepteve që kanë ndryshuar gati për çdo vit, teknologjia nuk zbatohet, pasi mungojnë kompjuterë në shkolla, kurrikula ndryshon për çdo vit dhe është e vështirë të ndiqen dhe adoptohen ndryshimet, ndërsa ka dallime të mëdha në zbatimin e reformave mes shkollave, sidomos midis shkollave urbane dhe atyre rurale. Mungesa e financave të mjaftueshme vazhdon të jetë njëri nga problemet kryesore me të cilët ballafaqohen shkollat, pasi mjetet financiare nga bllok-dotacionet dalin sa për të blerë shkumës dhe sfungjerë për të pastruar dërrasën e zezë

Vedat MEMEDALIU

Duket se Maqedonia e Veriut, me rreth 2 milionë banorë, nuk mundet assesi ta rregullojë dhe përmirësojë gjendjen në arsimin fillore dhe të mesëm. Secili ministër paralajmëron Strategji dhe Koncept të ri arsimor, megjithëse asnjëri nuk ka arrit t’i zbatojë ato në tërësi. Përkundrazi, jo vetëm që kanë dështuar, por edhe e kanë ngatërruar dhe dëmtuar zhvillimin e arsimit. Kjo u pa edhe me Konceptin e fundit të miratuar tre vite më parë. Konkretisht, nxënësit e klasës së parë dhe të katërt, nga viti 2021 filluan të studiojnë Konceptin e ri për arsimin fillor, Koncept ky që u miratua në mars të po atij viti. Në ndërkohë, Koncepti i përfshiu nxënësit deri në klasën e gjashtë dhe vetëm tre vjet më vonë, pa u vlerësuar rezultatet e arritura, u shpall Koncepti i ri arsimor për arsimin fillor dhe u anulua vazhdimi i tij për klasat e shtata, të teta dhe të nënta. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, konkretisht ministrja Vesna Janevska, beson se ky Koncept i ri do të përmirësojë rezultatet e dijeve tëk nxënësit.

Nxënësit, edhe sipas Konceptit të ri, do të kalojnë 5 deri në 6 orë në shkollë dhe mësimi do t’i përshtatet nevojave dhe mundësive. “Sigurisht, ajo që është e mirë nga koncepti ekzistues është ruajtur dhe vazhdon të zbatohet. Për shembull, qëndrimi më i gjatë i nxënësve në shkollë, futja e më shumë lëndëve zgjedhore sipas afiniteteve dhe interesave të nxënësve etj”, tha ministrja Janevska ditën kur e shpalli Konceptin e ri. Tashmë janë tetë ose nëntë lëndë obligative, varësisht nga gjuha në të cilën mësohet mësimi.

Gjithashtu, Koncepti i ri parashikon kombinimin e shkencave natyrore si biologjia, kimia, fizika dhe gjeografia fizike dhe shkencat shoqërore: historia, gjeografia sociale, edukimi qytetar, feja, etika. Janë prezantuar dy lista me lëndë zgjedhore: njëra me një gjuhë të dytë të huaj për fëmijët, të cilët do të mund të zgjedhin midis gjermanishtes, italishtes, frëngjishtes dhe rusishtes, si dhe gjuhën shqipe, për nxënësit që jetojnë në mjediset e pastra shqiptare, dhe lista e dytë e lëndëve me zgjedhje të lira si arsyetimi matematiko-logjik, historia kulturore, programimi, piktura, fotografia, drama, kërcimi, gatimi, kopshtaria, edukimi për aftësitë e jetës, aftësitë multikulturore ose sporti-rekreative.

Një nga problemet kryesore, siç thotë mësuesi Ramadan Bajrami nga Kumanova, është mungesa e trajnimit dhe përgatitjes së duhur të mësuesve për të aplikuar metodat e reja të mësimdhënies aktive dhe digjitale

KONCEPTE SA PËR TË THËNË

Mirëpo, ka shumë mësimdhënës që nuk janë shumë dakord me Konceptin e ri, sepse ata besojnë se nxënësit në moshë të vogël po ndeshen me shumë gjëra të panjohura dhe se mësimet janë të ngarkuara me shumë të dhëna që mbulojnë periudha shumë të gjera në histori dhe shoqëri. Një nga problemet kryesore, siç thotë mësuesi Ramadan Bajrami nga Kumanova, është mungesa e trajnimit dhe përgatitjes së duhur të mësuesve për të aplikuar metodat e reja të mësimdhënies aktive dhe digjitale.

Në Maqedoni, konceptet për arsimin fillor fillimisht janë paraqitur se po zhvillohet me qëllim të reformimit dhe përmirësimit të cilësisë së arsimit, por të njëjtat nuk kanë gjetur zbatimin e duhur. Procesi i zhvillimit të këtyre koncepteve i bazuar në një sërë dokumentesh, vetëm se ka rënduar punën e mësimdhënësit dhe e ka shndërruar atë në punëtorë administrative e jo mësues që ligjëron dije. Shumë mësues nuk kanë marrë mbështetjen e nevojshme për të zbatuar plotësisht këto koncepte në praktikë”, thotë Bajrami.

“Tre vitet e shkuara, Koncepti vlente për të gjitha klasat – nga e para deri në të gjashtën, ndërsa këtë vit ishte menduar të fillonte zbatimi për klasat e shtata, të teta dhe të nënta. Por, kemi njoftim se është shpallur një Koncept krejtësisht i ri. Ne si mësues, kurrë nuk kemi marrë udhëzime se si t’i mësojmë nxënësit, si të administrojnë teste, të vlerësojmë…. Ka patur dhe ka shumë paqartësi, pasi për shembull, Librave të Kembrixhit që i futën para disa vitesh e që nuk ishin të suksesshme për sistemin tonë, tani ia kanë ndërruar vetëm emrin, por librat janë të njëjta. E kuptuan ata të MASH-it se kanë qenë gabim, por nuk e pranojnë dot hapur kurrë. Dhe, dëmi është i madh, sepse bëhet fjalë për një Koncept që nuk po gjen zbatim, jo për faj të mësuesve dhe nxënësve, por për faj të sistemin që e kanë përpiluar”, thotë Mevludini, mësimdhënës në një shkollë fillore në Likovë.

REFORMA GJYSMAKE

Se reformat janë gjysmake, tregojnë edhe rezultatet e tmerrshme në teste PISA. Maqedonia e Veriut, sipas testit ndërkombëtar PISA, radhitet në vendin e 45-të në shkrim-lexim matematikor nga 58 shtete, kurse në shkencat natyrore jemi më poshtë, pra nga 58 shtete pjesëmarrëse – Maqedonia e Veriut gjendet në vendin e 51-të. Në raport me vendet tjera të Ballkanit, nxënësit në Maqedoninë e Veriut janë më të mirë në matematikë vetëm sesa nxënësit nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, ndërkohë që jemi pas nxënësve nga Shqipëria dhe Serbia. Rezultatet e testimit të kryer vitin e kaluar do të publikohen në dhjetor 2024, ndërsa zyrtarët e MASH-it kanë thënë se rezultate që do të publikohen, do të jenë të vetmet që do të tregojnë se sa i suksesshëm ishte Koncepti aktual.

Në arsimin fillor, veçanërisht, që moti është konstatuar mungesa e materialit didaktik, ndërsa digjitalizimi është në vendnumëro. Koncepti i ri paralajmëroi materiale digjitale, por që pas presionit të opinionit, u shtypën shpejtë e shpejtë librat

ZOTIME TË REJA PËR DIGJITALIZIM DHE MATERIALE DIDAKTIKE

Në arsimin fillor, veçanërisht, që moti është konstatuar mungesa e materialit didaktik, ndërsa digjitalizimi është në vendnumëro. Koncepti i ri paralajmëroi materiale digjitale, por që ps presionit të opinionit, u shtypën shpejtë e shpejtë librat. Megjithatë, udhëheqësia e re e MASH-it zotohet se përmirësimet në këtë drejtim do të ndodhin shumë shpejtë, ndërsa janë angazhuar institucionet për arsim të përpilojnë plan të ri në këtë drejtim.

“Digjitalizimi i arsimit mbetet një nga objektivat kryesore të MASH-it. Jemi të njohur se shumë shkolla fillore në Maqedoni përballen me mungesë të pajisjeve teknologjike dhe internetit të qëndrueshëm, duke penguar zbatimin efektiv të metodave moderne të mësimdhënies. Megjithatë, ndarja e sa më shumë mjeteve dhe puna më e përkushtuar do të sjell rezultate të mirëpritura në këtë mandat dhe sigurojmë se brenda një kohe, shkollat dhe mësimi do të digjitalizohet konform standardeve evropiane dhe, për këtë jemi të vendosur”, thuhet në përgjigjet e MASH-it drejtuar gazetës KOHA.

Në ndërkohë, për mungesën e burimeve didaktike, në MASH thonë programet e reja mësimore dheplani që po përgatitet nga ekspertë dhe Byroja për Zhvillimin e arsimit, do të përfshijë burime të reja mësimore, përfshirë libra, materiale ndihmëse dhe mjete digjitale.

“Na duhet të pranojmë se zbatimi i reformave dhe Koncepteve ka qenë i pabarabartë dhe i ngadaltë. Ndryshimet e shpeshta në politikat arsimore, për shkak të ndryshimeve politike apo qeveritare, kanë shkaktuar një paqëndrueshmëri në implementimin e koncepteve të reja. Mësuesit dhe nxënësit shpesh përballen me ndryshime të papritura që vështirësojnë procesin e adaptimit. Ndërsa Koncepti i ri për arsimin gjithëpërfshirës është i rëndësishëm, ndërsa do të punohet në specializimin ose burime për të ndihmuar në zbatimin sa më efektiv të Komnceptit”, përgjigjen nga kabineti i ministres Janevska.

Se cila do të jetë përmbajtja kryesore e Konceptit dhe planit të ri për arsim, nga MASH-i thonë se gjithçka do të rrotullohet rreth nxënësit dhe angazhimit aktiv të nxënësve dhe mësimdhënësve.

“Nxënësit me Konceptin e ri, do të përfshihen aktivisht në procesin e mësimit, duke punuar në projekte që i interesojnë dhe që janë të lidhura me realitetin e tyre. Kjo rrit angazhimin dhe vëmendjen e tyre. Këtu kemi parasysh edhe zhvillimin e aftësive, konkretisht mësimin mësimi përmes projektit ndihmon nxënësit të zhvillojnë aftësi të ndryshme, si ato të punës në grup, komunikimit, dhe zgjidhjes së problemeve, të cilat janë të rëndësishme për suksesin e tyre të ardhshëm. Gjithashtu, duke punuar në projekte, nxënësit kanë mundësinë të aplikojnë teoria në praktikë, që i ndihmon ata të kuptojnë më mirë konceptet dhe t’i shohin ato në kontekst”, thonë në MASH.

Në përgjithësi, qëllimi kryesor është që, mësimi me Konceptin e ri të nxit një ambient më stimulues dhe interaktiv, që ndihmon në rritjen e motivimit dhe në përmirësimin e rezultateve akademike të nxënësve.

Se cila do të jetë përmbajtja kryesore e Konceptit dhe planit të ri për arsim, nga MASH-i thonë se gjithçka do të rrotullohet rreth nxënësit dhe angazhimit aktiv të nxënësve dhe mësimdhënësve

SFIDAT

Ndryshe, reforma në arsimin fillore, por edhe në atë të mesëm, në Maqedoninë e Veriut gjatë 10 viteve të fundit ka pasur gjashtë gjithsej. Qëllimi kryesor, siç thuhej nga ministrat që kanë kaluar në MASH, ka qenë përmirësimi i cilësisë së arsimit, modernizimi i kurikulave dhe rritja e qasjes për të gjithë nxënësit. Disa nga aspektet kryesore të reformave përfshijnë:

  1. KURRIKULAT E REJA: Zhvillimi i kurrikulave më të avancuara dhe të përshtatura me nevojat e tregut të punës.
  2. TRAJNIMI I MËSUESVE: Investime në trajnimet profesionale për mësuesit, për t’i përgatitur ata për metodat moderne të mësimdhënies.
  3. INFRASTRUKTURA SHKOLLORE: Rindërtimi dhe modernizimi i shkollave, duke krijuar një ambient më të përshtatshëm për mësim.
  4. TEKNOLOGJIA NË ARSIM: Integrimi i teknologjisë në procesin mësimor, siç janë përdorimi i mjeteve digjitale dhe platformave online.
  5. ARSIMI INKLUZIV: Nisma për të siguruar që të gjithë nxënësit, përfshirë ata me nevoja të veçanta, të kenë akses në arsim cilësor.
  6. ZHVILLIMI PROFESIONAL I NXËNËSVE: Iniciativa për të inkurajuar zhvillimin e aftësive praktike dhe profesionale për nxënësit.

Këto reforma, sipas kompetentëve, kanë qenë të rëndësishme për përmirësimin e sistemit arsimor dhe për përgatitjen e të rinjve për sfidat e ardhshme. Megjithatë, shumë pak të njëjtat kanë gjetur zbatim. Sfidat edhe sot e kësaj dite janë të mëdha. Mësuesit nuk janë trajnuar sipas Koncepteve që kanë ndryshuar gati për çdo vit, teknologjia nuk zbatohet, pasi mungojnë kompjuterë në shkolla, kurrikula ndryshon për çdo vit dhe është e vështirë të ndiqen dhe adoptohen ndryshimet, ndërsa ka dallime të mëdha në zbatimin e reformave mes shkollave, sidomos midis shkollave urbane dhe atyre rurale. Mungesa e financave të mjaftueshme vazhdon të jetë njëri nga problemet kryesore me të cilët ballafaqohen shkollat, pasi mjetet financiare nga bllok-dotacionet dalin sa për të blerë shkumës dhe sfungjerë për të pastruar dërrasën e zezë.

(Me këtë tekst, gazeta KOHA i bashkohet nismës për rritjen e transparencës së institucioneve që Instituti për Studime të Komunikimit e realizon në bashkëpunim me mediat në kuadër të projektit “Përdor faktet”, i cili mbështetet nga Ambasada Britanike)

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm