Daniel Serwer, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara (SHBA), njëherësh njohës i dalluar i zhvillimeve politike në rajon, ka paralajmëruar kaos në Ballkanin Perëndimor nëse kandidati republikan, Donald Trump, fiton zgjedhjet presidenciale amerikane më 5 nëntor 2024.
Në një intervistë për të përditshmen malazeze “Pobjeda” të hënën, derisa ka komentuar ciklin e ri zgjedhor, ai ka theksuar se ndryshimet do të fillojnë shumë shpejt nëse fiton Trumpi, posaçërisht në kontekstin e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Serweri ka konsideruar se Serbia mund të bëjë përpjekje të pushtojë veriun e Kosovës.
“Serbia mund të përpiqet të pushtojë veriun e Kosovës dhe Republika Serbe mund të shkëputet nga Bosnja dhe Hercegovina. E gjithë kjo mund të ndodhë para inaugurimit më 20 janar”, ka vlerësuar profesori amerikan, derisa ka bërë thirrje për administratën aktuale të SHBA-së të shmangë “fatkeqësinë” nëse Trumpi vjen në krye të Shtëpisë së Bardhë.
“Departamenti i Shtetit dhe Ministria e Mbrojtjes duhet të përgatiten tani dhe të parashikojnë ngjarjet në rajon, edhe para zgjedhjeve. EUFOR-i dhe KFOR-i duhet të jenë të gatshëm të kundërshtojnë lëvizjet për të ndarë Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën – planet për përforcime duhet të jenë gati”, ka potencuar Serweri.
Ai ka përmendur edhe rolin e diplomatit kontravers, Richard Grenell, i cili në kohën e administratës së Trumpit ka qenë emisar i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, i cili, sipas profesorit amerikan, ka qenë pro ndarjes së Kosovës, duke qenë se Grenelli ka shtyrë përpara propozimin për ripërcaktimin e kufijve, derisa ka zhvilluar marrëdhënie të ngushta me liderët në Serbi.
“Nuk jam nga ata që besojnë se mund të bëhen sekretar shteti. Por ai mund të zërë vendin e Jim O’Brien si ndihmës sekretar për Evropën. Sapo të rihapet opsioni i shkëputjes, ai do të zgjerohet. Së pari në Serbinë e Jugut, dhe më pas në Bosnje dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut… Popullsia do të fillojë të lëvizë. Dhuna do të jetë e pashmangshme”.
Ndryshe, zgjedhjet presidenciale vijnë në kohën kur Uashingtoni ka shtuar përpjekjet për t’i zbutur tensionet në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht mes Kosovës e Serbisë. E, përkundër se analistët nuk presin që politika amerikane ndaj rajonit të ndryshojë rrënjësisht, liderët në Kosovë dhe Serbi kanë shfaqur preferencat e tyre presidenciale.