Në vitet 90-të, Ballkani Perëndimor ishte një nga rajonet që përjetoi tranzicionin më të vështirë, sepse ky proces u shoqërua me konflikte dypalëshe dhe shumëpalëshe, me luftëra lokale dhe rajonale si dhe me përplasje politike dhe etnike. Komuniteti ndërkombëtar ndërhyri në Ballkan me misione të ndryshme civile dhe ushtarake, përkatësisht gjatë konfliktit në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut
Nga Marjana DODA
Shkup, 6 maj – Si një rajon ku konkurrojnë interesat gjeopolitike dhe strategjike, Rajoni i Ballkanit Perëndimor është përballur me sfida të ndryshme të sigurisë gjatë viteve të fundit, sidomos që nga lufta e Rusisë në Ukrainë e cila ka ndikuar në stabilitetin dhe zhvillimin e tij. Ka shumë sfida gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut të cilat si pasojë e përplasjeve të tyre të brendshme shpesh herë bien lehtësisht pre e influencave të dëmshme gjeopolitike duke u kthyer në sfida të mëdha për këto dy vende në veçanti dhe për gjithë rajonin në përgjithësi. Disa nga sfidat kryesore të sigurisë përfshijnë: Tensionet etnike dhe politike, sfida e integrimit, konfliktet, diplomacia dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, marrëdhëniet ndëretnike, sfidat ekonomike, radikalizimi fetar, etj.
Në vitet 90-të, Ballkani Perëndimor ishte një nga rajonet që përjetoi tranzicionin më të vështirë, sepse ky proces u shoqërua me konflikte dypalëshe dhe shumëpalëshe, me luftëra lokale dhe rajonale si dhe me përplasje politike dhe etnike. Komuniteti ndërkombëtar ndërhyri në Ballkan me misione të ndryshme civile dhe ushtarake, përkatësisht gjatë konfliktit në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Këto ndërhyrje ndërkombëtare kanë dhënë rezultate konkrete në procesin e reformave të përgjithshme demokratike të vendeve të rajonit, me theks të veçantë në fushën e sigurisë, si dhe në aspektin e reformave integruese si në NATO ashtu edhe në BE. Por sot hija e pasigurisë në këto vende është kthyer sërish. Ky artikull ka në fokus sfidat e tanishme të këtij rajoni duke filluar që nga çështjet e brendshme, mosmarrëveshjet rajonale dhe deri te aspektet gjeopolitike dhe ndikimin e huaj që prek demokracinë e Ballkanit Perëndimor.
A MUND TË THEMI QË RAJONI YNË ËSHTË NJË NGA GURËT MË TË RËNDËSISHËM TË KËSAJ “DOMINOJE” GJEOPOLITIKE?
Ballkani fuqi baruti, është ky stigmatizim që e ka shoqëruar ndër dekada gadishullin e Ballkanit. Marrëveshja e Dejtonit në Bosnje dhe ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë ndali luftën represive të përgjakshme në rajon dhe hyri drejt një procesi normalizimi bashkejetese por pajtimi ende është larg.Megjithatë përballë sfidave të reja gjeopolitike, Ballkani duket se mund të jetë një nga gurët e parë që preket nga ndryshimet tektonike gjeopolitike. Sot si Bosnja e Hercegovina, dhe Kosova, gjenden para kërcënimit te një konflikti të ri. Ndërsa në Maqedonine e Veriut dhe Shqipëri kriza politike e brendshme është kërcënimi më i madh që buron nga vetë partitë politike, kryesisht nga qeveritë në pushtet nëpërmjet korrupsionit galopant.
Sa i përket sfidave gjeopolitike, sot shumica dërrmuese e vendeve të Ballkanit janë anëtar të NATO-s, dhe të gjitha vendet janë të përfshira në procesin e integrimit evropian, megjithatë në horizontin europian prej vitit 2022 po zhvillohet një luftë që ka tronditur themelet e sigurisë së Europës por në veçanti jehona e saj ndihet në Ballkanin Perëndimor.Por kush është përgjegjës për këtë “nyje gordiane” e cila ende nuk po zgjidhet përpos investimit Perëndimor për më shumë se tre dekada?Ekspertë dhe diplomatë, njohës shumë të mirë të marrëdhënieve ndërkombëtare nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, sjellin këndvështrime të tyre duke analizuar sfidat e Shqipërisë dhe Maqedonisë se Veriut në veçanti dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.
SFIDAT E BRENDSHME DHE TË JASHTME TË SHQIPËRISË DHE MAQEDONISE SE VERIUT NË VEÇANTI DHE RAJONIT NË TËRËSI
Analiza e ekspertëve dhe diplomatëve të njohur për marredheniet ndërkombëtare tregon sfidat e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor. Dr. Jorgji Kote dhe Z. Kreshnik Osmani diskutojnë sfidat brendshme dhe jashtme të këtyre vendeve, duke theksuar rëndësinë e kohezionit politik, reformave madhore, luftën kundër korrupsionit, dhe linjëzimin me standartet e BE-së. Prof.dr. Bashkim Selmani flet për sfidat në Maqedoninë e Veriut, duke përmendur aspektet politike dhe raportet ndërfqinjësore jo të qëndrueshme.
Dr. Jorgji KOTE, Ish zv. Ambasador i Shqipërisë në Berlin dhe Bruksel analizon sfidat Shqipërisë.
Sa i përket sfidave të brendshme të Shqipërisë Dr. Kote thekson një sërë sfidash si: Forcimi i kohezionit politik dhe social midis forcave politike të shumicës dhe opozitës, vazhdimi me ritme më të shpejta dhe më të larta i reformave madhore, intensifikimi i punës për afrimin dhe linjëzimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së në kuadrin e negociatave të anëtarësimit me BE-në.
Eksperti për Marrëdhëniet ndërkombëtare Kreshnik Osmani thotë se duhet që të gjithë të jeni të bindur për diçka shumë të rëndësishme “Ne jeni dëshmitarë të njërës prej epokave më të rëndësishme të historisë së njerëzimit dhe kjo mundësi nuk i jepet çdokujt në këtë jetë. Një epokë e ndërmjetme ndërmjet dy Rendeve Botërore ka nisur, ku ka vdekur njëri sistem dhe po pamundësohet lindja e një Sistemi të Ri. Sfidat e brendshme të Shqipërisë janë të lidhura direkt me Sistemin politik dhe me funksionimin e Demorkacisë. Sa i përket sfidave të jashtme është shumë e rëndësishme që të ndjekim me kujdes dhe të analizojmë imtësisht dinamikat e zhvillimeve të mëdha rajonale dhe ndërkombëtare, pasi Bota ndryshoi me pushtimin dhe agresionin rus ndaj Ukrainës dhe ky tërmet i jashtzakonshëm ndërkombëtar, do të ndiqet nga postlëkundjet në Ballkan”, shprehet Osmani.
Ndërsa lidhur me sfidat e brendshme dhe të jashtme ne Maqedoninë e Veriut, flet Profesori universitar Bashkim Selmani. “Përballja e RMV-së, në kuadrin e zhvillimeve të reja gjeopolitike dhe sfidat emergjente të brendshme dhe të jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit në tërësi, janë: Aspekti politik dhe gjendja aktuale e zgjedhjeve kuvendore dhe presidenciale janë me rëndësi jetike dhe zhvillimore që n’varet se çfarë kahje do të marrë politika e brendshme dhe ajo e jashtme shtetërore. Raportet ndërfqinjësore jo të qëndrueshme siç është konteksti me Bullgarinë dhe shqiptarët brënda shtetit të gjitha anketat flasin për kufizime dhe shkelje të të drejtave kolektive siç është pagëzimi i përqindjes (20%)”, shprehet Selmani.
BALLKANI PO ARMATOSET. A ËSHTË KY FAKT NJË KAMBANË ALARMI PËR NJË KONFLIKT TË MUNDSHËM?
Dr.Jorgji Kote e konfirmon këtë, duke theksuar se pas kësaj gare fshihet frika kryesisht ndaj një agresioni të mundshëm rus dhe serb, sidomos ndaj Kosovës, për të shkëputur vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar nga lufta në Ukrainë, por dhe ndonjë vendi tjetër si Kroacisë e Malit të Zi. Në përgjithësi fantazma dhe ethet e një lufte të ardhshme shihet gjithandej dhe në Ballkan. Shquhet Serbia e cila në vitet e fundit ka trefishuar shpenzimet e saj ushtarake.
Për ekspertin e marrëdhënieve ndërkombëtare nga Shqipëria, Z. Kreshnik Osmani, është e qartë se gara e re e armatimeve në Ballkan tregon qartësisht se të gjitha shtetet dhe të gjithë popujt e Ballkanit janë duke u përgatitur për këtë botë të re që po lind dhe për sfidat e reja gjeopolitike, ushtarake dhe ato të sigurisë në rajon dhe më gjerë. Armatosja e Ballkanit është tregues i qartë se të gjitha shtetet ballkanike nuk ndjehen më të sigurtë në fushëbetejën e ekulibrave të rinj në lojën e re të Kombeve dhe nuk janë më shumë të sigurtë se status-quo-ja mund të zgjasë pafundësisht.
“Lojtarët e tretë me ndikim botëror në tentativë për rritje sic janë Rusia dhe Kina po përpiqen të krijojnë situata dhe ekuilibra të rinj gjeopolitikë dhe ushtarakë në Ballkan dhe po tentojnë që ta zëvendësojnë influencën tradicionale të boshtit euroatlantik, me skema të tjera të sigurisë dhe të mbrojtjes dhe kjo është shoqëruar natyrshëm edhe me një garë armatimesh, ku bie në sy Serbia, Kroacia, Greqia, dhe në vitin e fundit edhe Shqipëria me mundësi armatimi më të kufizuara, sigurisht”, vijon Z. Osmani.
Prof.dr.Bashkim Selmani: RMV-së i jep një kahje tjetër dhe akoma më kërcnuese nga vendet fqinjësore që reflektonë me pasoja nga e kaluara (luftarake Bosnje, Kosovë dhe 2001 në RM) dhe aktualisht që minon edhe plotësimin e standardeve europiane, sepse vëmendja për luftimin e krimit dhe kriminalitetit institucionale dhe korrupsionit metastazik e defokuson vëmendjen nga ana e faktorit ndërkombëtar, presioni kohëve të fundit është shumë më i ulët dhe kjo situate e brishtë apo lufte krijon humbjen e shpresave për qytetarët dhe nxit stimulimin për ikje nga vendi
INFLUENCA RUSE. A MUND TË THEMI KONKRETISHT SE RUSIA KA INFLUENCE NE SHQIPËRI E RMV? KUSH JANË ATO PALË TË TRETA QË KANË NDIKIM NË VENDIN TONË?
Ndikimi i Rusisë në Shqipëri po rritet, megjithëse shtrirja është e paqartë. Palë të tjera të treta me ndikim në Shqipëri përfshijnë Kinën, vendet arabe dhe Turqinë, nenvizon Kote
– Rusia po bën përpjekje për të rritur ndikimin e saj në Shqipëri, veçanërisht në politikë, media dhe shoqërinë civile. – Kina, vendet arabe dhe Turqia gjithashtu kanë ndikim në Shqipëri, megjithëse Turqia është anëtare e NATO-s. – Ndikimi i Rusisë në Ballkan është në rritje, kryesisht përmes Serbisë dhe grupeve terroriste proxy.
– Ndikimi i Rusisë në Shqipëri nuk është ende i përcaktuar qartë, por aftësitë dhe veprimet e saj në vende më të mëdha dhe më demokratike sugjerojnë se ai mund të rritet në Shqipëri me kalimin e kohës. Kina dhe Rusia janë lojtarët më agresivë që kërkojnë ndikim në Ballkanin Perëndimor, por edhe shtete të tjera rajonale dhe ndërkombëtare përpiqen të ushtrojnë ndikim përmes aleatëve dhe xhepave të tyre. Problemi më i madh i këtij ndikimi është natyra e tij malore, pasi nuk kontribuon në zhvillimin ekonomik, por krijon disbalanca të reja dhe destabilitet në rajon, thotë ndër të tjera Osmani.
“Rusia ka lidhje të forta në Maqedoninë e Veriut, si në nivel ballkanik dhe etnik, me dëshmi të mbështetjes financiare dhe politike nga Rusia. Ka indikacione se individë dhe institucione maqedonase dhe shqiptare janë të përfshirë në këto zhvillime, duke përfshirë aktivitetet ekonomike dhe politike, shërbimet sekrete, krimin dhe korrupsionin ndërkombëtar”, thotë Selmani.
A RREZIKOHET STABILITETI I BALLKANIT NGA NJË ALEANCË FETARE, ORTODOKSE PËRBALLË FESË MYSLIMANE?
Dr. Jorgji Kote: Padyshim që po, faktori dhe përçarjet fetare kanë qenë dhe mbeten “shtrat i ngrohtë” i nacionalizmave dhe grindjeve që çojnë në konflikte të armatosura. Ndaj kërkohet ndarja e shtetit nga feja, çka duket utopi kur shohim se çfarë po ndodh në këtë fushë me ndjeshmëri të madhe publike me Greqinë, Serbinë, Bosnien dhe Malin e Zi. Ky rrezik është më i madh në Serbi, Malin e Zi dhe Bosnie. Shqipëria është më e imunizuar në këtë drejtim, falë mirëkuptimit dhe bashkëjetesës shembullore fetare, por dhe aty rreziqet sa vijnë dhe shtohen, veçanërisht midis rrymave të ndryshme myslimane.
Kreshnik Osmani: Marrja peng e narrativës nacionaliste nga personazhe mediokre, të paditura dhe injorante, apo nga qarqe ekstremiste ultranacionaliste, raciste dhe ksenofobe, duke lënë në hije qasjet patriotike racionale që janë nevojë natyrale dhe fondamentale e popujve dhe e kombeve, ka shtyrë segmente të caktuara të popullatës të gjejë strehë tek vëllazëritë religjioze, pasi ato ofrojnë më shumë garanci për mirëqënien dhe prosperitetin e grupit shoqëror në këtë botë dhe në të përtejmen.
Prof.dr.Selmani: Toleranca dhe bashkëpunimi e ka shpëtuar njerzimin” të gjithë ne duhet të fillojmë ta praktikojmë aty ku punojmë dhe veprojmë në jetën e përditshme duhet të jetë e përgjithshme dhe individuale, e jashtme dhe e brendshme, rreth nesh dhe në marrëdhëniet tona, por edhe në ne
PERËNDIMI E CILËSON ENDE BALLKANIN SI NJË FUQI BARUTI. KUSH KA DËSHTUAR, VENDET E RAJONIT APO POLITIKA E PERËNDIMORE NDAJ NESH?
“Mbështetja perëndimore dhe procesi i anëtarësimit në BE në 20 vitet e fundit nuk kanë arritur të sjellin stabilitet dhe demokraci në Ballkan. Fajin e kanë si rajoni ashtu edhe politikat perëndimore”, theksojnë analistët.
– Strategjitë perëndimore synonin të shëronin Ballkanin përmes integrimit në BE, por procesi është vonuar dhe minuar nga krizat ndaj dështimet në procesin e integrimit të Ballkanit në BE mund t’i atribuohen si mangësive të rajonit ashtu edhe qasjes perëndimore. Deficitet demokratike të rajonit dhe preferenca perëndimore për stabilitet kanë penguar përparimin. Udhëheqësit autokratikë në Ballkan kanë përfituar nga mbështetja perëndimore dhe favoret gjeopolitike, duke minuar demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Kjo ka kontribuar në paqëndrueshmërinë e rajonit. Mungesa e alternativave politike në Ballkan, e kombinuar me masat ndëshkuese ndaj liderëve të opozitës, ka dobësuar demokracinë dhe ka penguar përparimin drejt anëtarësimit në BE. Mbështetja perëndimore ka penguar që Ballkani të bëhet burim i përhershëm i krizave dhe destabilitetit.
Megjithatë, si vendet e Ballkanit ashtu edhe politikat perëndimore mbajnë përgjegjësi për mungesën e progresit në rajon. Nevojitet një qasje më transparente dhe bashkëpunuese për të trajtuar dinamikat socio-politike dhe kulturore në Ballkan.
KONKLUZIONE
Ballkani Perëndimor përballet me sfida të shumta sigurie, duke përfshirë tensionet etnike dhe politike, sfidat e integrimit, konfliktet, diplomacinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, marrëdhëniet ndëretnike, sfidat ekonomike, radikalizmin fetar etj. Konkretisht vendet si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po përballen me sfida të brendshme si: korrupsioni, krimi i organizuar, dobësitë institucionale dhe politike, si dhe sfida të jashtme si ndikimi i Rusisë, Kinës dhe aktorëve të tjerë gjeopolitikë në rajon. Integrimi i plotë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO mbetet thelbësor për të siguruar stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit. Vëmendja dhe angazhimi Euro-Atlantik në hapësirën lindore të Evropës dhe në krahun juglindor të sigurisë trans-atlantike mbeten jetësore dhe të pazëvendësueshme.
Megjithatë, procesi i integrimit ka ngecur dhe Perëndimi është kritikuar për mbështetjen e “stabilokracive” në vend të demokracive të plota. Për të adresuar sfidat, nevojitet një angazhim i përtërirë dhe i strukturuar i aktorëve ndërkombëtarë, si dhe veprime konkrete nga vendet e rajonit për të luftuar korrupsionin, forcuar institucionet dhe promovuar bashkëpunimin rajonal. E ardhmja e afërt e rajonit tonë dhe paqja e ballkanit është e diktuar dhe ngushtësisht e lidhur me dinamikat gjeopolitike ndërkombëtare të cilat kanë treguar në vijimësi se pas çdo “tërmeti” dhe zhvendosje të pllakave tektonike të lojës së kombeve, kanë prodhuar me postlëkundjet e tyre dinamika dhe sfida të mëdha për banorët e rajonit me demokraci të brishtë.
Njohja e pavarësisë së Kosovës, adresimi i krimeve të së kaluarës dhe kërkimi i pajtimit janë hapa thelbësorë drejt paqes në rajon. Integrimi i vërtetë dhe gjithëpërfshirës ekonomik mund të kontribuojë për paqen, por integrimi i plotë i Ballkanit në BE është i nevojshëm për stabilitet afatgjatë. Projekti i Paqes dhe Dialogut në Ballkan të bëhet një emergjencë gjeopolitike Evropiane dhe Perëndimore.
(Ky artikull u publikua në kuadër të Projektit Rajonal të shkëmbimit të gazetareve të Ballkanit Perëndimor mbështetur nga BIRN)